Levan – Vlorë, vjedhje e hapur në mes të ditës në interes të oborrit të pushtetit

2478
Sigal

Rasti i autostradës Levan Vlorë është më i paimagjinueshmi për nga mënyra se si është menduar të vidhen fondet, në një kohë kur punimet janë drejt përfundimit, në një rrugë që duhet të ishte bërë e shfrytëzueshme që para 3 vjetësh. Në një kohë kur bizneset janë më në vështirësi se kurrë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë falimentuar ose janë drejt falimentimit, në kushtet kur ato vazhdojnë të mos paguhen nga shteti për punët e kryera, zbulohet një mënyrë tjetër grabitjeje, fare origjinale, dhe që nuk pretendon vetëm 30 % të financimit të tenderëve, siç ka ndodhur e ndodh rëndom me firmat që marrin pjesë në këto konkurse, por një grabitje të pastër prej 100 % të masës së financuar, me përllogaritje e argumente qesharake. Është fare e thjeshtë: Shpall fituese kompaninë e preferuar me të cilën i ndan lehtësisht paratë, duke i sugjeruar që të paraqitet me një ofertë minimale në raport me të tjerët, mbyll një sy kur vjen puna për respektimin e afateve ose cilësinë e punimeve dhe, pak para prerjes së shiritit, për herë të 3-të apo të 4-t, i këput një shtesë financimi të projektit, i cili shkon si fitim i pastër për t’u ndarë midis hajdutëve. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për vlera e përqindje të vogla në raport me çmimin e tenderit të fituar, por për mbi 40 % të çmimit fillestar,siç ndodhi me rastin e autostradës Levan – Vlorë që diskutojmë sot, ku nga 42 milionë euro me të cilin kompania fitoi tenderin, kostoja reale e 24 km rruge shkoi papritur në rreth 60 milionë euro. Lëvizja dhe qarkullimi i banorëve të zonës dhe pushuesve të shumtë, që nga hyrje – dalja e Fierit, aksi Fier – Levan, tërësisht jashtë standardeve për një rrugë nacionale, si dhe e ashtuquajtura autostradë Levan – Vlorë, e hapur vetëm në një kah të lëvizjes është kthyer në një ferr të vërtetë për ata që e marrin vendimin për të udhëtuar.  Kjo rrugë, si shumë objekte të tjera në Shqipëri, është tipike një rrugë elektorale. Është inauguruar fillimi i punimeve para zgjedhjeve vendore të vitit 2007 në një fushë të hapur me praninë e një grushti njerëzish, ku vetëm dy kamionë dhe një ekskavator bënin paradë, si në kohën e komunizmit, para kryeministrit me gërshërë në dorë. Rruga duhej të përfundonte në vitin zgjedhor 2009. Po ashtu nuk ekziston asnjë aks rrugor pa probleme, me standarde bashkëkohore teknike, ku të jetë e organizuar mirëmbajtja dhe kontrolli i sigurisë në rrugë. Për fatin e keq, vendi ngjan me një trup me gjymtyrë të prera e bark të çarë, me zorrë përjashta e arterie të shkëputura në pritje të dorës së një kirurgu për ta rikthyer në jetë.  Sot, mazhoranca kërkon të legjitimojë nëpërmjet votimit shtesën e financimit edhe të mbi 40 % të kostos fillestare të kësaj rruge, me argumentet më absurde, deri te kërkesa për sistemimin e diferencave që vijnë nga inflacioni në tre vitet e fundit, në vend që firma zbatuese të përgjigjet me penalizime për vonesat në dorëzimin e veprës, për dëmin ekonomik dhe moral që i ka shkaktuar vendit dhe njerëzve nga mosshfrytëzimi në kohë i kësaj rruge.

Boks

Skandali i financimit të rrugës Levan-Vlorë, drejtësia hesht

Skandali i financimit të rrugës Levan Vlorë qëndron në atë që në tenderin e zhvilluar, shumë kompani u tërhoqën, pasi nuk mundeshin me fondin e 42 milionëve të jepnin projektim më të mirë. Derisa kompania që e mori përsipër me këtë fond,  duhet të paguajë ajo të gjitha gabimet llogaritëse, ose t’i paguajë ajo kompani që e mori tenderin. Në të kundërtën, shteti duhet të kishte organizuar një tender të ri, me shtesën e përllogaritur nga gabimet e preventivave, dhe jo shtesa e 18 milionëve t’i jepet kompanisë që e mori tenderin me shumën fillestare. Përse nuk ndërhyn prokuroria për këtë shkelje të ligjit? Skandali vazhdon edhe me lidhjen e kontratave nga kompani të caktuara, pa u ratifikuar buxheti. Dhe së fundi, si ka mundësi që shtesa e 18 milionë euro të ratifikohet kur kanë mbaruar 99 % të punimeve? Po sikur të mos ratifikohej shtesa, kush do t’i paguante milionat? Këto pyetje duhet t’u përgjigjet drejtësia shqiptare, duke vënë para akuzës përgjegjësit e skandalit!