Ligji i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, mozaik i reformës në drejtësi

498
Sigal

Dje, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, plotëson një pjesë të rëndësishme të mozaikut të reformës në drejtësisë, si një ndër sfidat prioritare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Integrimit Europian, parashikuar në Planin Legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012, si dhe në Planin e Veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë. Pothuajse çdo javë po flasim për reformën në drejtësi, të bindur dhe të vendosur se kjo reformë duhet të vijë nëpërmjet një procesi të gjerë bashkëpunimi dhe konsultimi, duke përmirësuar çdo aktor të sistemit të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë, në hartimin e këtij projektligjit, ka mbajtur në konsideratë se tërësia e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si një organizëm vetërregullues, duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve dhe të standardeve kushtetuese, në respekt të pavarësisë së gjyqësorit e të gjyqtarëve, me qëllimin që zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të garantojë ushtrimin e funksionit kushtetues të këtij fundit në mbrojtje të pavarësisë dhe të vetëadministrimit të gjyqësorit. Roli që projektligji i ka njohur Konferencës Gjyqësore Kombëtare në mbrojtjen dhe promovimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në përcaktimin e drejtimeve kryesore të veprimtarisë së gjykatave, apo në paraqitjen e rekomandimeve tek autoritetet përkatëse shtetërore për një administrim të paanshëm dhe efikas të gjykatave të Shqipërisë, dhe përmirësimin e  kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor, do ta shndërrojë këtë institucion në forumin qeverisës dhe politikbërës të pushtetit gjyqësor. Me miratimin e këtij projektligji, gjyqtarët e të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësore, do të kenë të mundur të organizohen në një mënyrë demokratike, në bazë të rregullave të paracaktuara dhe të detyrueshme për zbatim. Kjo përbën premisë të sigurt që çdo gjyqtar të ketë rolin e tij në vendimmarrjen mbi çështjet që lidhen me sistemin gjyqësor, si dhe bën të mundur që zëri i tij, nëpërmjet Konferencës Gjyqësore Kombëtare, të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Një nga detyrat kushtetuese themelore që ka Konferenca Gjyqësore Kombëtare është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Projektligji parashikon se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë 5 gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë; 3 gjyqtarë të gjykatave të apelit; dhe 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Kjo formulë përzgjedhje siguron përfaqësimin në këtë organ të interesave të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor, duke garantuar mbrojtjen e tyre nga çdo ndikim i papërshtatshëm. Nga ana tjetër, projektligji parashikon një procedurë të hollësishme të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, procedurë kjo që garanton transparencën, parimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar një përbërje cilësore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe funksionimin me anëtarësi të plotë të këtij organi në çdo kohë. Projektligji synon të largojë çdo të metë apo handikap të krijuar gjatë këtyre viteve, sidomos gjatë vakancave në procesin e zgjedhjes, duke parashikuar fillimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve, të paktën 90 ditë para mbarimit normal të mandatit për anëtarë të KLD-së.

*Ministër i Drejtësisë