Lëvizja Rinore për Integrim organizoi Konventën Zgjedhore në Burrel

468
Sipas parimit një anëtar një vote, Lëvizja Rinore për Integrim e Burrelit zgjodhi në Konventën Zgjedhore të mbajtur në këtë qytet Fjoralba Krikun si kryetaren e re të këtij forumi. Në aktivitetin e zhvilluar në Burrel, qindra të rinj, anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së me mjaft entuziazëm, energji dhe besim shprehën mbështetjen e tyre për kandidatët që garonin për kreun e LRI-së Burrelit.  Në fjalën e saj përshëndetëse gjatë Konventës, Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi falënderoi të rinjtë për mbështetjen dhe shprehu angazhimin për të punuar me qëllim zgjidhjen e problemeve që kanë të rinjtë. 

“Unë dua t’ju falënderoj shumë edhe për mbështetjen dhe për besimin që më dhatë në Konventën Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim duke më zgjedhur dhe si kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim. Në Konventën Zgjedhore të Lëvizjes Rinore për Integrim, ashtu siç edhe ju ishit pjesë, ne diskutuam dhe miratuam edhe programin e LRI-së për vitet 2016-2020. Çështje të ndjeshme për të rinjtë jo vetëm për të rinjtë këtu, por për të rinjtë në të gjithë Shqipërinë, janë arsimi, punësimi, rritja ekonomike, përfshirja sociale e shumë e shumë ndjeshmëri të tjera të cilat ashtu si unë që jam studente, por edhe ju i hasni dhe i ndjejmë çdo ditë në përditshmërinë tonë”, – tha Kërpaçi.

Kërpaçi theksoi se tashmë është është koha për të diskutuar bashkërisht për reformat dhe politikat rinore. “Rinia meriton gjithashtu një Shqipëri me rritje te qëndrueshme ekonomike dhe me resurset që ne kemi në njerëz, tani është koha që ne të ulemi të gjithë së bashku të diskutojmë reformat, të diskutojmë politikën rinore. E kemi nevojë për ju. Vërtet kemi nevojë për ju që të na thoni se cilat janë problematikat, kemi nevojë për ju të na thoni që këtu në rrethin e Matit në Burrel dhe kudo ka nevojë për qendra rinore, ka nevojë për më shumë hapësira për të rinjtë”, – shtoi ajo.
Kryetari i LSI-së në Burrel, Agim Hysi u shpreh se LSI-ja dhe rritja e saj është e qartë dhe se misioni i saj plotësohet duke pasur një organizatë rinie të fuqishme dhe të mirëorganizuar.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është e qartë, rritja e saj dhe misioni i saj plotësohet duke pasur një organizatë rinie të fuqishme dhe të mirëorganizuar, duke pasur një organizatë më të mirëorganizuar dhe më përfaqësuese. Dhe sëbashku do të bëjmë kolonën kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila ka marrë përsipër që ëndrrën evropiane të shqiptarëve, të nisur nga idealisttë e viteve ‘90, përfaqësuesi kryesor i së cilës është edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është edhe z. Ilir Meta, ta mundësojmë këtë t’u rikthejmë besimin shqiptar”, – tha Hysi.
Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së LRI-së, Ira Vejsiu vlerësoi procesin e votimit dhe përkushtimin e të rinjve të Burrelit për të zgjidhur problematikat që kanë të rinjtë dhe për t’i dhënë zgjidhje. “Sot ju ndodheni në një proces shumë të rëndësishëm. Jo vetëm për të zgjedhur kryetaren e re të Lëvizjes Rinore për Integrim të Matit, keni arritur që të përçoni zërin e çdo të riu të rrethit të Matit, zërin e të gjithë të rinjve shqiptarë për problemet që kanë që ne t’i zgjidhim në mënyrën e duhur”, – tha Ira Vejsiu.
Sigal