Lefterie Lleshi dështon qëllimisht edhe në sistemin elektronik të verifikimit të zgjedhësve

447
Sigal

KQZ-ja është bërë si zyrë mortore e dështimeve të të gjitha projekteve të zbatimit elektronik në zgjedhjet e 23 Qershorit. Pardje përcolli në “varrezat” e dështimit sistemin e numërimit elektronik SEN që ishte projektuar të zbatohej në Qarkun e Fierit, ndërsa dje, Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, përcolli në “varreza” të dështimeve edhe sistemin elektronik të verifikimit të zgjedhësve SEV që do të zbatohej në Qarkun e Tiranës. Ky dështim i zbatimit të projektit elektronik në zgjedhjet e 23 Qershorit, është njësoj, sikur të përpiqesh  të ndërtosh një urë, po meqë projektuesi e ndërton gjatësinë e urës më të vogël se shtrati i lumit, të thuash se e ka fajin ujët e lumit që morën me vete urën, ndaj  nuk mund të ndërtohet ura.

Po t’i referohemi  arsyeve të dështimit, që shkruan vetë KQZ-ja, është e kuptueshme, që ato nuk mund të bindin asnjë, se shkaqet e dështimit janë  objektive, të pakapërcyeshme. Përkundrazi. Lefterie Lleshi në vetë argumentet që parashkruan, për dështimin e projekteve elektronike, që do të zbatoheshin në zgjedhjet e 23 Qershorit, të bind që mungon dëshira e vullneti politik për të zbatuar këto projekte. Sepse, Lefterie Lleshi, si Kryetare e KQZ-së, zbatoi një tenderim jo transparent, duke ia dhënë tenderin një kompanie spanjolle, që, në fakt, u dëftua që është jo kompetente. Por, mbi të gjitha, Lefterie Lleshi shkeli edhe Kodin Zgjedhor, duke mos zbatuar kërkesat që parashikon “Kushtetuta” e procesit zgjedhor, për zbatimin e teknologjisë elektronike në votime, sikurse ishin zbatimi i afateve kohorë të testeve. Lefterie Lleshi, me cilësinë e Kryetares së KQZ-së, lejoi që testet të zhvilloheshin jo në afatet kohore që parashikon Kodi Zgjedhor, duke djegur çdo mundësi për të ribërë sërish tenderimin. Kjo, sërish me qëllim të dyfishtë nga Lefterie Lleshi. Së pari, që kompanisë “INDIRA” që u përzgjodh nga vetë kryetarja e KQZ-së,   iu dha thuajse 90 % e shumës të parashikuar në të dy projektet, për SEN 1 milionë euro dhe SEV 2,4 milionë euro, paradhënie, pa pritur të zbatonte projektet në zgjedhje. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj pohon që PS-së nuk iu bë kurrë transparente ky tenderim dhe nuk iu dha asnjë informacion njohës për kompaninë fituese, duke u justifikuar për mosnxjerrje të sekreteve të teknologjisë. Së dyti, Lefterie Lleshi, nuk donte që të jepej asnjë mundësi e dytë, ndonjë kompanie tjetër, nëse dështonte testi- sikurse dështoi, sepse qëllimi i saj ishte që të dështonte zbatimi i numërimit dhe verifikimit elektronik në zgjedhje. Është kaq ë vërtetë kjo, edhe nga një fakt tjetër, domethënës. Në tenderimin për zbatimin e SEN dhe SEV në zgjedhjet e 23 Qershorit, u afrua edhe një kompani amerikane, e cila me sukses zbaton jo vetëm numërimin dhe evidentimin elektronik në zgjedhje në SHBA dhe në shumë shtete të Botës.  Gazeta “Telegraf”, ka botuar në mars të 2012-s,  intervistën me përfaqësuesin e kësaj kompanie amerikane në Tiranë, Genci Gjoça (asnjë afërsi familjare me Genc Gjonçaj).  Kjo kompani amerikane i ofroi  KQZ-së edhe votimin elektronik, jo vetëm brenda parametrave teknike, duke mos dhënë asnjë mundësi ndërhyrjeje për manipulime në procesin e votimit elektronik, por edhe  me një kosto edhe më të ulët, por, për çudi, ajo u skualifikua nga KQZ-ja. Lefterie Lleshi duhet të mbajë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre, sepse është përgjegjëse  ekskluzive për dështimin e projektit të zbatimit të teknologjisë elektronike të votimeve në zgjedhjet e 23 Qershorit, por edhe  përgjegjësi penale për shpërdorimin e fondeve të këtyre projekteve, edhe pse projekti dështoi.

Mos vallë qëllimi i vetëm i Lefterie Lleshit, si Kryetare e KQZ-së ishte të dështonte me të gjitha mënyrat, zbatimin e numërimit e të verifikimit elektronik në zgjedhjet e 23 Qershorit, për t’i dhënë mundësi atyre që interesohen për manipulime të votave?