Legalizimet, Rama: Plotësisht falas. S’ka proces për vetëdeklarime të reja

456
Sigal

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me qytetarët për të dhënë sqarime lidhur me projektin e legalizimeve falas. Në fjalën e tij hyrëse ai u shpreh se, ka shumë paqartësi, por edhe dezinformim për projektin e legalizimeve. Më tej ai sqaroi se nuk do të hapet një proces i ri vetëdeklarimesh, por askush nuk do të lihet i palegalizuar. “Ne nuk do hapim një proces të ri vetëdeklarimesh, por nuk do të lëmë askënd të mbetet i palegalizuar në zonat informale. Me hyrjen në fuqi të ligjit do të përcaktohen zonat informale dhe brenda tyre do të bëhen legalizimet. Kush ka shtuar një kat më shumë do të mirëkuptohet, sepse nuk ka qenë faji i atyre që janë vetëdeklaruar dhe nuk e kanë marrë legalizimin, vetëdeklarime që në vitin 1993, 2005 e me radhë që nuk ka marrë certifikatën. Pra, ne marrim përsipër që shtëpia do të legalizohet siç është në gjendjen aktuale pavarësisht vetëdeklarimit”,- u shpreh Rama. Edhe një herë Kryeministri theksoi se, procesi i legalizimit do të jetë plotësisht falas në të gjitha etapat e tij. “Legalizimi është tërësisht falas. Në rast se do thuash se, pavarësisht këtyre lehtësirave unë nuk i kam lekët, prapë do bëhet legalizimi, prapë do e marrësh certifikatën e pronësisë, por do kesh shumën borxh dhe ta paguash kur ta kesh, nëse vjen pas një viti mund të përfitosh nga ulja me letra me vlerë. Në rast se nuk i paguan pas një viti nuk përfiton ulje. Shtëpia është e jotja mund ta shesësh, mund ta japësh me qira, por e ke bashkë me barrën hipotekore. Procesi i gjithi është falas”. Përsa i përket familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara, Rama u shpreh se, nuk do të paguajnë asnjë gjë edhe nëse kanë ndërtuar në tokë publike apo me pronar. Sipas tij shpenzimet i merr përsipër qeveria. Ndërsa për legalizimin e bizneseve Rama u shpreh se, nuk janë shqetësimi parësor. Ai theksoi se, ato janë në plan të dytë dhe se do legalizohen sipas procedurave aktuale pa pasur asnjë lloj lehtësimi. Më tej ai theksoi se, edhe banesat ku janë planifikuar që të ndërtohen pallate do të legalizohen. Sipas tij, projektet nga qeveria e shkuar janë bërë pasi janë bërë vetëdeklarimet ndaj këto plane nuk do të zbatohen. Kryeministri Rama tha se ,do të ketë ripërcaktim të kufijve të zonave informale pasi ka banorë që kanë ndërtuar në zonat që ende nuk janë përcaktuar nëse janë informale apo jo.