Librazhd, Rira: Program konkret ekonomik për rritjen e punësimit

468
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Përrenjasit znj. Miranda Rira ka vijuar takimet me banorët e këtij qyteti dhe rrethinave të tij. Gjatë fjalës së saj Rira, theksoi se ajo ka hartuar një program konkret ekonomik që do të bëjë të mundur uljen e varfërisë, rritjes së punësimit dhe shërbimeve.
“Gjatë gjithë kësaj kohe së bashku me stafin tim kam qenë në shumë fshatra në shumë lagje dhe jam njohur me shumë probleme ekonomike, varfëri, papunësi, pa shkolla, pa çerdhe, pa rrugë, pa ujë, ndaj dhe ne për këtë arsye kemi një program të qartë ekonomik që do të zbatohet hap pas hapi ku do të çojë në rritjen e punësimeve dhe uljen e varfërisë. Katjeli është një zonë kodrinore, që do të thotë bujqësia është kryesorja. Do të të mbështesim bujqësinë me grande falas për të gjithë ata që duan të investojnë në vreshtari, blegtori, të gjithë ata që duan të ndërtojnë një baxho për grumbullimin e produkteve. Do të ndërtojmë një park autobusësh ku linjë do të ketë dhe për këtu në Katjel. Si grua që jam do të punësojmë gratë duke hapur biznese fasone. Do të vëmë në jetë shkollën profesionale për të gjithë të rinjtë që do të marrin një profesion dhe më pas të punësohen. E pranova këtë sfidë për të ardhur në vendlindjen time për të qenë krah jush dhe në shërbimin tuaj 24 orë në ditë. Ju jap fjalën se do t’ju pres në zyrën time dhe jo nëpër kafenetë e qytete. Pra, ne kemi një platformë të qartë ekonomike ku dhe të ardhurat e bashkisë do të jenë edhe më të mëdha dhe do t’i përkthejmë më shumë investime si në infrastrukturë, në ujësjellës-kanalizime ku në disa raste urgjence do të ndërhyjmë që në 6-mujorin e parë”, u shpreh Rira.
Ajo shtoi se 21 qershori është dita kur qytetarët e Përrenjasit duhet të vendosin për më shumë punësim dhe shërbime për ta. “Unë kam marrë këtë sfidë dhe jam e vendosur për ta çuar deri në fund për të rritur mirëqenie e qytetarëve të vendlindje time dhe jo thjesht për ta marrë bashkinë. Ndaj unë ju kërkoj që ta shihni programin tim dhe më pas të më votë besoni të më vinë në provë se çfarë jam e zonja të bëj. Nëse unë mbas datës 21 nuk filloj të përmbush të gjitha ato që kam premtuar, atëherë ju keni të drejtën që të më kërkoni llogari për të gjitha. Ndaj dhe një herë do doja shumë që të zgjidhni drejtimi e duhur për Përrenjasin që të gjithë bashkë t’i japim atij atë çfarë meriton”, përfundoi Rira.
Sigal