Letër KQZ – Totozani: Transparencë për burimin e financimit të partive në zgjedhje

464
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë transparent procesin e burimit të financimit të partive politike në zgjedhje.

Në letrën e tij Totozani nënvizon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore, ka të drejtën gjithashtu në bazë të ligjit të vendosë sanksione kur konstaton shkelje të ligjit dhe përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore.

“Në opinionin e Institucionit tonë, po ashtu dhe të një sërë aktorëve ndërkombëtarë dhe vendas, kontrolli dhe transparenca e financave të partive politike, do t’i jepte fund disa fenomeneve shumë të kritikuara në tërë proceset zgjedhore, si blerja dhe drejtimi i votës, fushatat zgjedhore shumë të kushtueshme, rastet e konfliktit të interesit dhe tendencat abuzive të donatorëve partiakë për përfitime prej fondeve publike, përdorimi i fondeve publike, etj”.

Me qëllim kontrollin dhe verifikimin e burimit të financimit të partive, Avokati i Popullit thotë se do të kishte nevojë për ndërhyrje ligjore në Kodin Zgjedhor.

“Do të donim të sillnim në vëmëndjen Tuaj ushtrimin me rigorozitet të përgjegjësive dhe kompetencave ligjore të KQZ-së lidhur me monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar”.

Avokati i Popullit thekson se do ta ketë në vëmendje të vazhdueshme çështjen e financimit të partive politike, ashtu si dhe kontrollin financiar të tyre nga organet përgjegjëse, si një mënyrë ligjore për të mbrojtur respektimin e të drejtës së votës.

Letra e Avokatit të Popullit
Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individëve, ka ndërmarrë me iniciativë një monitorim lidhur me zhvillimin e fushatës zgjedhore të kryer nga partitë politike, administrimi i procesit parazgjedhor dhe atij zgjedhor në këndvështrimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të të drejtës së votës.

Një ndër çështjet që po merr një vëmendje çdo ditë e më shumë të organizmave ndërkombëtare, ashtu si dhe ato vendase, është burimi i financimit të partive politike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 9, pika 3 e saj vendos garanci të forta mbi ekzistencën e partive politike dhe mënyrën e financimit të tyre, duke parashikuar se burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre, bëhen kurdoherë publike.

Transparenca e financave të partive politike, rregullimi i veprimtarisë së tyre financiare, monitorimi dhe kontrolli i tyre duke siguruar sanksionimin e shkeljeve, është një ndër çështjet që Avokati i Popullit do të sjellë në vëmendjen Tuaj dhe të adresojë këtë shqetësim.Kodi Zgjedhor i vitit 2008, parashikon se një nga kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është ushtrimi i kontrollit mbi financimin e fushatës zgjedhore.

Kodi Zgjedhor vendos një tërësi kriteresh dhe normash për rregullimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, ku një trajtim proporcionalisht të gjerë marrin çështjet financiare të veprimtarisë së partive politike. Përvoja e derisotme, vlerësimet dhe opinionet për kuadrin ligjor, kanë reflektuar një seri problematikash që mund të grupohen në dy kategori të mëdha.

Gjithashtu, financimi i aktivitetit vjetor të partive politike rregullohet me ligjin nr. 8580 datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike”, të ndryshuar. Dispozitat e tij rregullojnë financimin e partive politike nga burimet financiare e materiale, publike e private, të cilat nuk përfshihen në Kodin Zgjedhor. Ligji përcakton kompetencat e kontrollit të financave nga KQZ, rregullat e auditimit dhe përgatitjes së raporteve të rregullta financiare, sanksione për shkeljet dhe mos deklarimin e dhuruesve apo shumave të dhurimit.

Duke mbajtur në konsideratë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore, do të donim të sillnim më vëmendjen Tuaj, zbatimin e kompetencave të parashikuara në Nenin 15/2 të Ligjit nr.8580 datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike” – ndryshuar me Ligjin nr.9542 datë 2.2.2006 dhe me Ligjin nr. 10 374 datë 10.2.2011 për:

a) Monitorimin dhe mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike;

b) Përzgjedhjen e listës së ekspertëve kontabël të liçencuar;

c) Si dhe hartimin dhe miratimin e një sërë formatesh dhe aktesh nënligjore të parashikuara nga ligji në kuadër të kontrollit të financave të partive politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore, ka të drejtën gjithashtu në bazë të ligjit të vendosë sanksione kur konstaton shkelje të ligjit dhe përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore.

Në opinionin e Institucionit tonë, po ashtu dhe të një sërë aktorëve ndërkombëtarë dhe vendas, kontrolli dhe transparenca e financave të partive politike, do t’i jepte fund disa fenomeneve shumë të kritikuara në tërë proceset zgjedhore, si blerja dhe drejtimi i votës, fushatat zgjedhore shumë të kushtueshme, rastet e konfliktit të interesit dhe tendencat abuzive të donatorëve partiakë për përfitime prej fondeve publike, përdorimi i fondeve publike, etj.

Me qëllim kontrollin dhe verifikimin e burimit të financimit të partive, do të kishte nevojë për ndërhyrje ligjore në Kodin Zgjedhor, do të donim të sillnim në vëmëndjen Tuaj ushtrimin me rigorozitet të përgjegjësive dhe kompetencave ligjore të KQZ-së lidhur me monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar.

Avokati i Popullit, do ta ketë në vëmendje të vazhdueshme çështjen e financimit të partive politike, ashtu si dhe kontrollin financiar të tyre nga organet përgjegjëse, si një mënyrë ligjore për të mbrojtur respektimin e të drejtës së votës.
Sigal