“Ligjet” rrëzojnë Nishanin për dy kandidaturat në Gjykatën e Lartë

407
Sigal

TIRANE– Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar dhe më pas rrëzuar dy dekretet e Presidentit Nishani “Për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë”, ndërsa ka zhvilluar seancë dëgjimore me dy kandidatët. Kreu i Shtetit ka dekretuar për anëtar të Gjykatës së Lartë Sokol Ngresin dhe Elona Stavrin, por dy dekretet janë rrëzuar sërish nga komisioni i ligjeve, pasi sipas deputetëve nuk është zbatuar procedura. Pas seancës dëgjimore me dy kandidatët, deputeti Ulsi Manja kërkoi rrëzimin e dekreteve të Presidentit, duke u shprehur se në propozimin e dy kandidaturave Kreu i Shtetit i është referuar vetëm anës formale të ligjit, dhe nuk ka zbatuar ndryshimet e ligjit për Gjykatën e Lartë.

Edhe deputetët Peza e Klosi u shprehën se Presidenti ka shkelur procedurën në propozimin e kandidaturave, duke thënë se kjo është edhe arsyeja pse këto dekrete janë rrëzuar.
 
Por nisur nga këto diskutime, kandidati Sokol Gresi tha se është përzgjedhur në mënyrë të rregullt, ndërsa shtoi se ka kandiduar për këtë detyrë vazhdimisht që nga koha kur president i vendit ishte Bamir Topi.
 
Ndërsa kandidatja Elona Stavri tha se pengesa e vetme për kandidimin për anëtarë e Gjykatës së Lartë ka qenë ligji i vjetër.

Të pyetur nga deputeti Pirro Lutaj lidhur me perceptimin e tyre për sistemin e drejtësisë, dy kandidatët vunë theksin në rëndësinë e reformimit të sistemit gjyqësor.
 
Sipas kandidates Stavri, duhet bërë përpjekje për përmirësimin e imazhit të sistemit të drejtësisë dhe për rikthimin e besimit tek ky sistemin.
 
Ndërsa kandidati Ngresi tha se “sistemi gjyqësor nuk mirëfunksionon vetëm përmes gjykatave. Reforma në gjyqësor do ndikojë në uljen e perceptimit të korrupsionit. Duhet të rishikohen ca ligje si Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale”.