Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim në Korçë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë

267
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim në Korçë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të kësaj force politike.

Përveç kandidatëve për deputetë i pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se është koha që të rinjtë të flasin dhe të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e Shqipërisë.

“Ka ardhur koha që të mos flasin të tjerët për të rinjtë, por ata të flasin dhe të vendosin vetë. Të rinjtë janë gjithçka për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Korça është qyteti i arsimit, është qyteti i dijes, është qyteti që bën çdo gjë për një të ardhme të ndritur për fëmijët dhe për të rinjtë”, – tha z. Meta.

Kandidati për deputet, Edmond Panariti, duke marrë fjalën në këtë takim tha se LSI-ja është forca më solidare që bën më shumë për njerëzit dhe që meriton mbështetje.

“LSI-ja është një forcë solidare, një forcë që bën pas njerëzve dhe pranë njerëzve dhe një forcë që meriton sigurisht edhe mbështetjen e tyre. Këtë votuesi, populli shqiptar, e ka kuptuar dhe do të na japë një mbështetje historike”, – u shpreh Panariti, teksa theksoi e në programin e LSI-së bujqësia do të ketë një mbështetje financiare dhe vëmendje shumë më të madhe që premton zhvillim.

“Ne kemi një vizion, kemi një program për fshatin. Ne do t’i japim fermerit pesë herë më shumë mbështetje financiare nga ajo që ai ka marrë deri tani. Pesë herë më shumë, sepse jemi të bindur që bujqësia, zhvillimi i saj, zhvillimi i fshatit mbetet një prioritet absolut i programit tonë ambicioz. Ne do ta nxisim, do ta zhvillojmë bujqësinë, do ta lidhim atë me tregun, do ta bëjmë atë që të jetë konkurruese dhe fituese”, – deklaroi ndër të tjera kandidati për deputet i LSI-së, Edmond Panariti.

Ndërsa, kandidatja tjetër për deputete e LSI-së, Brunilda Paskali, tha LSI-ja është forca që duhet votuar sepse ka në fokusin e saj gratë dhe të rinjtë.

“Duhet të votoni LSI-në sepse është forca që ka në qendër të vëmendjes gratë dhe të rinjtë. Duhet të votoni LSI-në sepse gruaja është në qendër të vëmendjes së saj. Të forcosh një grua ke forcuar familjen, ke forcuar shoqërinë. Duhet të votojmë LSI-në, sepse LSI është një shans për të gjithë”, – deklaroi Brunilda Paskali.