Largimet nga vetingu, plani për të zëvendësuar punonjësit e policisë

652
Pas miratimit në parim të ligjit për vetingun në policinë e shtetit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, paralajmëron largime të konsiderueshme nga kjo strukturë. I ftuar në emisionin “Përballë”, Xhafaj tha se mekanizmat e deritanishëm nuk kanë funksionuar për të shkëputur lidhjet e punonjëve të policisë me krimin. “Një pjesë e mirë e oficerëve të policisë, të tre niveleve që ka policia, nuk do të jenë më pjesë e strukturave të policisë, nëse do të konstatohen si të korruptuar, kanë probleme me integritetin e figurës apo për paaftësi. Kjo e fundit zgjidhet me trajnime. Por nuk mund të qëndrojnë në rradhët e policisë në rastin e dy të parave”, tha ministri i Brendshëm. Largimet nga policia si pasojë e vettngut mund të krijojnë një vakum në këtë strukture, por Ministria e Brendshme ka menduar edhe për shtimin e punonjëve të policisë. “Nëse do të kemi një shifër të lartë të largimit nga rradhët e punonjësëve të policisë, atëherë kemi gjykuar një mënyrë për ta plotësuar këtë vakum, rekrutimin përmes Akademisë, të djemve dhe vajzave që kanë një diplomë në drejtësi, financë dhe degë të tjera të përshtatshme. Duhet të kenë një diplomë master dhe një periudhë 1-vjeçare për t’u rekrutuar si punonjës policie”, tha Xhafaj. Por sistemi i vetingut në radhët e policisë nuk do të jetë i përkohshëm. Xhafaj tha se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të ristrukturohet dhe një degë e tij do të merret vetëm me vetingun e punonjësve të policisë. “Do të ndërtojmë një sistem të detyrueshëm të kontrollit. Vit pas viti oficerët e policisë do të plotësojnë deklarata në lidhje me gjendjen pasurore. E njëjta metodologji që aplikohet në vende të tjera që kanë standard”, u shpreh Xhafaj. Ministri i Brendshëm foli edhe për arsyet që e shtynë në realizimin e procesit të vetingut në polici. “Kishte dy arsye që më bindën për një vendimmarrje të thellë lidhur me çështjen e një reforme të brendshme brenda strukturës së Policisë dhe Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ose ish-SHKB-së së famshme, e cila është drejtoria që kontrollon strukturën e Policisë. Së pari, ishte situata e krijuar në vitin 2016, e cila rezultoi që një pjesë e Policisë, në heshtje apo në mbështetje, kishin favorizuar në disa zona të territorit kultivimin e kanabisit. Arsyeja e dytë, vinte dhe nga fakti që tre vjet në drejtimin e Reformës në Drejtësi unë isha i bindur që organe të kësaj natyre kanë të domosdoshme, edhe për shkak të një sërë problematikash të akumuluara jo në një vit, por në vite të ndryshme, ndoshta edhe në të gjithë periudhën e tranzicionit. Ndërkohë kjo buronte edhe nga një bindje e brendshme që e kisha të krijuar gjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi, sepse drejtësia penale siç ju e thatë me të drejtë në hapje të këtij emisioni është një trekëndësh, brinjët e të cilit janë Gjykata, Prokuroria dhe Policia Kriminale ose oficerët e hetimit në polici, Policia Gjyqësore e thënë ndryshe”, tha Xhafaj. “Padyshim problematikat që lidhen me dy brinjët e tjera nuk ka se si të mos ketë ndikuar edhe tek brinja tjetër, ose edhe tek faktori tjetër komponent siç ishte Policia, për të mos thënë që këto janë pjesë të një problematike, të një rrethi problemesh që vuante sistemi i drejtësisë dhe i agjencive ligj zbatuese në luftën kundër krimit. Pra, nga njëra anë ishin problematikat e evidentuara, që ishin dukshëm, që tërhiqnin vëmendje dhe nevojën e një implikimi të strukturave apo individëve të caktuar brenda Policisë dhe, nga ana tjetër, ishte një përfundim logjik nga analiza e Reformës në Drejtësi”, vijoi Xhafa. Ai shtoi se vendimet janë bazuar në statistika. “Po t’i hedhim një sy statistikave, të paktën statistikave që unë kam, nga viti 2007-2017 janë statistika që ne kemi mbështetur gjithë analizën, pra statistika të një 10-vjeçari, të mjaftueshme për të arritur në disa përfundime për të gjithë analizën e situatës së gjendjes në Policinë e Shtetit, tregojnë që gjithë këto vite ka pasur masa ndëshkimore, një pjesë e të cilave lidheshin me keqpërdorimin e ushtrimit të funksionit por një pjesë e konsiderueshme kanë qenë të lidhura edhe me aspekte që kanë të bëjnë me korrupsionin në radhët e Policisë. Pavarësisht se në një vit mund të ketë pasur masa shumë më të ashpra, siç ka qenë viti i fundit, po të shikojmë me kujdes në periudhën 2017 kemi 284 oficerë policie të ndëshkuar. 188 janë për korrupsion dhe shpërdorim detyre. 51 punonjës janë të ndaluar dhe arrestuar. Por po të marrim edhe 2009 ka 142. Në 2010 ka 145”, theksoi Ministri i Brendshëm.
Sigal