Lefterie Lleshi në burg për shpërdorimin e tenderave të miliona eurove

536
Sigal

Drejt  dështimit numërimi elektronik në Qarkun e Fierit. Po kështu, rrezikohet edhe projekti elektronik në Qarkun e Tiranës

Ka më se një vit që KQZ-ja po përgatit projektin e përdorimit të numërimit elektronik në Qarkun e Fierit dhe të evidentimit elektronik të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, me mënyrën më të fshehtë, përgatiti dhe organizoi edhe tenderat për dhënien e zbatimin e këtyre projekteve, pa zbatuar aspak një proces transparent në organizimin dhe dhënien e tenderave. Kaq e vërtetë është kjo, saqë opozita nuk kishte as më të voglën informacion për tenderat, për procedurat që u ndoqën, nuk iu dha asnjë lloj informimi për të njohur elementët e tjerë që kanë të bëjnë me zbatimin e kësaj teknologjie. Çdo mister që karakterizoi zhvillimin e tenderave nga Kryetarja e KQZ-së, u justifikua me moskospiracionin e teknologjisë….thua se opozita politike e Shqipërisë- sipas mendësisë së zonjës Lleshi- na qenka një agjenturë elektronike. Dhe, tymi i këtij procesi jo transparent dhe misterioz i dhënies të tenderave të numërimit elektronik nga Lefterie Lleshi, si kryetare e KQZ-së, i doli tani. Prova e parë teknike e numërimit elektronik, që u zhvillua në mesin e muajit prill, dëshmoi për dështimin e plotë të numërimit elektronik. Kështu që 1,2 milionë euro, që zonja Lleshi i dha kompanisë spanjolle që të zbatojë numërimin elektronik do të shkojnë dëm. Kështu, sipas opozitës, demonstrimi i parë i numërimit elektronik dëshmon se ai është i pamundur të zbatohet, sepse sipas Bledar Çuçit, zv-sekretar për çështjet zgjedhore të PS-së “ ritmet kohore, tre herë më të ngadalta se numërimi manual, janë shqetësuese” Ekspertët e PS-së nuk kanë marrë nga testimi i parë, as sigurinë që kërkojnë mbi rreziqet e manipulimit të votave gjatë përpunimit të të dhënave. Një tjetër çështje që rrezikon dështimin e projektit të Fierit ka të bëjë me fletën e votimit. Në formatin A3 të përdorur nga firma “Indra” mund të vendosen maksimumi 42 parti, ndërsa në KQZ janë regjistruar mbi 60. PS shprehet e hapur për një tjetër test, nëse merren parasysh shqetësimet e paraqitura në raport. Ndryshe ata theksojnë se nuk do ta pranojnë projektin e numërimit elektronik të votave në Fier. Pra për të gjitha këto, dështimi i numërimit elektronik në Qarkun e Fierit është fakt, dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi penale vetë kryetarja e KQZ-së, e cila në mënyrë jo transparente organizoi dhe dha tenderin, duke shpërdoruar 1,2 milionë euro vetëm për numërimin elektronik, pa llogaritur projektin tjetër elektronik në Qarkun e Tiranës, i cili ende mbulohet me misteriozitet nga Lefterie Lleshi, duke mos bindur asnjë që edhe ky projekt do të jetë i realizueshëm.

“Debate në KQZ, Gjonçaj: Po miratoni akt normativ, duhen pesë vota!”

KQZ-ja u mblodh në takimin e radhës ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Në rendin e ditës u shqyrtua procedura e hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletën e votimit. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Genc Gjonçaj deklaroi se ky akt është administrativ dhe për të konsideruar të miratuar këtë akt duhen pesë vota të anëtarëve të KQZ-së. “Nuk mund të shmang dot leximin e dispozitave të Kodit. KQZ-ja është e pamundur të funksionojë me katër anëtarë dhe ky është një rast”, u shpreh Gjonçaj. Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi deklaroi se nuk duhen bërë kërkesa në KQZ që nuk janë në përputhje me detyrën e këtij institucioni. “Është detyra juaj zonja kryetare që të thoni se ky institucion nuk vazhdon dot në këtë mënyrë me katër anëtarë”, theksoi Gjonçaj. Fjala e tij u kundërshtua nga përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, i cili argumentoi se shorti është një akt i thjeshtë dhe jo normativ, dhe miratohet me katër vota. Nëse kjo procedurë do të ishte akt normativ, atëherë në bazë të Kodit do të kërkonte patjetër 5 vota për të marrë miratimin.

1-Partia Lidhja për Drejtësi dhe Progres renditet e para në fletën e votimit
2-Partia Popullore Kristian-demokrate renditet e 2
3-Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane renditet e 3
4-Aleanca për Punësim Mirëqenie dhe Integrim renditet e 4
5-Partia Aleanca Kuqezi renditet e pesta në fletën e votimit
6-Partia Fryma e Re Demokratike renditet e 6 në fletën e votim

Flet për  “Telegraf” Dëshira Subashi, ish-nënkryetare e KQZ-së

Lidhur me debatin që u zhvillua në KQZ, nëse KQZ-ja me 4 anëtarë ka kompetenca që të miratojë renditjen e partive e të koalicioneve në fletëvotimet, ish anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila shprehet se “shorti” është akt me karakter normativ, e kërkon patjetër 5 vota. Dëshira Subashi, thotë: “Shorti” është një rregull që përcaktohet me vendim të KQZ-së, me fuqi juridike në të gjithë vendin. Me këtë argument unë besoj se ky akt bën pjesë në aktet me karakter normativ dhe si i tillë kërkon minimumi 5 vota për t’u konsideruar vendim i miratuar.”

KE, Evans: “Zgjedhjet vendimtare për BE, partitë të njohin rezultatin, KQZ jo politike”

“Të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë përgjegjësi për të punuar në një mënyrë që garanton një funksionim të pavarur të KQZ-së”. Kështu u shpreh raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë Jonathan Evans, sipas të cilit kampet politike në vend duhet të sigurojnë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme. Në një intervistë për “Zëri i Amerikës” , anëtari i parlamentit britanik theksoi se zgjedhjet e 23 Qershorit do të jenë vendimtare për përfundimin ose jo të procedurës së monitorimit të Këshillit Europian si dhe për ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.