Lefter Koka: Kemi gabuar kur jemi bindur në qeveri për disa vendime

588
Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit Lefter Koka teksa ka folur gjatë ditës së djeshme para qytetarëve të Fushë Krujës, ku ka shpalosur vlerat e Partisë që përfaqëson, ka dhënë edhe një mesazh për qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. “Motra e vëllezër, qytetarë të Fushë-Krujës, Krujës, Niklës, Bubqit, Çudhit, Thumanës, ju përshëndes të gjithëve. I nderuar z.President, kam me të vërtetë një kënaqësi të jashtëzakonshme sot teksa shoh këto të rinj dhe të reja të Bashkisë së Krujës teksa bëhen optimistë për të thënë se shqiptarët kanë shpresë për të jetuar në këtë vend. Të nderuar miqtë e mi, unë ju falënderoj shumë në këtë rrugëtim të gjatë të kësaj fushate të lodhshme. Unë do të doja të ndalesha shumë pak në këtë fushatë elektorale, ku dy forcat e ashtuquajtura të mëdha politike tashmë janë në përfundim të asaj fushate qesharake, të bërë për më shumë se 40 ditë. Kemi kërkuar dhe kemi punuar me devotshmëri, qoftë kabineti qeveritar, qoftë me shumë drejtues lokalë të gjithë vendit, por ajo që paskemi bërë të vetmin gabim është që shpesh jemi bindur në disa vendime të gabuara të marra në këtë qeveri. Dhe ndaj sot jemi për t’iu thënë se ne mundemi të vetëm të drejtojmë vendin dhe Shqipërinë në total”, u shpreh Lefter Koka në fjalën e tij. Ai tha se Shqipëria sot ka nevojë për politikanë, të cilët dinë të dëgjojnë dhe jo vetëm të flasin, për politikanë, të cilët të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndërkohë shtoi se të gjithë tashmë e shohin se politika është larguar pothuajse nga qytetarët e saj. “Kemi parë se si administrohet Bashkia e Krujës, Bashkia e Durrësit, kanë thjesht dhe vetëm një lajtmotiv, të qëndrojnë sa më larg qytetarëve të saj. Dhe ne nuk mundemi dot më të vazhdojë kështu. Ndaj miqtë e mi, data 25 është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Është data e ndryshimit të madh për ta bërë Shqipërinë një vend evropian ashtu si e gjithë Evropa. LSI forcë e parë!”, tha Koka
Sigal