Letra e shtatë për demokratët/Rama, votuesve të PD: Në listën e zezë të SHBA e BE kush prek zgjedhjet

410
Sigal

Ndryshe nga 6 letrat e para e 7 letër e kryeministrit Edi Rama nuk i adresohet kreut të PD Lulzim Basha por mbështetësve të së djathtës

“Bashkëqytetarë demokratë, sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvajtjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian”, shkruhet nw letwr.

“Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike” thotë Edi Rama.

“Çfarë tregojnë anketimet e pavarura të bëra nga miqtë tanë ndërkombëtarë, shumica e demokratëve nuk mbështesin as djegien e mandateve, as dhunën e ushtruar në protesta dhe as bojkotin e zgjedhjeve nga ana e udhëheqjes suaj. Gjithsesi, juve as ju pyeti kush për këto vendime politike ekstreme dhe politikisht vetëvrasëse, as nuk është qëllimi im këtu t’ju them çfarë duhet të bëni me udhëheqjen tuaj, e cila ka humbur shikimin pasi s’di të shohë përtej hundës së vet”, thotë Rama nw letrën e tij.

Edi Rama u thotë mbështetësve të PD se  zgjedhjet e 30 Qershorit edhe pa opozitën janë demokratike.

“A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën? Përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike. Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita? Imagjinoni për një moment sikur zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend të varet nga do apo s’do opozita të bëhen! Mendje të lehta politike e mediatike, kanë rrahur së fundmi shumë ujë në havan, lidhur me sa e tmerrshme qenka të bëhen zgjedhjet pa opozitën dhe sa e thjeshtë qenka, që të shtyhet data e zgjedhjeve meqë s’do opozita!”, vijon shefi i qeverisë.

Kryeministri jep argumentet e tija përse nuk shtyhen zgjedhjet lokale.

“Kjo s’është punë date apo stine, kjo është punë qëndrueshmërie e themelit të jetës demokratike. Imagjinoni pak sikur të hapej rruga e një marrëzie të tillë jo vetëm qartësisht antikushtetuese, po edhe thellësisht antidemokratike, se çfarë do të ndodhte në zgjedhjet pas këtyre zgjedhjeve, në ato pas tyre dhe me radhë, kur sipas tekave të opozitës së radhës (apo edhe të palës tjetër në qeveri pse jo!) data e zgjedhjeve të kthehej, nga një detyrim kushtetues për ata që duan të zgjidhen, në një lojë politike e kujtdo që nuk do zgjedhje!”, argumenton Rama.

Edi Rama thekson në këtë letër se  çdo zgjidhje anormale në emër të normalitetit demokratik sot, kthehet në bumerang që prodhon anormalitet antidemokratik, për vite me radhë nesër. Nuk harron të paralajmërojë se çfarë i pret ata që do të tentojnë te pengojnë zgjedhjet.

“Është krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Po jo vetëm kaq, cilido që do të kuturisej të prekte një hallkë të vetme të procesit zgjedhor dhe do të dënohej më pas për krime zgjedhore në Shqipëri, nuk do ta kishte më të mundur të shkelte për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara (do të merrte në qafë edhe familjarët e afërt sipas ligjit përkatës në SHBA) dhe as do të kalonte dot më, kontrollin e kufijve të Bashkimit Europian duke u përfshirë në listën e kompjuterizuar të personave me rekorde kriminale, të cilët nuk hyjnë dot në territorin e Unionit”, vijon Rama.

Betejën politike me udhëheqjen tuaj  thotë Edi Rama në fund të Letrës ne e kemi fituar dukshëm e bindshëm, sa për meritën tonë aq edhe për paaftësinë e asaj udhëheqjeje – ndajeni vetë cila nga të dyja peshon më shumë.