Ligj i ri për KLD, anëtarët shkarkohen me shkeljen e parë

468
Sigal

TIRANE- Ministria e Drejtësisë ka paraqitur një draft për të ndryshuar ligjin mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në draftin e Ministrisë bëhet me dije se ndër ndryshimet kryesore është shkarkimi në mënyrë të menjëhershme të të gjithë anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore, si edhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë të cilët kanë shkelur ligjin ose Kushtetutën. Por, anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi janë nënkryetari i KLD, si edhe përfaqësuesi i legjislativit.

RELACION PËR PROJEKTLIGJIN 

 “PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8811, DATË 17.5.2001, ‘PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË LARTË TË DREJTËSISË’, I NDRYSHUAR”

  1. I.     Nevoja për ndërmarrjen e nismës për ndryshimin e ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar

 

Reformimi i sistemit gjyqësor është një nga prioritet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të parimeve bazë të shtetit të së drejtës.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organ kushtetues, me rol thelbësor në mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Nëpërmjet ushtrimit të kompetencave të tij ligjore, KLD monitoron veprimtarinë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet procesit të inspektimit, por veçanërisht nëpërmjet vlerësimit profesional të gjyqtarëve, duke kontribuar në rritjen e integritetit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së pushtetit gjyqësor. Për këtë arsye, ky projektligj i kushton një vëmendje të veçantë problematikave që shoqërojnë veprimtarinë e KLD, si dhe nevojave për reformimin e legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e këtij organi kushtetues, në funksion të rritjes së transparencës dhe përshtatjes së saj me eksperiencat me të mira europiane.

  1. II.  Objektivat që synohen të arrihen përmes projektligjit

 

Veprimtaria e KLD-së është e lidhur ngushtësisht me veprimtarinë e gjykatave të shkallëve të para dhe të apeleve dhe për rrjedhojë, problemet me të cilat përballen, ato i kanë të përbashkëta ose të ngjashme. Disa çështje me të cilat ndeshet aktualisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë ushtrimit të kompetencave të tij dhe të cilat kërkojnë zgjidhje, mund të përmblidhen si më poshtë:

  • Transferimi apo ngritja në detyrë të anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, gjatë ushtrimit të detyrës, duke shrytëzuar mandatin për t’u promovuar;
  • Shmangia e konfliktit të interesit mes anëtarëve të KLD-së;
  • Mungesa e parashikimit në ligj për vlerësimin profesional dhe etik të Kryeinspektorit dhe inspektorëve të KLD-së;
  • Mungesa e përputhshmërisë së ligjit aktual me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe Kodit të Procedurës Penale mbi imunitetin e gjyqtarëve, i cili shpesh bëhet pengesë për hetim të shpejtë dhe më efiçent të veprimeve korruptive nga ana e gjyqtarëve;
  • Mungesa e disa elementëve të procesverbalit të mbledhjes së KLD-së.

  1. III.   Përmbajtja e projektligjit

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, i ndryshuar” përmban 9 nene.

Nëpërmjet nenit 1, të projektligjit propozohet shtimi i pikës 1.1, pas pikës 1 të nenit 6, të ligjit nr. 8811, datë 18.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar, propozim i cili, vjen si nevojë e frenimit të fenomenit të promovimit të vetvetes nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga KGJK-ja, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.

Pika 1 e nenit 6 të ligji, parashikon se anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për një periudhë 5-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Ndërkohë, në praktikë vihet re tendenca e anëtarëve të KLD-së, për të dhënë  dorëheqjen përpara mbarimit të mandatit, duke u promovuar në sistemin gjyqësor, në sajë të shfrytëzimit të lidhjeve të krijuara me njëri-tjetrin.

Për shmangien e këtij fenomeni abuziv, në pikën 1.1 është parashikuar se nëse anëtari i zgjedhur nga KGJK-ja jep dorëheqjen përpara mbarimit të afatit 5- vjeçar, ai nuk mund të transferohet apo të ngrihet në detyrë deri në përfundim të periudhës së parashikuar në paragrafin 1, të nenit 6, të ligjit.

nenin 2, të projektligjit parashikohet shtimi i shkronjave “f” dhe “g”,  pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 7, “Mbarimi i mandatit”. Konkretisht, këto dispozita parshikojnë:

 “f. Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.

g. Anëtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit.”

Ky parashikim bëhet me synim shprehjen në mënyrë eksplicite se shkelja e Kushtetutës dhe ligjit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e anëtarëve të KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi apo nga KGJK-ja, përbën shkak për mbarimin e mandatit të tyre, duke shmangur kështu shkeljet abuzive.

nenin 3, të projektligjit, parashikohet shfuqizimi i pikës 2, të nenit 10, të ligjit, e cila aktualisht parashikon se kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Neni 4, i projektligjit parashikon një përmirësim të përmbajtjes së nenit 14, të ligjit aktual “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nëpërmjet shtimit të dy paragrafëve, me përmbajtje si më poshtë:

“6. Për Kryeinspektorin dhe inspektorët, çdo 2 vjet, kryhet vlerësimi profesional dhe etik, sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

7. Brenda tremujorit të parë të çdo viti, Inspektorati, nëpërmjet Kryeinspektorit, i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë një raport mbi veprimtarinë e tij në vitin paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës.

Raporti i përgatitur nga Inspektorati paraqitet nga Zëvendëskryetari për diskutim në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.”

Duke mbajtur në konsideratë detyrat e rëndësishme të ngarkuara nga ligji Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, sidomos në lidhje me performancën e gjyqtarëve, ku vlerësimi bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së, është e domosdoshme që për këta të fundit, të kryhet vlerësimi profesional dhe etik sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga KLD-ja.

Gjithashtu, në funksion të sa më sipër, është parashikuar paraqitja e një raportimi vjetor, para KLD-së, mbi veprimtarinë e tij të vitit paraardhës, në të cilin duhet të gjejnë pasqyrim problematikat e trajtuara dhe rezultatet e punës së inspektoriatit.

Ky parashikim është bërë me qëllim, rritjen e performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së Inspektoriatit si dhe kontrollin e rezultateve të punës së tyre.

nenin 5, të projektligjit parashikohet se në rastet kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mblidhet brenda 24 orëve dhe vendos për kërkesën e paraqitur nga prokurori. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranon kërkesën e paraqitur nga prokurori, vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra deri në përfundimin e procedimit penal.

Ndryshimet e mësipërme propozohen me qëllim përputhshmërinë e ligjit aktual me ndryshimet e fundit kushtetuese dhe Kodit të Procedurës Penale mbi imunitetin e gjyqtarëve, i cili shpesh bëhet pengesë për hetim të shpejtë dhe më efiçient të veprimeve korruptive nga ana e gjyqtarëve.

nenin 6, të projektligjit  parashikohet se, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga Ministri, ky i fundit mund të propozojë një masë disiplinore me të lehtë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon edhe propozimin e dytë për masë disiplinore më të lehtë, shqyrtimi i procedimit disiplinor mbyllet dhe vendimi i njoftohet gjyqtarit të proceduar disiplinarisht.

Parashikimi i mësipërm, aktualisht ekziston në Rregulloren për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, të miratuar me Vendimin nr. 137, datë 21.02.2003 të KLD-së, i ndryshuar. Është parë e arsyeshme që ky parashikim të sanksionohet në ligj.

nenin 7, të projektligjit, parashikohet mënyra e mbajtjes së procesverbalit, të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, elementët dhe miratimi i tij. Ky ndryshim, vjen si rrjedhojë e përshtatjes së dizpozitës ekzistuese me ligjin nr. 8480, datë 27.05.1999,  “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.

nenin 8, të projektligjit parashikohet se shqyrtimi i procedimit disiplinor bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky ndryshim propozohet me qëllim, shmangien e zvarritjes dhe shqyrtimin e procedimit disiplinor brenda një afati të përcaktuar.

Neni 9 parashikon hyrjen në fuqi të projektligjit.

  1. IV.   Përputhshmëria me Kushtetutën

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8811, datë 17.5.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, i ndryshuar”, gjen mbështetje në nenin 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës.