Largimi i të rinjve, Mehmetaj: Kambanë alarmi! Qeveria, vatër krimi

127

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, theksoi sot në një deklaratë për mediat se të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi po largohen, pasi sipas saj, kjo qeveri nuk ofron më asgjë.

Referuar fotove të publikuara dje në media, ku shfaqeshin të rinj në radhë para Ambasadës Gjermane, Mehmetaj është shprehur se largimi i të rinjve dhe intelektualëve është kambana më e fortë e alarmit që po dëgjojmë.

 

Deklarata për mediat e Nënkryetares së LSI, Kejdi Mehmetaj

Shqipëria po jeton ditët e saj më të vështira pas rënies së komunizmit. Vendi po përjeton një tjetër eksod masiv, si rrjedhojë e varfërisë dhe e mungesës së shpresës. Çdo ditë, dyert e ambasadave bllokohen nga radhë të gjata qytetarësh që duan të largohen me çdo kusht. Serverat e Lotarisë Amerikane bien nga fluksi i aplikantëve që kërkojnë të shohin një përgjigje pozitive.
Sot në mëngjes, kush ka pasur mundësi të kalojë përpara Ambasadëës Gjermane, ka qenë dëshmitar i këtyre pamjeve të trishta. Radhët e gjata të të rinjve dhe të rejave që presin për t’u futur në ambasadë për të marrë vizën, e për tu larguar. Ç’pamje të trishta dhe sa dëshpëruese. Sa dëshpëruese mund të jenë këto pamje për familjet shqiptare, për prindërit e këtyre të rinjve që ndoshta për një kohë të gjatë nuk do të kenë mundësinë ti takojnë fëmijët e tyre në mënyrë të përditshme.
Qindra të rinj dhe të reja, presin me padurim që të largohen. Vajza dhe djem të rinj të shkolluar, e ardhmja e këtij vendi, siç duket edhe në foto, po ikin. Kjo është kambana më e fortë e alarmit që ne mund të dëgjojmë. Profesor, mjekë, inxhinierë, ekonomistë dhe intelektualë të fushave të ndryshme po kërkojnë strehim dhe punësim dyerve të Europës. Sepse Shqipëria e kapur nga krimi në krye të qeverisë nuk ofron më asgjë për ta. Këto janë pasojat kur qeverinë e drejton një njeri që urren vendin e tij, që fokus të punë së tij nuk ka zhvillimin e vendit, por si të përfitojë pa reshtur nga paratë e shqiptarëve dhe si të zgjasë ë pafundësi pushtetin e tij.
Largimi masiv është veprimi i dëshpëruar dhe i detyruar që të rinjtë shqiptarë kanë ndërmarrë përballë kësaj qeverie që ka shkatërruar ekonominë dhe ka mbjellë varfëri. Që ka shkatërruar sistemin arsimor për t’i shërbyer interesave klienteliste. Largimi është rruga e detyruar dhe e dëshpëruar e të rinjve shqiptarë , pasi vendi ynë nuk ofron më asnjë siguri për qytetarët e tij. Përkundrazi, është kthyer në vatër të krimit të organizuar. Largimi në emigracion është rruga që po ndjekin shqiptarët, sepse kjo qeveri punë të ofron vetëm në fushat e kanabisit dhe në bandat e krimit. Institucionet janë kapur kokë e këmbë dhe mbahen peng nga kjo klikë e rrezikshme që drejtohet nga Edi Rama dhe që për qytetarët shërben vetëm dhunë e shkatërrim. Shkatërrim të pronës private, shkatërrim të artit dhe kulturës, shkatërrim të dijes dhe të mendjes.
Unë sot dua t’u drejtohem veçanërisht të rinjve dhe të rejave shqiptarë, të rinjve dhe të rejave të këtij vendi. Është detyra jonë të kthejmë shpresën në Shqipëri. Është detyra jonë të punojmë për vendin e ta ndjejmë sërish Shqipërinë si shtëpinë tonë. Ikja nuk është zgjidhje, reagimi po. Ëndrra që sheh çdo ditë Edi Rama është ikja e të rinjve dhe e mendjes. Shqipëria bosh është fantazia e tij më e shfrenuar. Revolta e qytetarëve është makthi i tij më i madh. Le t’ia bëjmë këtë makth realitet.
Studentët ishin ata që me protestën e tyre madhështore në dhjetor, na treguan e mësuan të gjithëve se ndryshimi vjen vetëm po ta kërkosh e po të luftosh për të. Ndaj të mos e lëmë në mes atë që nisi disa muaj më parë. Të mos largohemi, po t’u bashkohemi protestave për ta ndërtuar Europën këtu në Shqipëri. Faleminderit!