Lefteri Lleshi të paguajë dëmin e 1,2 milionë eurove të dështimit të numërimit elektronik

443
Sigal

Dështoi edhe projekti i numërimit elektronik në Qarkun e Fierit. Sipas KQZ-së, ky projekt dështoi pasi kompania që ajo përzgjodhi, INDRA, nuk mundi, pasi sistemi kishte përllogaritur të numëronte një fletë votimi me 42 subjekte zgjedhore, ndërsa realisht figurojnë 67 të tillë. Mirëpo gjithë përgjegjësia  e dështimit është e Kryetares së KQZ-së, Lefteri Lleshi, për shumë arsye. Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, i pyetur nga “Telegraf”, nëse PS-ja ishte e informuar për mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë spanjolle INDRA për të zbatuar numërimin elektronik, u përgjigj: ” Që në fillim të procesit të dhënies së tenderit, nga kryetarja e KQZ-së, nuk u zbatuan rregullat e transparencës. Neve nuk na është dhënë mundësia që të kishim informacionin e duhur për mënyrën ë zhvillimit të tenderit, por edhe më vonë, nga Kryetarja e KQZ-së, nuk u zbatuan kërkesat që parashikonte Kodi Zgjedhor, për ecurinë e zbatimit të këtij projekti. Qëllimisht, u vonuan testi i provës, pa u dhënë mundësia që në rast dështimi, të zhvillohet një tender tjetër. Besoj që gjithë shuma e parashikuar për zbatimin e këtij projekti do të jetë dhënë, edhe pse zbatimi i tij dështoi”.  Pra, Lefterie Lleshi, me cilësinë e kryetares së KQZ-së, nuk tregoi transparencë në zhvillimin e tenderit, nuk kërkoi që të zbatoheshin etapat e provës teknike, sikurse parashikon Kodi Zgjedhor, që të krijonte të gjitha mundësitë kohore e materiale, që të jepej një mundësi e dytë zgjedhëse. Qëllimisht, Lefterie Lleshi përzgjodhi rrugën e dështimit, sepse që në fillim ajo e dinte që numri i partive do të ishte shumë më i madh nga sa mund të përballonte formati i letrës së teknologjisë së kompanisë “INDRA”. Si ka mundësi, që Lefterie Lleshi t’i mirëbesojë kompanisë “INDRA” këtë projekt, kur që në fillim e dinte këtë problem teknik, të numrit të kufizuar të partive që mund të përballonte teknologjia elektornike e kompanisë, së cilës i dha tenderin? Lefterie Lleshi e dha tenderin, sepse, që në fillim, donte që ky projekt të dështonte. Dhe dështimin e justifikoi me këtë pretekst teknik. Por, si mundet që pothuajse gjithë fondi prej 1,2 milionë eurove, t’i jepet kompanisë, kur nuk vendoset klauzola e dështimit? Këto dhe pyetje të tjera, Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, me cilësinë e kryetares së komisionit të tenderimit, duhet t’i përgjigjet edhe drejtësisë shqiptare, për shpërdorim detyre dhe shpërdorim të 1,2 milionë eurove, të harxhuar për një dështim total të numërimit elektronik. Nuk përjashtohet që ky dështim elektronik, të jetë pjesë e qëllimeve të paracaktuara politike.