Lëmshi me hetimin e krimeve të rënda

113
Gjykata e Lartë nuk e ka zbardhur ende vendimin e prillit që vulos kompetencat e Gjykatës së Krimeve të Rënda, derisa të ngrihet prokuroria speciale dhe gjykata përkatëse, që do të hetojnë e gjykojnë edhe zyrtarët e lartë. Ky verdikt vendos për fatin e mjaft dosjeve, të cilat sikurse gjyqtarët kohët e fundit po shëtisnin nga njëra gjykatë në tjetrën. Odisea e dosjeve nga Krimet e Rënda në rrethe e anasjelltas nisi në janar, menjëherë sapo Krimet e Rënda shpallen mos kompetencën duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë që caktonte si kompetencë të krimeve vetëm veprat që gjykon GJKKO, ende të pa ngritur. Por ndërkohë një vendim i dytë i Gjykatës së Lartë saktësoi se duhet të kthehen tek Krimet e Rënda dosjet që kanë qenë nën gjykim prej saj para datës 1 gusht 2017. Mes të tjerash e tillë është edhe çështja që përfaqëson avokat Meçi që në lexim të vendimit të dytë kontradiktor me të parin, u përcoll nga Tirana në Kukës dhe tashmë duhet të kthehet nga Kukësi tek Krimet e Rënda. “Së pari ka krijuar kaos dhe si rregull në lexim, gjykata atje duhet të shpallë prapë mos kompetencën, sepse kemi dy gjykata që shpallin mos kompetencën duhet të shkojë në Gjykatën e Lartë, e cila prapë duhet të shprehet për konfliktin e kompetencave”, tha Vladimir Meçi. Në rastin më optimal duhet që Gjykata e Lartë të thërrasë kolegjet e bashkuara për unifikim praktike, por kolegjet nuk formohen prej 10 muajsh. “Nga pikëpamja kushtetuese, Gjykata e Krimeve nuk ekziston më, kjo Gjykatë nuk ka me emër, ajo nuk ekziston më që prej shtatorit 2017. Do vijë një ditë që edhe këto çështje që po gjykohen do shkojnë në Strasburg dhe Strasburgu do shprehet, se janë gjykuar nga një gjykatë që nuk ishte në parashikimin ligjor”, thotë Meçi.