Legalizimet u përdorën për të blerë votat

587
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Eksperti i KiE: Në 2017, lejet e legalizimit u përdorën për të blerë vota

Dash Shehi: Kjo që bëhet në këtë komision parlamentar nga PD-PS, për reformën zgjedhore është një lloj teatri

Në korrik 2018 mbaron afati i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, mirëpo deri tani, asgjë nuk është bërë, për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe 2017-s ky sistem aktual zgjedhor dështoi tërësisht. Së pari, vota nuk përfaqëson vullnetin e elektoratit, derisa PS dhe PD përfitojnë mandatet me një numër shumë më të vogël votash, në krahasim me partitë e tjera. Kështu, në qarkun e Tiranës, PS dhe PD fitojnë mandatet e deputetëve, me 9.000 vota, ndërsa LSI me 18. 000 vota, ndërsa partitë e tjera, mund të marrin në shkallë vendi edhe 20.000- 25.000 vota dhe nuk fitojnë asnjë mandat. Me Listat e Mbyllura, kryetarët e partive futën deputetë edhe persona me rekorde kriminale, sa parlamenti votoi ligjin e dekriminalizimit. Sistemi zgjedhor aktual nuk mund të kontrollojë, të hetojë dhe të dënojë dot shpenzimet elektorale, ku votat shiten dhe blihen.

Partitë kërkojnë domosdoshmërish ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Të gjitha partitë e tjera, përveç PD-PS, qofshin parlamentare, sikurse LSI, PR, PDIU, LZHK, PDK, PBDNJ, por edhe partitë jo parlamentare, kërkojnë me forcë që të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Edhe OSBE-ja ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e Sistemit Zgjedhor. 

Ekspertët e KiE kanë konstatuar, jo vetëm fenomenin e shitblerjen, por edhe mënyrat e blerjes së votës

Dje dhe sot Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore organizon një tryezë bisedimi me ekspertë të huaj. Në këtë takim, Ekspertët e KiE kanë konstatuar jo vetëm fenomenin e shitblerjen por edhe mënyrat e blerjes së votës. Quentin Reed, eksperti i Këshillit Evropian deklaroi: “Shitblerja e votës është një krim që duhet ndëshkuar me ligj, por fillimisht duhet kuptuar pse votuesit e shesin votën e tyre. Nga studimet e bëra në Shqipëri, 20% të shqiptarëve u janë ofruar para për votën, ndërsa 5-6% janë detyruar të marrin pjesë në aktivitete politike në vitin 2017. Shitblerja e votës realizohet në disa mënyra, në këmbim të parave, të mallrave, por edhe me anë të punësimeve në administratë. Gjithashtu edhe kontratat e legalizimit të banesave janë përdorur për të blerë votat”.

Në tryezë, Antonio Corbo një tjetër ekspert e KiE, njëkohësisht këshilltar i Gjykatës së Kasacionit në Itali solli shembull mënyrën e funksionimit të ligjit në shtetit fqinj për ta evituar shit blerjen e votës. Antonio Corbo: “Kandidatët në Itali gjatë fushatës zgjedhore nuk mund ta kalojnë Shumën e 52 mijë euro për shpenzime elektorale, në rast të kundërt atij i hiqet mandate. Gjithashtu, nëse një deputet fotografohet më një apo disa persona të inkriminuar, i zgjedhur nga populli mund të dënohet deri në 6 vjet burg. Ndërhyrja e mafies në zgjedhje është një problem mjaft shqetësues edhe në Itali.”

PS-PD pakt të fshehtë, për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor

Bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi nuk kanë zënë në gojë, nëse PS dhe PD duan të bëjnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, por theksin e kanë vënë vetëm në përdorimin e numërimit elektronik, si rruga e vetme e shmangies së vjedhjes së votës. Disa ditë më para, deputeti Bylykbashi, në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohoi se PD dhe PS kanë arritur në dakordësi për përdorimin e numërimit elektronik, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nuk pranoi të deklaronte asgjë nëse PD do të kërkojë edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Presidenti i OSBE Tsereteli: Të kryhet reforma zgjedhore

Në raportin e OSBE-së për zgjedhjet parlamentare të 2017-s u theksuan rastet kur votat u blenë, kur elektoratit iu bë presion dhe kërcënime, u evidentuan që partitë politike shpenzuan shuma të mëdha financiare, etj. Prandaj, edhe OSBE-ja ka theksuar me të madhe domosdoshmërinë e reformës zgjedhore. Presidenti I OSBE-bë Tsereteli, në vizitën e tij para disa javësh në Tiranë, foli edhe për situatën e ndërlikuar të reformës në drejtësi si dhe probleme me luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar si dhe reformën zgjedhore. Tsareteli“Sapo jam kthyer nga një vizitë në Shqipëri, ku u takuam me të gjithë drejtuesit e vendit dhe me kryetarin e opozitës. Ne pamë një situatë të ndërlikuar me reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Ne besojmë se përveç kësaj, reforma zgjedhore është vendimtare.  

Flasin për “Telegraf”

Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço: LSI do të kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor 

 Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, deputeti i LSI, në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohoi se LSI do të kërkojnë dhe do të këmbëngulë që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor. Deputeti Nasip Naço: Ne, si LSI do të këmbëngulim që në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor. Nuk mund të vazhdojmë më me këtë sistem zgjedhor, që u jep të gjitha privilegjet zgjedhor vetëm PS-së dhe PD-së në dëm të të gjitha partive të tjera, por edhe që deformon vullnetin e elektoratit, pasi vota nuk ka barazi.

Dashamir Shehi: Unë e quaj të dështuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore

Këto mbledhje të Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore më shumë janë për të bërë kulturë, sesa të zgjidhim problemet. Nuk flitet fare për ndryshimin e sistemit zgjedhor, e cila është zemra e problemit. Jemi shumë vonë, sepse deri në korrik e ka mandatin ky komision parlamentar. Unë e quaj të dështuar këtë komision. Nëse PD-ja nuk do ta ndryshojë Kodin Zgjedhor, praktikisht i ka futur një gardh të madh aleancës. Do jetë një gabim fatal për PD-në vetë, të mendojnë që ky sistem elektoral e ka penalizuar PD-në në 2 zgjedhjet e fundit parlamentare. Ky sistem elektoral nuk i bën nder as shqiptarëve dhe as forcave politike. Ky u bën nder vetëm kryetarëve të partisë. Nëse kryetari i PD-së për hir të një pushteti të vockël, për të bërë listën e deputetëve, do ta vërë mbi interesin e madh që ka Shqipëria, për ta ndryshuar sistemin elektoral, duhet ta kuptojë, që do humbasë shumë. OSBE-ja kur thotë që të bëhet reformë, ka parasysh të ndryshohet sistemi zgjedhor, jo thjesht të përdoret numërimi elektronik, sepse kjo është burokracia dhe jo esenca e zgjedhjeve. Kjo që bëhet në këtë komision parlamentar nga PD-PS, për reformën zgjedhore është një lloj teatri, që i vjen fundi.