Largimi i Bushatit kur fliste Presidenti Nishani në sesionin e OKB, sherr Qeveri-PD

45

TIRANË- Një akt papjekurie dhe në dëm të imazhit të Shqipërisë është cilësuar dje nga shumë media e faktorë të tjerë, largimi nga salla i ministrit të Jashtëm Didmir Bushati, kur Presidenti Bujar Nishani po mbante fjalimin në sesionin e 69-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, në Tiranë kanë pasuar akuzat e sherret e ndërsjella PD-Qeveri…Gjatë një deklarate për shtyp Ish-kreu i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi, vuri në dukje divergjencat mes qeverisë dhe Presidentit, të konstatuara gjatë sesionit të 69 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara… “Dje ka ndodhur një skandal shumë i rëndë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bojkotuar në mënyrë të turpshme, të pajustifikueshme dhe të paprecedentë fjalimin e Presidentit të Republikës, njëherësh Kryetar i delegacionit shqiptar në OKB.Ndërkohë që Presidenti i Republikës i drejtohet të gjithë vendeve anëtare të OKB-së, duke adresuar sfida që nga lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, deri tek njohja e mëtejshme e Kosovës dhe integrimin Europian të Shqipërisë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë nuk denjon të qëndrojë në sallë në detyrim dhe respekt të vendit dhe postit që ai përfaqëson. Këtë sjellje rrugaçërore, ministri Bushati mund t’ ia kishte kursyer vendit të tij në sytë e të gjithë botës duke cenuar rëndë imazhin e vendit”, shprehet Bumçi.Ai e cilësoi një skandal diplomatik në dëm të imazhit të vendit, e për të cilin kërkoi një reagim të menjëhershëm të Kryeministrit Rama, “nëse nuk është vetë ai urdhëruesi”, theksoi deputeti demokrat. “Nëse ky gjest është rezultat i papërgjegjshmërisë personale të Ditmir Bushatit, atëherë Kryeministri Rama duhet të reagojë pa humbur kohë. Përndryshe është vetë Kryeministri që ka urdhëruar këtë skandal në forumin më të lartë të diplomacisë botërore”. Kryeministri e ka bërë zakon të ankohet për diplomatët shqiptarë, theksoi Bumçi, “por në fakt është ai dhe qeveria e tij që po dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në botë”. Menjëherë pas kësaj deklarate vjen reagimi i Ministrisë së Jashtme, ku hedh poshtë akuzat e PD-së. Në fjalën e saj thuhet se, “: Ministri Bushati gjatë pjesëmarrës se tij në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka pasur një axhendë të ngjeshur diplomatike shumëpalëshe dhe dypalëshe edhe për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare dhe sfidave të sigurisë globale, sikundër faktit që Shqipëria drejton disa nisma rajonale. Gjatë mbajtjes së fjalës së Presidentit te Republikës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri Bushati, së bashku me homologët e vendeve të rajonit, ka marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga Asistentja e Sekretarit të Shtetit amerikan, znj. Viktoria Nuland, takim, i cili identifikoi rrugët dhe instrumentet e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër terrorizmit dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj, si detyrim i krijuar nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, ku Shqipëria është bashkë-sponsorizuese”, -sqaron MPJ. Por edhe pas kësaj deklarate PD nuk ka heshtur duke u kundërpërgjigjur se, “Partia Demokratike i qëndron deri në fund deklaratës së mëparshme, ku dënoi mungesën e ministrit të Jashtëm gjatë fjalës së Presidentit të Republikës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se, z.Nishani nuk ka pasur dijeni për largimin e ministrit Bushati gjatë fjalës së tij. Reagimi i Ministrisë së Jashtme e thellon edhe më shumë skandalin. Jo vetëm se Ministri bojkoton seancën e Presidentit të Republikës në OKB, por edhe gënjen publikisht duke pretenduar se largimi i tij paska qenë i koordinuar”,- thuhet në reagimin e PD-së.