Letra e plotë që përplasi Nasip Naçon me Qeverinë

457
Ish – Ministri i Drejtësisë, përfaqësues i LSI në koalicionin qeveritar, Nasip Naço, i dorëhequr para pak ditësh, ka qenë një nga kundërshtarët e ligjit për shpifjen që penalizon politikanët dhe sidomos përfaqësuesit e medias. Gazeta “Telegraf” ka arritur të sigurojë letrën e plotë që është bërë në 17 shtator 2015 në adresë të znj. Ermonela Felaj Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe z. Ëngjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Pavarësisht se kjo temë është e nxehtë aktualisht dhe që është kundërshtuar nga Këshilli i Europës, OSBE, Departamenti Amerikan i Shtetit, BE dhe nga shumë faktorë vendas, përfshi parti parlamentare dhe joparlamentare, katër shoqata të gazetarëve, përfaqësues të shoqërisë civile, tentativa për të futur një ligj antieuropian ka qenë qysh para dy muajsh.
Letra e plotë
Në përgjigje të kërkesës suaj, dërguar në rrugë elektronike, për dhënie mendimi mbi projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.7895 datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshur”, përmes së cilit propozohet përfshirja e një dispozite të re në Kodin Penal, e konkretisht e nenit 283/a “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur”, parashtrojmë mendimin e Ministrisë së Drejtesisë si më poshtë vijon:
1. Lidhur me ligjshmërinë e firmës së projekaktit, sjellim në vëmendjen tuaj se neni 100, paragrafi 2 i Kushtutës, parashikon se iniciativa për të propozuar akte për miratim në Këshillin e Ministrave, i takon Kryeministrit a po minisrit përkatës sipas fushës së veprimit. Në zbatim të dispozitave të sipërcituara të Kushtetutës dhe ligjit nr. 9000/2003, vlerësojmë se iniciativa e propozuar nga ana juaj duhet të vijohet nga autoriteti që njeh Kushtetuta dhe ligji, pasi propozimi i inicuar nga ana juaj, nuk është brenda fushës së veprimtarisë së parashikuar në VKM nr. 834/2013.

2. Lidhur me propozimin konkret, vërejmë se: a. Është e nevojshme të mbahet në konsideratë nëse propozimi për nenin 238/a është në propocion me nevojën për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Kjo ka qënë dhe një ndër arsyet që me ligjin nr. 23/2012, një ndër nenet me përmbajtje të ngjashme është shfuqizuar në Kodin Penal. Në Republikën e Shqipërisë të drejtat nuk mund të cënohen më tepër sesa e lejon Konventa Europiane. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në një sërë vendimesh në interpretimin që i ka bërë nenit 10 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtavë të Njeriut dhe Lirive Themelore, ka mbajtur qëndrimin se punonjësit publikë duhet të kenë tolerancë më të lartë ndaj kritikës dhe diskutimit në publik, por si minimum nuk mund të kenë të drejta më të larta për mbrojtjen e reputacionit sesa shtetasit e thjeshtë. Për pasojë, nevojiten argumente bindëse dhe vlerësim i kujdesshëm nëse mbrojtja që ofrohet përmes kësaj dispozite është e justifikuar dhe nuk cenon parimin për një mbrojtje të barabartë për të gjithë.
b) Nga ana tjetër, nga mënyra se si dispozita është formuluar, e lidh konsumimin e kësaj vepre penale me qëllimin e posaçëm për atribuimin ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale.
Në këtë pikë, është e paqartë se si do të provohet vërtetësia e çdo pohimi se subjekti pasiv i kësaj dispozite ka kryer një vepër penale, apo jo, për të konkluduar nëse nga subjekti aktiv është konsumuar vepra penale e parashikuar nga neni 238/a që propozohet të shtohet. Do të duhet të provohet vetëm me anë të një vendimi të formës së prerë që tregon se funksionari i lartë shtetëror apo i zgjedhur nuk ka kryer faktin që parashikohet nga ligji si vepër penale? Në këtë pikë, natyrshëm lind dhe pyetja nëse mund të lejohen prova të tjera për të provuar një pohim të tillë. Sa më sipër, jemi të mendimit se dispozita nuk është e qartë, çka do të sillte vështirësi në zbatimin në praktikë.

3. Kur në legjislacionin penal duhet të shtohet një vepër e re penale, janë një sërë elementësh që duhen analizuar paraprakisht: shtytjet e veçanta që justifikojnë propozimin, si interes i fortë publik apo prakika gjyqësore, vlerësim i faktit nëse veprimi është aq i rëndë sa të parashikohet si vepër penale dhe nëse veprimi përthithet apo jo nga legjislacioni penal ezkistues. Në këtë drejtim, nëse do të duhej të shtohej një dispozitë që mbron në mënyrë të posaçme nga shpifja, funksionarët e lartë shtetërorë apo të zgjedhur, pasi konsiderohet se neni 120 i Kodit Penal nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për këto subjekte të posaçme, parashikimi duhet të paraprihet nga analizimi i çështjeve të mësipërme dhe më pas mundtë konkludohet në qëllimin që do të ketë dispozita e re.
Vende të ndryshme europiaane, kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbrojtjes së subjekteve të posaçme nga vepra penale e shpifjes. Disa vende, nuk kanë të parashikuar mbrojteje të ndryshme në varësi të subjekteve. Ka dhe vende të tjera që e ofrojnë një mbrojtje të tillë, si Gjermania, por që nuk kanë të specifikuar në dispozitë qëllimin e posaçëm, që është i vështirë për t’u provuar në praktikë, por ndalen në përcaktimin e detajuar të anës objektive të veprës.
Kështu, Gjermania. në nenin 188 të Kodit Penal, parashikon si vepër penale “Përhapjen e fjalëve dashakeqe dhe shpifjen ndaj personave të përfshirë në jetën politike. Sipas kësaj dispozite, dënohet përhapja e thenieve dashake që e kryer publikisht, në një mbledhje apo përmes shperndarjes së materialeve të shkruara, kundër një proçesi të përfshirë në jetën politike, të bazuar në pozitën e atij personi në jetën publike dhe nëse ky veprim mund ta bëjë aktivitetin e tij publik thelbësisht më të vështirë. Pra, rëndësi në këtë rast, i jepet edhe pasojës që ka ardhur nga kjo vepër penale. Ky model, në vlerësimin tonë, duhet të merret në konsideratë.

4. Në përfundim, sugjerojmë që propozimi juaj të rivlerësohet sa më sipër, duke argumentuar me kujdes arsyet që çojnë në nevojën për parashikimin e një vepre të re penale, qëllimin që do të ketë kjo vepër e re, për të përcaktuar më pas dhe elementët e anës objektive dhe subjektive që duhet të përmbushen për t’u quajtur vepra penalee konsumuar.
Gjithashtu, kjo nismë duhet të kalojë një proces të gjerë diskutimi dhe konsultimi në përputhje me ligjin nr. 9000/2003 dhe me ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, jo vetëm si një detyrim ligjor, por duke patur veçanërisht në konsideratë se neni 240 “Shpifja për shkak të detyrës”, u shfuqizua nga Kodi Penal me ligjin nr. 23/2012, pikërisht me kërkesë të ekspertëve ligjorë të shoqërisë civile, gjatë diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publikedhe të Drejtat e Njeriut.
Sigal