Largimi nga vendi, Hushi u përgjigjet atyre që e mallkojnë për qëndrimin ndaj vendit

510
Largohet nga Shqipëria tenori i njohur Agim Hushi. Vendimi i tij ka marrë komente të shumta, pro dhe kundër nga ndjekësit në Facebook
Pak ditë më parë tenori i njohur Agim Hushi përmes një statusi në Facebook, lajmëroi largimin e tij përfundimtar nga Shqipëria, duke e argumentuar marrjen e këtij vendimi pasojë e pamundësisë për të jetuar dhe dhënë kontributin e tij si artist. Ai etiketon edhe klasën politike. Por të menjëhershme kanë qenë reagimet e qytetarëve të ndryshëm. Pro dhe kundër tij kanë qenë me qindra reagime. Disa e fyejnë, disa e mallkojnë, të tjerë e konsiderojnë njeri jo të sinqertë. Për të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social, Agim Hushi ka dhënë një përgjigje. I kthen përgjigje të gjithë atyre që i konsideron ziliqarë. Madje thotë se nuk ka aspak frikë të shprehë hapur atë që ndjen për vendin e tij, për të cilin thotë se ndihet keq që e sheh në një gjendje të keqe.

“Është e pabesueshme e gjitha kjo! Nuk mund ta besoj akoma se si një postim personal për miqtë e mi, me dashurinë dhe reagimin e natyrshëm njerëzor të kthehet në një agresion të verbër, ku mungesa e arsyes, smira e zezë dhe instinkte të një gjykimi ballkanik të hedhin baltë mbi një njeri dhe jetën e tij pa asnjë shkak ose për shkakun e vetëm se foli sinqerisht për një klasë politike që po e bënte të ikte atë dhe mijëra bij dhe bija të tjerë. Një shoqëri që nuk ngurron të hedhë baltë vetëm se ka lexuar gazetën, bile arrin deri aty, sa që një “filozof” shkruante se kisha pështyrë atdheun, megjithëse kur e pyeta, ma trego ku e paskam bërë këtë, m’u përgjigj se nuk e kam bërë, një “gazetare” me quan Gimo dhe “len pushimet” pse paskam thënë, që më vjen turp që jam bashkëkombës me hajdutët e popullit tim, paskam bërë tradhti pse më dhemb që populli im është përdorur nga politika! Po të ishte ndryshe kush e mban këtë klasë politike mbi kokë? Ndërkohë mijëra e mijëra mesazhe mbushën inboxin tim me suport dhe dashuri. Nuk gjej fjalë si t’i falënderoj. Por do të doja që dhe ata që ndoqën turmën dhe më “mallkuan”, të rishikojnë me qetësi fjalët e mia dhe ta kuptojnë, se janë fjalë që i thonë shqiptarët çdo ditë. S’do doja kurrë të zhgënjeja njeri por s’më interesojnë fare, pasi gjithë jetën jam ndeshur me ziliqarët, smirëzinjtë dhe njerëzit e lindur me sindromën e tmerrit kur dikush ecën me këmbët e tij dhe prek suksesin! Nuk jam unë natyrisht shkak i vrerit të tyre, as zëri im, nëse braktiset plazhi në Shqipëri apo, sepse kthehem unë të jetoj në Sydney. Ju siguroj se fyerjet e tyre jo vetëm që s’më thyejnë, por më lartësojnë dhe më bëjnë krenar, se vërtet unë vlej…Ndërkohë mund t’ju them se me miqtë e mi të komunitetit shqiptar këtu në Sydney jam takuar me mall dhe me nostalgjinë e miqve 20 -vjeçarë! Familja Ramadani, një familje e shkëlqyer me tradita, këto ditë më ka qëndruar kaq pranë dhe suporti i tyre vëllazëror më ka bërë të ndihem si kurrë më parë krenar për gjithçka kam bërë dhe arritur!”, shkruan Hushi. 
Sigal