Lekaj: Kundër çmimit dhe mënyrës së vendimmarrjes

62
Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, u shpreh se në një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, ka diskutuar zhvillimet e fundit në dy vendet tona, me theks të veçantë për çështjen e taksës rrugore. “E ritheksova papajtueshmërinë tonë me çmimin dhe mënyrën se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, që është “Rruga e Kombit”. Po ashtu e diskutuam edhe letrën zyrtare me të cilën i jemi drejtuar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, z. Damian Gjiknuri dhe për mungesën e përgjigjes në këtë letër”, u shpreh Lekaj në një deklaratë pas takimit. Ai shtoi se kishte marrë edhe miratimin e ambasadorit për hapa të rakorduar në të ardhmen. “Ishte dakordim i dyanshëm që hapat e mëtejshëm të bëhen me dakordancë të plotë. Shqipërisë dhe Kosovës si dy vende vëllazërore ju duhen marrëdhënie me influencë pozitive për zhvillimin e gjithëmbarshëm”, nënvizoi ministri Pal Lekaj.