“Lazaratizimi” i zonave rurale dhe mbijetesa e fshatarëve të varfër

574
Sigal

Lazaratin e kishin cilësuar “Republika e Canabis”, ngaqë me fajësinë e shtetit, për vite të tëra, fshatarët kultivonin thuajse “të ligjshëm” bimën narkotike cannabis. Madje, kishin llogaritur edhe xhiron financiare e canabis të Lazaratit, e cila, sipas ekspertëve ndërkombëtarë arrinte në 4 miliardë euro, shumë e cila asnjë biznes, sado i madh që ishte, në Shqipëri nuk mund ta konkuronte. Shteti, mbase e mësoi këtë xhiro fitimprurëse të cannabis në fshatin Lazarat, ndaj edhe fshatine fshatarët i kishte fshirë nga çdo interesim publik, duke mos investuar për ata asgjë. Mirëpo, suksesi i policisë së Shtetit në fshatin Lazarat, duke luftuar kultivimin e canabis, la nga pas një rrënojë: Fshatarët tashmë , u zhveshën jo vetëm nga “privilegji” që gëzonin të kishin të ardhura nga kultivimi i canabis, por ata u zhveshën dhe janë braktisur nga shteti edhe nga e drejta e çdo ndihme sociale, investime dhe stimulimi për të jetuar me djersën e ballit, ndershmërisht, sipas ligjeve. Askush nuk mund të pohojë që të gjithë fshatarët e Lazaratit që kultivonin canabis ishin që të gjithë kriminelë, pavarësisht se si kultivues të lëndëve narkotike, ata i dënon Kodi Penal për kryerjen e veprës penale të kultivimit të lëndëve narkotike.

Lazaratizimi i zonave ruruale

Policia e Shtetit ka në sirtarët e saj një studim top sekret, të zonave ku kultivohet cannabis në gjithë Shqipërinë. Është “top sekret” sepse tregon që tashmë kultivimi i cannabis është shtrirë në të gjithë zonat rurale të Shqipërisë. Që me fjalë të thjeshta, është bërë brenda një viti “Lazaratizimi” i zonave rurale të të gjithë vendit. Lajmet dhe buletinet e përdishme të policisë së Shtetit tashmë kanë vetëm lajmin se policia shkul kaq bimë narkotike në Sarandë, në Tepelenë, në Vlorë, në Mallakastër, në Tiranë, në Krujë, në Shkodër, kudo, në çdo zonë rurale. Sipas Kodit tonë Penal, të gjithë kultivuesit e cannabis kryejnë vepër penale, dhe sit ë tillë, nëse kapen ata dënohen. Pyetja është: A janë të gjithë këta kultivues të cannabis kriminelë, meqë kanë konsumuar veprën penale?

Fshatarët që i mbijetojnë varfërisë


Pyetja lind. Përse këtë vit është bërë “Lazaratizimi” i të gjithë zonave rurale të vendit, me kultivimin e lëndëve narkotike? Njëkohësisht, me këtë pyetje, evidentojmë edhe disa tregues të tjerë, që përgjigja të jetë e gjithanshme. Këtë vit, është rritur shumë numri i papunësisë, aq sa 60.000 shqiptarë, kanë braktisur, pikërisht vendbanimet e tyre në zonat rurale të vendit dhe kanë kërkuar azil ekonomik në Gjermani, pa përmendur me mijëra të tjerë në shtetet e tjera të BE. Varfëria po bëhet edhe më ekstreme në zonat rurale, pikërisht sepse mungojnë për vite të tëra investimet, shteti nuk inkurajon fshatarët që të nxitë dhe subvencionojë produket e tyre pubjqësore dhe blegtorale, shteti nuk nxit në zonat rurale, as industrinë përpunuese të produketeve bujqësore dhe blegtorale, por as turizmin aty ku ka mundësi, shteti ka braktisur edhe investimet në infrastrukturën e zonave rurale. Atëhere, fshatari për të mbijetuar varfërisë dhe skamjes, detyrohet nga skamja e mjerimi, që të kultivojë edhe bimët narkotike, pavarësisht rreziqeve të dënimit që përmban Kodi Penal, sepse, tek e fundit, nevoja për të ushqyer me bukën e gojës fëmijët është më i madh nga pasojat e dënimit që parashikohen në Kodin Penal. Jo aq nevoja për të mbijetuar, sesa braktisja nga shteti, e detyron fshatarin në zonat e thella rurale, që të kultivojë cannabis, pa qënë kurrë kriminel. Në këtë rast, mungesa e shtetit për t’u dhënë zgjidhje problemeve të zonave rurale, për të dhënë shpresë te fshatarët, për punësim dhe ndihma sociale, krijon kushtet e përshtatme që fshatari të shtyhet të gjejë zgjidhjen te “Lazaratizimi”, te kultivimi i atyre bimëve që mund t’I sigurojnë të ardhura të mëdha dhe të shpejta, duke marrë parasysh edhe riskun e rrezikut. Zgjidha e problemit, e zhbërjes së “Lazaratizimit” të zonave rurale nga kultivimi i cannabis nuk është ligjësimi i kultivimit. Sepse, nëse liberalizohet kultivimi, do të bjerë edhe oferta e tregut, siç ka ndodhur edhe me kultivimin e çdo bime tjetër, që mund të kultivohet, por që nuk ka të ardhurat që siguron sot cannabis, pikërisht ngaqë është e ndaluar nga ligji. Atëhere, cila është rruga e vetme për të zhbërë “Lazaratizimin” e zonave rurale? Është shteti me politikat e nxitjes së prodhimit dhe përpunimit të produkteve vendase të zonave rurale, të investimeve në infrastrukturë. Zgjidha e deritanishme që kërkon shteti, duke burgosur çdo fshatar që kultivon lëndët narkotike, është acarimi i mëtjeshëm i problemeve sociale, varfërimi edhe më i skajshëm i zonave rurale dhe rritja e pakontrolluar i kriminalizimit për shkak të varfërisë dhe papunësisë.