Letra e Kryeprokurorit Llalla: Pse i duheshin ambasadorit Donald Lu, 6 deputetët e lidhur me krimin…

45
U janë hequr viza edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, që po hetojnë persona të cilët janë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë 
Kërkesa e prokurorisë për t’i hequr mandatin 6 deputetëve, që preken nga “dekriminalizimi”, përshkallëzoi konfliktin mes Adriatik Llallës dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu. Në 4 shkurt, të dy u përplasën fort me akuza për shantazh dhe lidhje me krimin, përplasje që krijoi një precedent të konfliktit mes ambasadës amerikane me prokurorinë shqiptare. Në letrën që i dërgoi presidentit, Adriatik Llalla dha dy raste kur u ndje i shantazhuar personalisht nga ambasadori amerikan. Rasti i parë kishte të bënte me çështjen e Bankers Petroleum, një dosje që, siç la të kuptohej Prokurori i Përgjithshëm u mbyll nga presioni i Donald Lu. Rasti i dytë, ishte pikërisht “bomba” që lëshoi dje prokuroria, për heqjen e mandatit të deputetëve Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi. Heqja e këtyre mandateve rrezikon numrat e mazhorancës, në momentin kur pritet të votohen organet e reja të drejtësisë. Sipas Llallës, këta deputetë të lidhur me krimin janë shantazhuar dhe përdoren nga ambasada amerikane për të votuar reformën në drejtësi. “Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu. Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë. Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi” shkruante Llalla. Madje emrat e tyre, u bënë shkak për heqjen e vizës së Rovena Gashit, drejtuese e strukturës së “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.“Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media” shkruhej në letrën që publikoi Adriatik Llalla në datën 4 shkurt. Në të njëjtën ditë që doli lajmi për heqjen e mandateve të 6 deputetëve, ambasadori amerikan takoi deputetët e PS. Sipas lajmit të medias, ambasadori hapi edhe njëherë temën e heqjes së vizave për prokurorët dhe gjykatësit. “Ky ishte një urdhër dhe unë nuk kisha opsione ta zbatoja apo jo. Për njerëzit që u është hequr viza, kishte dyshime se qëllimi i tyre është të ikin nga Shqipëria bashkë me pasuritë e vëna nga korrupsioni, dhe në Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë këtë”, ishin fjalët e Donald Lu, që me këtë rast duket se dha një kërcënim direkt, për ata që po i vendosin shkopinjtë nën rrota për reformën në drejtësi.