Largimi nga detyra, Rovena Gashi rrëzohet në gjykatë

727
Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për sigurimin e padisë së Rovena Gashit ndaj kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Avokati mbrojtës, Çlirim Gjata, bëri të ditur se do të ankimojë vendimin. “Me kompetencë të plotë ligjore nuk kam parë ndonjëherë akt administrativ më të paligjshëm dhe më antikompetent. Është shkarkuar një drejtore e Drejtorisë pa asnjë motivacion”, u shpreh Gjata. Avokati tha se klientja e tij është “liruar pa motivacion nga posti i drejtorit”. “Ka rrezik që as në kohën e Enver Hoxhës të keni shkarkim detyre pa motivacion. As një pastrues nuk mund të shkarkojë kryeprokurorja pa motivacion, jo më një drejtoreshë drejtorie”, nënvizoi Çlirim Gjata. Ndërkohë gjykata pritet të shprehet edhe për brendinë e padisë së paraqitur nga Gashi, e cila ishte lëvizja e parë e drejtueses së re të organit të akuzës. Prokurorja e përkohshme, Arta Marku, pritet të përballet edhe të tjera padi në gjykatë për shkak të vendimeve të saj për të lëvizur disa drejtues prokurorish, në ditët e para të ushtrimit të detyrës. Kryeprokurorja i ka mbrojtur vendimet e saj, ndërsa ish-shefat e prokurorive pretendojnë se ajo nuk ka kompetencë për të vendosur mbi transferimin e tyre. Në këto detyra ata ishin të komanduar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka nisur punën. Jashtë lëvizjeve ka mbetur deri më tani Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton edhe disa nga dosjet më të rëndësishme dhe ndikim të ndjeshëm politik e publik.
Sigal