Lefterie Lleshi, zhytet në skandalin e 1.2 milion eurove

475
Sigal

1.2 milionë euro për të marrë me qira disa skanerë të vjetra për fletëvotimet

Të shtunën në Tiranë u bë prova e parë e numërimit elektronik të fletëvotimit. Deri tani, është mbajtur top-sekret edhe nga KQZ-ja edhe nga vetë kompania  spanjolle “Indra”, e cila ka fituar tenderin, vetë mënyra sesi kjo kompani e ka fituar tenderin, por edhe hollësirat e procedurës së numërimit elektronik.

KQZ-ja nuk pranon të japë asnjë të dhënë në emër të dekonspirimit të sekreteve të teknologjisë

Edhe pse ndoqëm nga afër provën teknike të numërimit elektronik të fletëvotimeve, u interesuam të mësonim diçka më tepër, nga ato që pamë, për të kuptuar funksionimin e numërimit elektronik, se cilat do të jenë zgjidhjet konkrete të problemeve që mund të lindin. Mirëpo, nga kompania “Indra”, asnjë përfaqësues nuk dha asnjë sqarim të mëtejshëm, ndërsa zëdhënësja e KQZ-së, na u përgjigj se nuk mund të jepen asnjë sqarim i mëtejshëm, nga ato që pamë dhe dëgjuam zyrtarisht, pasi kompania “Indra” nuk mund të dekonspirojë sekretet e teknologjisë?! Është tallje kjo përgjigje, pasi kompanitë që janë konkurrente nuk mund të vjedhin teknologjinë nga sqarimet që kërkojmë, apo është përpjekje nga KQZ-ja dhe vetë kompania që u zgjodh për këtë numërim elektronik, që të fshehin mundësitë e  manipulimit të mundshëm që mund të bëhet në votime. Askush nuk mund të garantojë se fletëvotimet e shtuara, përtej, atyre që votojnë faktikisht, nuk do të numërohen nga skanerët. Numërimi elektronik bëhet në qendrat e KZAZ-ve dhe jo në Qendrat e Votimit, njëkohësisht me votimin. Përse skanerët të mos ishin në Qendrat e Votimit, që njëkohësisht me votimin,  të bënin edhe numërimin dhe dhënien e rezultatit?

Investimi 1.2 milionë euro për të marrë me qira disaditore disa skaner…

Së pari, aparaturat që do të përdoren në këtë numërim elektronik,  nga kompania spanjolle”Indra”,  e cila e ka fituar tenderin, do të jenë të një teknologjie të kaluar dhe jo bashkëkohore. Kjo, sipas vetë  pohimeve që nuk duan të identifikohen, për shkak se aparaturat bashkëkohore kushtojnë më shumë. Por, duke ndjekur procesin e numërimit elektronik, shumica e volumit të punës bëhet me ndihmën e njerëzve, të cilët janë të shumtë, që bëjnë palosjen  një për një të fletëvotimeve, dhe  duhen 4  vetë për çdo skaner, që të përballojnë kohën. Lind pyetja: Ku është fitimi i kohës, për të justifikuar investimin e 1.2 milionë eurove, vetëm për një Qark,  për aparaturat e marra me qira? Po të shtoje edhe ca numrin e njerëzve  që  të numërojnë fletëvotimin dhe identifikimin njëherësh, ndoshta do të kursenim mijëra euro, por edhe kohën e nxjerrjes së rezultateve, pa qenë e nevojshme të merrnim me qira teknologji të prapambetur të numërimit elektronik. Pasi, nuk kemi ndonjë fitim kohe, siç u pretendua,  derisa kohënxjerrja e rezultatit,  të numërimit elektronik, me aparaturat e një teknologjie të vjetër, është brenda 24 orëve….

Procedura e numërimit elektronik

Fillimisht verifikohet materiali zgjedhor dhe njerëzit bëjnë manualisht vendosjen e fletës së votimit në radhë në të njëjtën anë. Më pas, fletët e çdo kutie votimi futen në skaner, i cili bën edhe verifikimin e vlefshmërisë, lexon rezultatin zgjedhor dhe më pas bën ndarjen e fletëve të kontestuara. Ky proces bën që fleta e votimit të kryejë një proces rrotullimi tre herë në skaner.

 Problemet që lindën nga skanerat e numërimit elektronik

Nëse fletëvotimet janë palosur ndryshe, skaneri nuk i njeh. Në provën e parë, në kushte ideale, 6.000 fletëvotimet u numëruan për 8 orë. Ajo që përbën shqetësimin më të madh, janë fletët e kontestuara. Aparatura kërkon vendosjen e shenjës së votimit brenda kutisë së përcaktuar. Në rast të kundërt ajo e nxjerr atë si kontestuar dhe sipas vendimit të KQZ-së për këto fletë do të vendosin anëtarët e ZAZ-ve. Kështu, nëse njerëzit që shkujdesshëm, mund të bëjnë shenjën e votës, më të madhe se kuadrati, vetë fletëvotimi sipas skanerit del i pavlefshëm, pavarësisht se është i rregullt, sipas rregullave që përcakton Kodi Zgjedhor. Në një Qark, mund të ketë me qindra mijëra votues që nuk mund të bëjnë shënimin në kuadratin e fletëvotimit, atëherë, sipas skanerave të numërimit elektronik të “Indra”. Të gjitha këto fletë duhet të numërohen nga e para me …dorë. Atëherë, ku është fitimi i përdorimit të numërimit elektronik?  Ka edhe skaner që njohin të vlefshme këto, por ato kushtojnë… Përpos fletëve të kontestuara, procesi i numërimit po shfaq edhe një tjetër pengesë serioze. Në kohën kur KQZ-ja mori vendimin për fletën specifike që do të përdoret në Fier, ishin regjistruar për të garuar në 23 Qershor,  42 parti politike. Ndërsa afati s’ka skaduar ende, ky numër ka shkuar në 65 të tilla, çka kërkon ndryshim të konfigurimit të fletës dhe për rrjedhojë dhe të teknologjisë.  Por ajo që nuk dihet ende është se për sa kohë numërimi elektronik bën të mundur rezultatin zgjedhor, në rastin më të mirë, po të përjashtojmë bllokimet nga anëtarët e ZAZ-ve apo edhe ndonjë specifikë tjetër shqiptare, si ikja e energjise elektrike. Burime nga PS-ja për “Telegraf| bëjnë me dije se janë të zhgënjyer nga kjo provë e numërimit elektronik dhe, sipas tyre, nuk ia vlen fare të investohet kaq shumë te numërimi elektronik, siç u prezantua “Indra”, si nga ana materiale, por edhe të shpresojnë se numërimi elektronik do të përballojë kërkesat e votimit në Qarkun e Fierit. Misteri tjetër, identifikimi elektronik, që do të bëhet në Tiranë, po nga kompania “Indra”, ende nuk është zbardhur, për shkak se mbahet top-sekret nga ata dhe KQZ-ja.