“Lëvizja Nano”, PS drejt përçarjes së madhe

2074
Sigal

Fushata/ Ish-lideri i Partisë Socialiste ngre strukturat në shtatë rrethe të vendit dhe bën për vete katër kryetarë bashkish të mëdha

Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, pas dështimit në garën për President, i është futur seriozisht punës për t’u kthyer fuqishëm në politikë. Dhe këtë po e bën me mbështetësit e tij që janë jo të paktë në opozitë. Pasi e pa që e djathta në pushtet e la në baltë, por edhe ish-partia e tij dhe opozita nuk e mbështeti, Nano ka zgjedhur të vetmen alternativë: Të rimarrë partinë që e ka kryesuar dikur dhe të hyjë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm si një forcë politike serioze për të marrë pushtetin. Dështimet e PS-së nën drejtimin e Ramës për të larguar nga pushteti Berishën dhe këtë maxhorancë që po qeveris me shumë gabime prej më shumë se shtatë vjetësh, ku nuk kanë munguar skandalet dhe korrupsionet e përmasave të mëdha, e kanë shtyrë ish-liderin e selisë rozë të mendojë dhe të artikulojë formësimin e një lëvizjeje për bashkimin e së majtës dhe marrjen e pushtetit në vitin e ardhshëm. Fakti që “Lëvizja Nano” po punon intensivisht pas garës presidenciale për organizimin e saj duke filluar nga baza është mjaft domethënës. Sikurse mësohet nga burime të mirëinformuara, kjo Lëvizje ka marrë frenat në 7 rrethe të mëdha të vendit, duke filluar më Vlorën, Fierin, Sarandën, Durrësin, Korçën, Elbasanin, Beratin dhe pa harruar Tiranën, ku Nano pretendon se ka mbështetjen kryesore politike me një grup të konsoliduar deputetësh që presin daljen e tij në krye të forcës politike të tyre. Ndërkohë, mësohet se kjo Lëvizje do të ketë një rinisje të vrullshme në muajin shtator. Të njëjtat burime thanë se në muajin shtator do t’i bashkohen kësaj Lëvizjeje 4 kryetarë bashkish nga më të mëdhatë në vend që i fituan socialistët në zgjedhjet e 8 majit të vitit të kaluar. Emrat e tyre tani për tani mbahen secret, por premtimi është që në muajin shtator ata do të bashkohen publikisht me Nanon. Organizatorët e kësaj Lëvizjeje që tashmë kanë ngritur strukturat në një sërë rrethesh kryesore ndihen optimistë se kjo është një lëvizje e domosdoshme dhe se është e vetmja mundësi për ta shpëtuar të majtën. Vërtet duket se do të ketë një çarje të madhe brenda Partisë Socialiste, porn ë të vërtetë ata besojnë se kjo do të krijojë koalicionin e fuqishëm opozitar që do të rrëzojë Berishën nga kali i pushtetit. Për këtë të bind fakti se me strategjinë dhe taktikat që ka ndjekur deri tani Edi Rama, i janë larguar një nga një aleatët tradicionalë, sikurse janë PSD, PDS, PSV ’91, PUK e të tjera. Kompromisi i fundit i PS-së me PD-në për Reformën Zgjedhore, jo vetëm i zhgënjeu, por edhe i goditi rëndë këta aleatë, të cilët tashmë thuajse kanë deklaruar shkëputjen nga Rama dhe PS-ja që ai drejton. Nga ana e tij, Fatos Nano është më i zhdërvjellët në komunikime dhe në arritjen e kompromiseve me aleatët, ndërsa shtatë vjetët e mënjanimit të tij nga politika i kanë dhënë kohën e mjaftueshme për të reflektuar. Por, të mos harrojmë se në gjirin e PS-së ka nisur një tollovi e madhe me FRESSH-in, ku po largohen në mënyrë demonstrative dhe jo demokratike kryetarët e socialistëve të rinj nëpër rrethe që mendojnë ndryshe nga Kryetari Rama. Këta besohet se do t’I bashkohen shumë shpejt Lëvizjes Nano. Prandaj dhe Nano, duke parë gjithë këto zhvillime në PS dhe në opozitë, duket se nuk e fsheh optimizmin për të ardhmen e Lëvisjes së drejtuar prej tij. E kuptojnë apo jo këtë “rrezik” për PS-në në selinë rozë, kjo është tjetër punë. Madje Nano uron që të mos e kuptojnë, ose ta ndiejnë sa më vonë këtë rrezik.