“Liderët tanë të gjejnë tek SHBA-të shpresën për ngritjen e lirisë dhe demokracisë”

104

INTERVISTA/Prof. Dr. Lisen Bashkurti: “SHBA-të duan një Ballkan në paqe e stabilitet, të bazuar në zhvillime demokratike të brendshme, në integrime Euro-Atlantike dhe Europiane”

Megjithë malin e kritikave ndaj klasës politike që zonja Klinton bëri dje në vizitën e saj në Tiranë, nuk pashë, nuk ndjeva te asnjë fjalë politikani, një refleksion të një zotimi moral, politik që nesër do të bëjë diçka, që të korrigjojë vetveten, politikën, sistemin politik në Shqipëri. Kjo do të thotë, që politikanët tanë, do të vazhdojnë të njëjtën vepër, të ngërçeve politike, por vetëm me një “pasurim” nga dita e djeshme. Do të shtojnë një foto që kanë dalë me Zonjën e Madhe Klinton, për dekorin e tyre politik, dhe mbase peshkojnë ndonjë… kredibilitet politik te …militantët partiakë. Prof. Dr. Lisen Bashkurti në intervistën për “Telegraf” analizon dhe shpjegon, me përvojën e madhe diplomatike, rëndësinë historike të vizitës së Zonjës Klinton në Rajon, por, sidomos bën thirrje liderëve politikë në Shqipëri, që te SHB-të ata të gjejnë shpresën për ngritjen e lirisë e demokracisë. Ka një paradoks, në zhvillimet e Ballkanit. Ndonëse të gjitha shtetet dhe kombet ballkanike kanë vizionin e integrimit në BE, ndjenjat e nacionalizmave shoviniste, sidomos serbe dhe greke,  në dëm të integritetit të Kombit shqiptar po marrin një ringjallje. Prof. Dr Bashkurti, pohon se, Asnjë agjendë tjetër-nacionaliste- nuk mund të zëvendësojë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit.

– Zoti Bashkurti, vizita e Zonjës Klinton, në Ballkan, mesazhi që ajo përcolli në Beograd, se kufijtë e Kosovës janë të patjetërsueshme,  mendoni se do të ndikojnë në një përmirësim të klimës së mirëkuptimit midis shteteve tona ballkanike?

– Vizita e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton në nivel rajonal, në tërësi synoi pikërisht përmirësimin e klimës së paqes, sigurisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Ballkanit. Në nivel Rajonal, prioriteti strategjik i ShBA-së u shpalos edhe njëherë tek orientimi Euro-Atlantik, si elementi kryesor që garanton në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate paqen, stabilitetin, sigurinë dhe orientimin gjeostrategjik të të gjithë vendeve të Rajonit. Në nivele nacionale ose shtetërore të ndryshme, për shkak të profileve që ka çdo shtet i veçantë, për arsye të agjendave individuale dhe të problematikave që kanë në Rajon – mesazh i kryediplomates amerikane u përcoll në mënyra të ndryshme. Thelbi mbeti i njëjtë dhe i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Ballkan në paqe e stabilitet, të bazuar në zhvillime demokratike të brendshme, në integrime Euro-Atlantike dhe Europiane, në parime e vlera të fuqishme demokratike si dhe në bashkëpunim dypalësh e shumëpalësh fqinjësor. Specifikisht për Serbinë, ishte me shumë rëndësi që Hilleri Klinton ri-përsëriti me aksent të fuqishëm në Beograd qëndrimin e SHBA-ve, të pandryshuar dhe pakurrëfarë ambiguiteti për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të tij. Ky qëndrim i SHBA-ve në qendrën e diplomacisë serb, përbën në vetvete një condicio sine quo non për Serbinë, në çdo lloj relacioni të saj me Kosovën, Ballkanin, Evropën dhe SHBA-ve. Çdo lëvizje diplomatike, qoftë bisedime, dialog apo çdo hap formalizim juridik me marrëveshje të ndryshme teknike midis Kosovës dhe Serbisë, me ose pa iniciativë të BE-së, do të realizohet gjithnjë në respekt të pacenueshmërisë së kuadrit të dy shteteve të pavarura e sovrane, ndërkombëtarisht të njohura, siç janë Kosova dhe Serbia. Vizita e mesazhet në Kosovë ishin shumë optimiste për këtë shtet të ri e të pavarur. Në mënyrë të veçantë tërhoqi vëmendjen vizita e Sekretares Klintoni në manastiret e Kosovës, për të dhënë qartësisht mesazhin e demokracisë Amerikane për paqe e harmoni ndër-etnike, ndër-fetare e ndër-kulturore në Kosovë. Ky mesazh transmeton vlera dypalëshe për shqiptarët dhe serbët njëkohësisht. Qëndrimi i SHBA-ve është inkurajim i madh për Kosovën, për mbarë popullin shqiptar, sikundër është një kusht për t’u konsideruar seriozisht nga politika dhe diplomacia e Serbisë dhe e shteteve që kanë pozicione të kundërta me ato të SHBA lidhur me Kosovën. Natyrisht, mesazhi i Kryediplomatës së SHBA, Klinton tejkalon jehonën Ballkanike. Ky mesazh është për t’u konsideruar edhe nga ato shtete të BE-së e më gjerë, që jo vetëm nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, por, po bëjnë fushatë diplomatike në hapësira gjeopolitike të ndryshme të globit dhe njëkohësisht po përpiqen për të penguar ose frenuar integrimin e Kosovës në familjen e Kombeve të Bashkuara apo në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike.

– A nuk lë një hije dyshimi, që festimi i 100- vjetorit të ngjarjeve të Kumanovës, nga Presidenti Nikoliç dhe Presidenti i Maqedonisë, në kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve të sotme  në Kosovë, ku siç dihet, ishte një gjenocid kundër shqiptarëve, nuk shkaktoi asnjë reagim të politikës shqiptare? 

– Natyrisht, historia nuk ç’bëhet. Historia nuk ndryshohet. Historia jep mësime për të mësuar dhe në mënyrë të veçantë, jep këshilla për të mos përsëritur të njëjtat gabime. Prandaj, nga kjo pikëpamje nga Serbia nuk pritet të ndryshojë historinë, për të cilën historikisht do të mbajë peshën morale përballë popujve e vendeve të Ballkanit që ka gjakosur. Nga Serbia pritet të ndryshojë qëndrimin e sotëm dhe të ardhshëm. Ky ndryshim nisë me kërkimin e faljes publike ndërkombëtare përpara çdo populli, Kombi, familje dhe individi që ka vuajtur pasojat e nacionalizmit serb, e më pas, hap pas hapi të kalojë në ndryshimet kushtetuese, politike e diplomatike të cilat do të hapnin një faqe të re për pajtimin, ngritjen e besimit dhe të ndërtimit të miqësisë me interesa e dobi për gjithë shtetet e Ballkanit. Kjo nuk është rrugë e lehtë dhe e shpejtë për Serbinë. Por, referuar në historinë e Evropës nuk është rrugë pambarimisht e gjatë dhe e pamundur. Përsa i përket përçapjeve të nacionalizmit në politikës zyrtare të Maqedonisë, mund të themi se nuk është nivelet dhe në masën e kërcënimit që bart nacionalizmi serb. Por, është mjaft shqetësuese që vijon të mbetet stanjative e relativisht kokëforte. Doktrina e VMRO-DPMNE, pra e qeverisë së sotme maqedone udhëhiqet nga parimi kontraversal “back to the future”. Sipas këtij parimi, nacionalizmi maqedon synon të ndërtojë të ardhmen duke ngritur ikonat e simbolet e së vjetrës, rreth të cilave është shkenca që duhet të japë opsionet e saj dhe jo politika. Me këto veprime, ose rropatje për ngritje “identiteti nga mugëtirat e panjohura ose të debatueshme të historisë”, shteti i Maqedonisë po e fut veveten në një rreth të mbyllur dyfish: nga brenda po vetëizolohet prej skepticizmit në rritje të marrëdhënieve ndëretnike, sidomos shqiptaro-maqedone; nga jashtë po vetëizolohet prej një “muri” gjeopolitik me fqinjët, sidomos me grekët e bullgarët. Nacionalizmi maqedon po vërtitet në një krizë cikël të mbyllur, pa rrugë dalje. Shmangja e Maqedonisë nga agjenda e Sekretares Klinton është mesazh shumë domethënës për qeverinë e sotme të maqedonisë.

– Edhe pse shtetet ballkanike dhe popujt janë shprehur për integrimin e tyre në Familjen Europiane, kohët e fundit vërehet një frymë e re e nacionalizmit serb e grek që rinxitin ndjenjat shoviniste ndaj integritetit të Kombit Shqiptar. Integrimi europian a mund t’i bashkojë popujt e Ballkanit, duke reduktuar nacionalizmat shoviniste?

– Evropa ka histori të gjatë e me shumë mësime të vlefshme për të gjithë. Nga rreth 2000 vjet histori të vjetër, Kontinenti ynë ka përjetuar afro 250 vite në paqe e stabilitet. Pjesa tjetër e historisë së Evropës është karakterizuar nga luftëra, konflikte, kryqëzata, rrënime kombëtare, ndërkombëtare, ekonomike, sociale, kulturore e shpirtërore. Ishte pikërisht apeli mbarë Evropian për të mbyllur këtë kapitull përgjakje, nacionalizmash territorial, racizmi, fobizmi, fanatizmi fetar e diferencimi social-ekonomik që i bëri liderët Evropianë mbas Luftës së Dytë Botërore t’i drejtohen një projekti të ri-BE-së.  Projekti i BE-së është treguar një histori suksesi për Kontinentin tonë. Natyrisht, bashkëkohës e mbështetës kryesor ndërkombëtar i këtij projekti janë SHBA-të, të cilët që nga Plani Marshall, Traktati i Uashingtonit, rënia e BRSS, ri-bashkimi i Gjermanisë e deri të shpërbërja e ish-Jugosllavisë e krijimi i shtetit më të ri në Evropë- Kosovës- janë pjesë e historisë së suksesit të BE-së. Për vendet e Ballkanit agjenda e integrimit në BE është e vetmja alternative që garanton paqe, demokraci dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social. Asnjë agjendë tjetër nuk mund të zëvendësojë integrimin në BE të vendeve të Ballkanit.

– Mendoni se diplomacia e politika zyrtare e Shqipërisë reagon sa duhet kundër frymës në nxitje të nacionalizmave serbë e grekë?

– Politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare veprojnë pa një strategji të qëndrueshme dhe afatgjate, që do të duhej të buronte nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta jonë obligon juridikisht shtetin shqiptar që të mbështesë aspiratën e popullit tonë për bashkim kombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo ku ato ndodhen. Madje vetë Sekretarja Klinton theksoi në fjalim që SHBA “kanë mbrojtur Shqipërinë dhe ndaluan copëtimin e këtij vendi në fund të Luftës së Parë…dhe… se kanë përkrahur me vendosmëri të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, jo vetëm këtu, por në të gjithë rajonin”. Del qartësisht që SHBA-të, më shumë sesa vetë politika e diplomacia shqiptare, kanë vepruar në respekt të Kushtetutës sonë, pasi kjo Kushtetutë bazohet në parimet e vlerat universale të demokracisë e të drejtave të njeriut, por injorohet nga politika e diplomacia jonë zyrtare. Së fundi, nëse nuk ka fuqi politika e diplomacia shqiptare t’iu kundërvënë aventurierëve nazistë grekë, populli shqiptar dhe politika shqiptare po nxjerr në skenë forca politike, energjike, patriotike dhe moderne si AK-ja, që do marrin përsipër përgjegjësinë dhe rrezikun deri në sublimitet për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të truallit sovran shqiptar.

– Ku dallon AK-ja nga nacionalizmat serb e grek? Deklarata zyrtare e diplomacisë greke, pardje ju cilësoi si një nacionalizëm ekstrem.

– Demokracia liberale, pa themelet kombëtare shndërrohet në një fjalë boshe dhe iluzive. Kombi dhe demokracia, vlerat kombëtare dhe parimet e demokracisë liberale, interesat nacionale dhe respekti për fqinjësinë e mirë, për paqen e stabilitetin në rajon, për integrimin Euro-Atlantik konsiderohen në unitet të plotë dhe të pandarë. Ndërsa nacionalizmi Ballkanik, që është krejtësisht i huaj për doktrinën e Aleancës Kuq e Zi, është karakterizuar nga ekspansionizmi territorial, nga prirjet për pastrime etnike e kolonizime, nga ushtrimi i gjenocidit e krimeve kundër njerëzimit, nga fobitë e urrejtja etnike, racore, fetare e kulturore, nga sindroma e mbivlerësimit të vetvetes dhe e nënvleftësimit të kombeve fqinjë. Nacionalizmi shtet-formues Evropian ka krijuar Evropën e Bashkuar në paqe, demokraci e prosperitet, Nacionalizmi Ballkanik ka prodhuar thuajse çdo dhjetë vite luftëra, konflikte, urrejtje dhe ndasi midis popujve e vendeve të këtij rajoni. Në krye të këtyre nacionalizmave ekspansivë kanë qenë Greqia dhe Serbia. Nacionalizmi shqiptar kurrë nuk ka qenë i ngjashëm me nacionalizmat ballkanikë. AK-ja e ruan dhe e respekton traditën e nacionalizmit shqiptar dhe e ka pasuruar atë me modelin e nacionalizmit liberal të shteteve më të zhvilluara e demokratike të Bashkimit Evropian.

– Mendoni se është një rastësi anulimi nga Gjykata e Lartë e vendimit të Gjykatës së Apelit të Korçës, kundër Naum Dishos, një ditë para 27 tetorit?

– Unë personalisht dhe AK-ja jemi luajal ndaj Kushtetutës e ligjit, sikundër edhe ndaj vendimeve të gjykatave tona. Pavarësisht nga problematikat që kanë gjykatat tona sot, demokracia në përgjithësi dhe ajo në Shqipëri në veçanti nuk kanë shpikur deri më sot institucion tjetër për dhënien e drejtësisë përveç gjykatave. Personalisht nuk dëshiroj dhe AK-ja nuk e ka princip të ngatërrojmë politikën me gjykatën. Respektojmë pavarësinë institucionale, pavarësisht problematikave. Demokracia shqiptare ka vuajtur nga sëmundja e varësisë së të gjithë institucioneve nga politikat autokratike. AK-ja nuk do të vazhdojë këtë traditë të keqe. Përkundrazi, AK-ja synon ta “shërojë” demokracinë shqiptare nga ndërvarësia e institucioneve nga politika. Pavarësia dhe bashkëpunimi ndër-institucional i nevojiten më shumë se çdo gjë tjetër demokracisë në Shqipëri.

– A kanë të drejtë, në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare, që edhe çamët të bëjnë homazhe në varret e të parëve të tyre në vendlindjen e tyre në Greqi?

– Historia nuk ndryshohet. Por, plagët e historisë mjekohen. Padrejtësitë e historisë përmirësohen. Gabimet e historisë korrigjohen. Drejtësia historike e vonuar zbatohet. Çështja e Çamërisë është sfidë kombëtare. Çështja e Çamërisë nuk është sfidë e një force ta caktuar politike. Çështja Çame nuk është çështje sektare. Çamëria dhe problemi i saj nuk katandisen vetëm në disa prona e pasuri. Pesha e rëndësia, sikundër edhe vështirësia që bart zgjidhja e çështjes së Çamërisë kërkon angazhim dhe investim mbarëkombëtar.

– PD-ja do ta festojë 28 Nëntorin e 2012-s në Tiranë, PS-ja në Vlorë, ndërsa AK-ja ka deklaruar se do ta festojë në Morinë. Kësisoj, a mund të pretendojmë se, kemi hedhur themelet e demokracisë dhe emancipimit të një shteti modern?

– Le të festojnë anë e mbanë Shqipërisë. Nga larmia dhe pasuria e festimeve gëzon gjithë populli, që është prodhuesi i pavarësisë. Çdo politizim i festive kombëtare dhe çdo deformim politik i historisë shpreh injorancë, posesivizëm dhe egoizëm politik. AK-ja ka vendosur ta festojë 100-vjetorin e pavarësisë pikërisht atje ku projekti i Rilindësve të mëdhenj ngeli përgjysmë. Pikërisht, atje ku sot ku projekt ka shansin historik të realizohet- në kufirin Shqipëri-Shqipëri. Le të jetë festimi i AK-së ringritja e ëndrrës së Rilindësve dhe bashkëkohësve tanë për bashkimin e pashmangshëm, plotësisht legjitim dhe Evropian midis Shqipërisë dhe Kosovës. Këto dy shtete çdo gjë i bashkon. Këto dy shtete asgjë nuk i ndan. AK-ja do qëndrojë si një urë për realizimin e projektit për bashkim Shqipëri-Kosovë. Le të nisë ky projekt me rastin e 100 -vjetorit të Shtetit Shqiptar e të përfundojë me krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, që përbën strategjinë unike dhe afatgjate të AK-së.

– Debatet dhe çështjet e brendshme të PD-PS, a mund të kushtëzojnë, vonojnë apo pengojnë plotësimin e tre parakushteve  për statusin kandidat të Shqipërisë?

– Mundet jo, mundet po. Këto dy forca politike, ose këto dy bastione të konfrontimit permanent kanë dhënë prova se dinë të bashkëpunojnë, por dinë edhe të dështojnë së bashku. Shpresoj që mesazhin e Sekretares Klinton kur theksoi se, “interesi partiak duhet të vihet mbrapa interesave kombëtare dhe kjo është detyra e udhëheqësve demokratikë”, të jetë lexuar e kuptuar mirë nga liderët e PD dhe PS. Por, mbi të gjitha dëshiroj që të respektohet prej tyre në rastin e tre detyrimeve të fundit për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE.

– Mesazhi që dha Zonja Klinton, dje në Tiranë, ishte qartësimi i domosdoshmërisë së bashkëpunimit midis të gjithë faktorëve politikë për të realizuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Familjen Europine. Keni ndjesinë se ky mesazh është konceptuar drejt nga klasa jonë politike?

– Kjo ngelet për t’u parë. Shqipërisë nuk i kanë munguar mesazhet, mësimet dhe madje as ndihma e jashtëzakonshme e politikës Amerikane. Por, klasa politike shqiptare nuk është treguar e kulturuar, e ndërgjegjshme, e përgjegjshme, e qartë dhe e vendosur për të respektuar parimet, vlerat, mësimet, këshillat apo madje as ndihmën e aleatit tonë të madh, SHBA-të. Shpresojmë e dëshirojmë që në këtë përvejtor të madh, klasa politike shqiptare, ashtu siç do përulet me respekt përpara veprës së etërve themelues të pavarësisë së Shqipërisë, do të dijë të përulet me po kaq respekt edhe përpara etërve themelues të demokracisë më të madhe në botë – SHBA-ve.

-Ju faleminderit!