Lideri i ri i PD-së: Biberaj, Topi e Mustafaj t’i kërkojnë ndjesë elektoratit të PD-së

500
Sigal

Rithemelimi i PD-së do të bëhet nga filozofia e së Djathtës dhe jo nga doktrinat

Thuhet se Aleksandër Biberaj, ka shfaqur dëshirën e tij që të garojë si kandidat për kryetarin e PD-së. Aleksandër Biberaj, akoma nuk ka rimarrë teserën e anëtarit të PD-së dhe ende është anëtar i FRD-së, e cila i shkaktoi dëm elektoral PD-së. Atëherë me ç’të drejtë morale dhe politike Biberaj kërkon që të garojë për kryetar i PD-së, kur, ndërkohë, ai, e ka flakur teserën e anëtarësisë dhe është anëtar i një partie që i shkaktoi dëm elektoratit të PD-së në zgjedhje. Jo vetëm kaq. Por, edhe kur ishte anëtar i PD-së, Aleksandër Biberaj ka qenë funksionar i lartë dhe përfaqësues i PD-së në shumë organizma ndërkombëtarë. Shkaqet e ikjes së tij nga PD-ja kurrë nuk dëshmuan se ishin shkaqe politike parimore, por thjesht pakënaqësi  të karrierës së vet personale. Ndaj, Aleksandër Biberaj ka edhe ai peshë përgjegjësie të humbjes së PD-së, si drejtues i saj. PD-ja, nuk mund të jetë han pa porta, që njerëz si Aleksandër Biberaj të largohen e të rikthehen sa herë të duan, pa kërkuar më parë ndjesë për peshën e fajit të tij. Jo ndaj kryetarit të partisë. Por ndjesë duhet t’i kërkojnë elektoratit të PD-së. Besnik Mustafaj, shkruan se qëndrimi që duhet të mbajë Berisha ndaj kandidaturës së Biberaj, do të duket sa i ndershëm do të jetë procesi i zgjedhjes së liderit të ri.  Zoti Mustafaj, duhet së pari t’i kërkojë falje elektoratit të PD-së, edhe për ato emërime nepotike që ka bërë kur ishte ministër i PD-së, të cilat ende edhe sot janë në funksione shtetërore. Kjo është bashkëpërgjegjësi. Shkarkimi i përgjegjësisë nuk është thjesht dorëheqja, por edhe shkulja e atyre pasojave të veprimeve që ke ndërmarrë  në dëm të së mirës së përgjithshme, por që janë bërë thjesht për përfitime vetjake, si titullar, funksionar apo drejtues i lartë partie dhe qeverie.  Pa kërkuar këtë ndjesë bashkëpërgjegjësie, zoti Mustafaj, nuk mund të kesh të drejtën morale që të japësh leksione të filozofisë politike, ca më pak, kur  harron apo qëllimisht anashkalon, faktin që ndershmëria ndaj elektoratit dhe vetë PD-së është te morali i atyre që pretendojnë se duan të bëhen lider të partisë dhe jo te qëndrimi sentimental i një kryetari të dorëhequr i PD-së. Me çfarë morali Aleksandër Biberaj do të ballafaqohet me elektoratin e PD-së, derisa ai është  ende një ikanak i PD-së? Po kështu, edhe ish-nënkryetari i PD-së zoti Bamir Topi, i cili ka përgjegjësinë kryesore, si (ish)Presidenti i Shqipërisë për korrupsionin në sistemin e Drejtësisë.  Zoti Topi nuk mund të pretendojë reformim të së Djathtës, teksa, me cilësinë e Kryetarit të KLD-së, mban ende përgjegjësinë për korrupsionin dhe humbjen e besimit që njerëzit kanë te drejtësia. Topi mban përgjegjësi edhe për sistemin e korruptimit të emërimeve në drejtës, sepse si kryetari i KLD-së, janë bërë emërime nepotike të gjyqtarëve në të gjitha instancat. Zoti Topi, si President,  nëpërmjet institucioneve që kishte nën drejtimin e tij, shumë herë iu kundërvu shtetit, duke krijuar konflikt politik. Kjo kosto politike e rënies së sistemit të drejtësisë  i kushtoi edhe PD-së në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ndaj Bamir Topi duhet të ndjejë bashkëfajësi politike për humbjen e PD-së dhe t’i kërkojë falje, sepse ishte Presidenti i zgjedhur i PD-së. Zgjedhja e liderit të ri të PD-së  është momenti më i mirë për të afruar rreth PD-së profesionistë dhe intelektualë, që e duan vërtet demokracinë dhe sistemin e vlerësimit mbi merita, ndryshe nga praktikat e dekorimit të militantëve. Atributet antikomuniste, që me të drejtë PD-ja  i mori pas rrëzimit të regjimit, nuk janë të mjaftueshme për të konkurruar në skenën politike pas 22 vitesh. Sot elitat politike kanë kritere të tjera për t’u përzgjedhur dhe është e nevojshme që e djathta reale të përfaqësohet nga të djathtët nëpërmjet filozofisë së djathtë dhe jo doktrinave. Para se të zgjidhet me shpejtësi kryetari i ri i PD-së, do të ishte shumë e dobishme për PD-në projektimi i një gare të hapur për këtë post, ku PD-ja mund të ketë një kryesi të përzgjedhur dhe secilit nga pretendentëve për kreun e PD-së t’i krijohen mundësi të prezantojë idetë, potencialin dhe projeksionin e tij për PD, si partia kryesore e të djathtës. Në këtë mënyrë shumë intelektualë vërtet të djathtë dhe jo nga ata që thirren për peticione mediatike, do të jepnin kontributin e tyre për të rindërtuar një forcë të re dhe demokratike, që mund ta vendoste në vështirësi maxhorancën e majtë që në zgjedhjet e ardhshme. Një proces i hapur mund të unifikojë përsëri të djathtën, madje mund ta bëjë më të fortë, ndryshe nga një proces i mbyllur përjashtues. Në këtë mënyrë Partia Demokratike do të jetë përsëri në gjendje për ta bindur popullin shqiptar, se e djathta ka kapacitetet e saj, ka programin e saj, ka alternativën e saj dhe demokracinë e saj. Dhe rreth saj me siguri do të afrohen individë, jo vetëm me potenciale intelektuale, por edhe njerëz të lirë, që duan të anëtarësohen në një parti liberale, për të cilën aspiruan qysh në vitin 1990.