Liderët botërorë mesazhe urimi Metës për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka marrë mesazhe të shumta urimi me rastin e 105-vjetorit të Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, nga homologë e Krerë Shtetesh të vendeve mike të Shqipërisë.

Presidenti Italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij të urimit shpreh ndër të tjera se: “Takimi i frytshëm dhe intensiv që kemi pasur me rastin e vizitës suaj të fundit në Romë, ka konfirmuar më tej statusin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis vendeve tona, forcën e lidhjeve të miqësisë dhe të afërsisë që bashkojnë popujt tanë dhe mbështetjen e fortë të Italisë në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Po ashtu, Presidenti Gjerman, Frank-Walter Steinmeier thekson në mesazhin e tij se: “Të jeni i sigurt se, Gjermania do të vazhdojë të jetë e angazhuar si vend mik dhe partner në krah të Shqipërisë, në rrugën e saj të Bashkimit Evropian”.

Ndërsa, Presidenti i Greqisë, Prokopios V. Pavlopoulos, shpreh ndër të tjera në mesazhin e tij të urimit, mbështetjen afatgjatë të Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë shpreh: “vendosmërinë dhe gatishmërinë për t’i promovuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe në dobi të dy popujve tanë dhe të të gjithë rajonit”.

Një mesazh urimi vjen dhe nga Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i cili ndër të tjera shkruan se: “Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kinezo-shqiptare dhe dëshiroj të bëj përpjekje bashkë me Ju për nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve miqësore midis Kinës dhe Shqipërisë, që t’u sjellim më shumë të mirën dy vendeve dhe dy popujve tanë”.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovi?, thekson ndër të tjera në mesazhin e saj se: “Republika e Kroacisë si mike dhe aleate e juaja, mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme për të vijuar të japë ndihmë dhe transferojë njohuri dhe eksperiencë nga proceset e saj të integrimit evropian”.

Mesazhe urimi Presidenti Meta ka marrë edhe nga Perandori i Japonisë Akihito, Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, Mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf R, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Indisë, Ram Nath Kovind, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, e shumë homologë e personalitete të tjera evropiane e botërore.

Mesazhe të shumta vijojnë të mbërrijnë në këtë përvjetor të shënuar të Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar.