Lefter Koka: Vendi ynë i ka të gjitha shanset për të zhvilluar një ekoturizëm model në rajon

473
Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit, ministri i mjedisit, Lefter Koka ka dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë qytetarët.

Kjo ditë, nga më të rëndësishmet në kalendarin mjedisor botëror, festohet këtë vit me moton “Biodiversiteti dhe Turizmi i Qëndrueshëm” duke sjellë në vëmendje raportin e drejtë që duhet të ekzistojë midis natyrës dhe zhvillimit.

“Një sektor turistik i mirëmenaxhuar mund të kontribuojë ndjeshëm në reduktimin e kërcënimeve, ruajtjen ose rritjen e popullatave të faunës së egër dhe vlerave të biodiversitetit” është shprehur Lefter Koka duke theksuar se Shqipëria i ka të gjitha shanset për të zhvilluar një ekoturizëm model në rajon, falë bukurive natyrore që ka.

“Sa i takon Shqipërisë jam besimplotë se vendi ynë i ka të gjitha shanset për të zhvilluar një ekoturizëm model në rajon, falë bukurive që natyra na ka falur. Ekoturizmi merr më shumë kuptim në zonat e mbrojtura që në këto katër vite kanë njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm falë politikëbërjes vizionare të Ministrisë së Mjedisit dhe punës së Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura”, është shprehur ministri Koka.

“Kjo ditë ofron edhe një mundësi më shumë për t’u ndërgjegjësuar dhe për të kontribuar në ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit. Më lejoni t’ju kujtoj se edhe kontributi më i vogël i çdo qytetari vlen për bërë ndryshimin.

Të gjithë bashkë kemi shansin për të ruajtur mjedisin përmes një zhvillimi të qëndrueshëm dhe miqësor të burimeve të vyera natyrore që ka vendi ynë” ka vijuar më tej ministri i mjedisit në postimin në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Sigal