Lëmshi në qeveri, ministrat teknikë duhet të dorëhiqen

507
Mbetet e paqartë situata brenda ekzekutivit. Kryeministri nuk i largon dot anëtarët e kabinetit, në mungesë të Parlamentit
Qeveria shqiptare ndodhet në një situatë të pazakontë dhe thuajse të rrëmujshme, një javë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, të fituara nga Partia Socialiste. Shtatë anëtarë të qeverisë, të propozuar nga Partia Demokratike, vijojnë ende të jenë në detyrë, ashtu si disa anëtarë të propozuar nga LSI-ja, që tashmë ka deklaruar se do të jetë në opozitë. Për sa i përket ministrave të LSI-së, marrëveshja Rama-Meta e vitit 2013 skadon zyrtarisht në shtator 2017 dhe ata mund të qëndrojnë në detyrë. Çfarë është e papërcaktuar qartë mbetet pozita e ministrave të teknikë, të përfshirë në ekzekutiv pas një marrëveshjeje Rama-Basha. 

Sipas “Top Channel”, ministrat teknikë të propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha nuk do të qëndrojnë në qeverinë “Rama” deri në fund të mandatit, në shtator. Kur ata nisën detyrën më 22 maj, kryeministri Rama tha se ministrat teknikë do të largohen një ditë pas zgjedhjeve, më 26 qershor. Por, kur Parlamenti është i shpërndarë dhe dekreti për shkarkimin e ministrave do të mbetej vetëm në letër, kryeministri Rama mesa duket ka vendosur të presë që përfaqësuesit e Partisë Demokratike në qeverinë e tij, të largohen vetë. “Top Channel” mësoi se tërheqja e ministrave teknike nga qeveria është vetëm çështje kohe. Burime të mirë informuara konfirmojnë se të 6 ministrat bashkë me zëvendëskryeministren po punojnë për një raport për zgjedhjet e qershorit. Raporti synon të evidentojë në mënyrë të detajuar parregullsitë në zgjedhje, sjelljen e policisë dhe përdorimin e administratës shtetërore. Sipas të njëjtit burim, kur ky raport të jetë mbyllur pas pak ditësh, ministrat teknike do ta konsiderojnë të përfunduar punën e tyre, do të japin dorëheqjen dhe, sipas të gjitha gjasave, do t’ua lënë fuqinë zëvendësministrave. Por largimi i 7 anëtarëve të opozitës nga qeveria “Rama” nuk është vetëm një gjest teknik. Politikisht, largimi i tyre mund të ketë edhe një domethënie politike, se ajo e 18 majit nuk ishte një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Në këtë mënyrë, e vetmja mënyrë për të larguar nga qeveria ministrat teknikë mbetet dorëheqja e tyre. Një shkarkim nga kryeministri dhe dekretim nga Presidenti do të ishin të pavlerë, për sa kohë Kuvendi nuk mund të mblidhet për të miratuar dekretet. Ndërkohë ministrat do të ishin të detyruar ligjërisht të qëndronin në detyrë, deri në mbërritjen e pasuesit. Situata brenda qeverisë mbetet e paqartë, ndërsa ekzekutivi nuk është mbledhur asnjëherë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama prej muajsh të tërë. Këshilli i Ministrave ka miratuar vetëm disa vendime qarkulluese.
Sigal