Largohen nga Moska 2 diplomatë shqiptarë. Reagon Tirana: Duam marrëdhënie konstruktive dypalëshe

606
Hakmarrja ruse, kthehen në Shqipëri 2 sekretarë të ambasadës

Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorët e vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë. Vendet e njoftuara nga Moska për dëbime diplomatësh ishin 23, mes tyre edhe Shqipëria. Selia diplomatike ruse thirri ambasadorin shqiptar në Rusi, Arben Gazioni, për t’i kërkuar sqarime dhe për ta informuar për dëbimet e shqiptarëve. Rusia i kërkoi ambasadorëve të huaj që të dërgojnë në atdhe një numër stafi të barabartë me numrin e rusëve që vendet respektive kanë dëbuar. Rrjedhimisht, Shqipërisë i është kërkuar të kthejë dy sekretarë të ambasadës, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se dy diplomatë shqiptarë në Rusi janë shpallur “non grata”, pas vendimit të vendit tonë për të larguar dy diplomatë rusë pak ditë më parë, në kuadër të sulmit kimik të ndodhur në Salisbury.“Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare. Pak ditë më parë, Shqipëria dëboi dy zyrtarë të ambasadës ruse, pikërisht Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës. Masat e Tiranës u morën në solidarizim dhe mbështetje me Britaninë e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore që dëbuan dhjetëra diplomatë rusë si reagim për sulmin me armë kimike ndaj ish agjentit rus, Sergei Skripal, në Salisbury, ku u lëndua rëndë edhe vajza e tij Julia. Moska i ka mohuar akuzat të ketë dorë në ngjarje dhe tha se po dëbon diplomatët si reagim ndaj veprimeve të gabuara të vendeve perëndimore, por këto të fundit, thonë se Rusia nuk ka justifikim për dëbimin dhe se nuk duhet të sillet sikur është një viktimë e situatës.
Sigal