Lëvizja Rinore për Integrim organizon takim me të rinjtë e Durrësit, diskutohet Matura Shtetërore

657
Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi: Do të vazhdojmë ta ndjekim këtë kauzë së bashku

Kërpaçi: Gjithsecili prej jush meriton shanse për një edukim më të mirë

Kërpaçi: Duhet një edukim që nuk rëndon familjet tuaja ekonomikisht

Kërpaçi: Edukim që ju mundëson të ndiqni ëndrrat tuaja
Lëvizja Rinore për Integrim zhvillon një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit ku u diskutua lidhur me Maturën Shtetërore. Të pranishëm në këtë takim ishte Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj etj.

Duke diskutuar për rëndësinë që ka arsimi universitar dhe matura shtetërore, kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi theksoi se forumi rinor i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të vazhdoj të mbështes të rinjtë për një arsim sa më të mirë. 

“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë kauzë, por do të vazhdojmë së bashku. Do të vazhdojmë së bashku, sepse gjithsecili prej jush, dhe gjithsecili prej nesh, të gjithë të rinjtë durrsakë meritojnë shanse. Meritojnë shanse për një edukim më të mirë, dhe realisht meritojnë shanse për një edukim të qetë një edukim që ju të ndiqni ëndrrat, pasionet tuaja dhe një edukim që nuk u rëndon familjet tuaja ekonomikisht, por një edukim që ju ofron paqe qetësi dhe ju mundëson juve që të ndiqni ëndrrat ato që ju keni ëndërruar gjatë gjithë jetës tuaj”, – tha kryetarja e LRI-së.

Ndërsa, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, theksoi se propozimet e bëra nga Lëvizja Rinore për Integrim për përmirësimin e Maturës Shtetërore janë marrë në konsideratë nga Ministria e Arsimit gjë që do të sjellë një përmirësim të procesit të Maturës Shtetërore. 

“Ne ishim në një mbledhje të komitetit të maturës shtetërore për të marrë dhe për të vlerësuar të gjitha kërkesat e LSI-së, sidomos LRI-ja ia prezantoi ministrisë që 18 pikat që paraqiti LRI, pothuajse të gjitha pikat janë pranuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në zgjidhjen e tyre”, – tha znj. Malaj.

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, në fjalën e saj përpara të rinjve durrsakë tha se arsimi është një çështje mjaft e rëndësishme për LSI ndaj kjo forcë politike punon për përmirësimin e procesit arsimor.

“Unë e kam bindje personale, që sidomos me arsimin nuk mund të bëhet politik. Është një investim që bëhet në afatgjatë, që frytet e një pune të mirë i merr në vite, por ama i merr në të mirë të Shqipërisë. Për ne çdo ëndërr e juaja është ëndërr për Shqipërinë prandaj kjo ëndërr duhet bërë realitet”, – u shpreh deputetja e LSI-së.

Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka nënvizoi në fjalën e tij se rinia është ajo pjesë e shoqërisë që mund të përmirësoj politikën qeverisëse në vend duke i bërë ftesë të gjithëve që të angazhohen me idetë dhe me energjinë e tyre.

“Të kesh ambicie të bësh për vete, të bësh për familjen të bësh për qytetin është një gjë shumë e rëndësishme. Durrësi ka nevojë shumë për ju. Përfaqësoj forcën politike që e do qytetin e Durrësit më shumë nga kushdo tjetër. Dëshiroja t’ju kisha pjesë të ekipit, sepse kemi shumë nevojë për ju, për mendimet tuaja, jemi shumë të hapur që në çdo moment t’i diskutojmë hapurazi”, – tha z. Koka.
Sigal