Largimet nga puna: Kjo fushatë do të ndajë gjyqtarët e trembur dhe jo nga vetingu

481
Fushata e largimeve nga administrata shtetërore do të jetë një test për drejtësinë, ndërkohë që kostoja e të shkarkuarve do të jetë barrë për qytetarët 
Një nga avokatët e njohur në fushën civile Ylli Kameri argumenton për gazetën “Telegraf”, situatën e përsëritur të largimeve nga puna, menjëherë pas ndërrimit të pushtetit. Dihet tashmë që kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një “furtunë” në të gjitha nivelet e administratës. Por një gjë e tillë pritet të ketë kosto të madhe financiare edhe morale. Për avokatin Kameri, kryeministri i cili ka marrë frenat në dorë, do të veprojë sipas politikës së tij. Por përballë saj ai do të duhet të respektojë Kodin e Punës. Çdo punonjës do t’i drejtohet gjykatës për kundërshtimin e urdhrit të kryeministrit. Kameri thotë se nga përvoja në këtë fushë, shpeshherë janë gjendur përballë presionit të shtetit. Në këtë rast ai shprehet se kjo situata do të ndaj qartë fuqinë e drejtësisë përballë presionit të shtetit. Kameri është i bindur se betëjën në gjykatë do ta fitojnë ata punonjës, procesin e të cilëve do ta drejtojnë gjyqtarët që nuk kanë frikë nga vetingu. Të tjerët, ata që ndihen të frikësuar do të dinë ta lexojnë mirë mesazhin e kryeministrit. Kameri gjithashtu flet edhe për rrugën që duhet të ndjekë një punonjës i shkarkuar, mënyrën se si do të përballet në gjykatë, koston financiare që do të duhet të paguajë. Një kosto e madhe, thotë ai, kjo fushatë do të jetë për mijëra familje, të cilat si shpresë të vetme të të jetuarit kanë punësimin në shtet. 
Avokat, Edi Rama ka nisur një fushatë për pastrimin e administratës. Duke qenë se keni ndjekur proceset civile për largim nga puna dhe e njihni ketë fushë, cila do të jetë kostoja që do të shkaktojë fushata për pastrimin e administratës?
Si përfaqësuesi më i lartë i shtetit edhe i sovranitetit të shtetit, ai do të jetë i detyruar që t’u përmbahet vetëm kufizimeve ligjore, të vullnetit, planeve, politikave apo ëndrrave të tij. Ai përfaqëson edhe punëdhënësin më të madh. Si i tillë, ai edhe përfaqësuesit e tij, do t’u duhet që të mbajnë parasysh përcaktimin e Kodit të Punës që; 

Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Në kontratën e punës punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar kohe, në kuadër të organizimit dhe të urdhrave të një personi tjetër, të quajtur punëdhënës, i cili merr përsipër të paguajë një shpërblim.

Në këtë rregullim ligjor, ligjvënësi e ka “prishur” barazinë e palëve, duke i dhënë të drejtën provuese “ barrën e provës” për çdo lloj shkelje, punëdhënësit , pra shtetit.

Në përgjigje të pyetjes tuaj, kjo do të thotë se, sa herë që një punonjës do të hiqet nga puna pa shkaqe të justifikuara ose pa shkaqe të arsyeshme, atëherë buxheti i shtetit, do të detyrohet që të paguajë dëmshpërblimet që i shkakton çdo punonjësi. 

Kjo kosto do të llogaritet rast pas rasti, por nga eksperienca kam përvojën e hidhur të, manipulimit të shkaqeve. Pushteti “i frikshëm” i kryeministrit edhe i përfaqësuesve të tij, ministra, drejtorë, apo edhe administratore të mandatuar prej tij, do të ndëshkohet, vetëm nga avokatë, sindikalistë edhe gjyqtare të trembur “prej vetingut”. Pjesa tjetër do të dijë ta lexojë mesazhin kryeministror. Një eksperience e tillë juridike më rezulton nga “fushata kundër vjedhësve e shpërdoruesve të energjisë elektrike “ ku kauza e drejtë u shndërrua në dënime jonjerëzore. 

Nga sa më sipër, në përgjigje të pyetjes që keni bërë, kostoja që do të shkaktojë pastrimi i administratës do të ketë tre dimensione kryesore. 

I pari: Do të jetë një kosto që do të shkaktohet nga fuqia e shtetit ligjor, pra dimensioni juridik, pra që do të tregojë nëse “sistemi ynë gjyqësor” do të jetë në gjendje të durojë presionin e fuqisë së shtetit edhe të “aftësisë së tij profesionale” për t’i ngarkuar shtetit “barrën e provës’. Gjykata edhe avokatia e ka eksperiencën e krijuar në këto vite, për të zbuluar, qartë ngjarjet , rrethanat, procedurat ligjore, që vërtetojnë ose nuk arrijnë të vërtetojnë , shkaqet që përfundojnë një marrëdhënie pune, si shkaqet e arsyeshme ashtu edhe ato të justifikuara. Kjo kërkon jo vetëm guxim por edhe vetëvlerësim, njëkohësisht edhe shpejtësi në gjykim (kjo e fundit, përfundimi i një procesi të rregullt ligjor në një afat sa më të arsyeshëm, do të jetë kostoja më e rëndë, e organizuar nga shteti). 

I dyti do të jetë kostoja ligjore, që ligji i garanton punonjësve, si shpërblimet për vjetërsi në punë, asistencat për familjet në nevojë, por edhe dëmshpërblime të tjera të posaçme si, dëmshpërblimi për afatet e njoftimit, për mosrespektimin e procedurave apo edhe për ekzistencën e dyshimeve sa i takon shkaqeve të zgjidhjes së kontratës së punës. 

I treti do të jetë dhimbja edhe frika familjare. Do të “shkulen” nga puna punonjës të anëtarësuar në parti, edhe këtu fatkeqësisht partitë kanë anëtarësuar familje edhe jo individë. 
Kjo në fund ka një kosto, të cilën duhet ta paguajë dikush?

Kësaj pyetje do ti përgjigjemi saktë, vetëm kur të lexojmë, seriozitetin e reformës. 
Nëse nga administratat shtetërore edhe ndërmarrjet shtetërore, do të largohen personat që janë të prirë për të falsifikuar fakte, rrethana edhe prova , që lidhen me “të drejtat dhe detyrimet e palëve” në një marrëdhënie pune , atëherë koston e paguan plot dëshirë, si taksapaguesi ashtu edhe qytetari i thjeshtë.
Nëse reforma do të nxitet nga interesa të çastit, të megalomanisë apo të zëvendësimit të falsifikatorëve, me falsifikatorë të tjerë, që dinë të falsifikojnë më bukur apo që janë “diplomuar të falsifikojnë”, kostoja reale do të paguhet me rebelim të pakufishëm. 
Pavarësisht motivit, a kanë të drejtë punonjësit e administratës të ankohen në gjykatë?
E drejta formale për t’u ankuar në gjykatë, për çdo lloj marrëdhënie kontraktore është një e drejtë kushtetuese e garantuar edhe e respektuar pa dyshim. Ndërsa për të drejtën materiale, kjo do të kufizohet si nga afati, gjatë të cilit mund të ngrihet një padi, që shkon nga 6 muaj deri në 3 vjet, edhe ky i fundit është afat pothuajse prekluziv . 

Punonjësit duhet të ndërgjegjësohen duke u anëtarësuar në sindikata, duke u treguar të zgjuar për të zgjedhur kosto edhe aftësi të garantuara në mbrojtjen juridike, pasi, në realitet, me ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Civile, edhe në veçanti profesioni i avokatit, nuk do të jenë në gjendje të përballojnë kostot financiare të një procesi. Tashmë çdo shtyrje procesi ka gjoba edhe kosto të posaçme, 5000 lekë të reja seanca. Largimi nga puna kur respektohet punëmarrësi edhe bëhet për shkaqe të arsyetuara ( p.sh mungesë efiçence, mungesë arsimimi, ndryshim teknologjie ) ka vetëm dëmshpërblime të llogaritshme, si paga shtesë 15 ditë çdo vit vjetërsi në punë. Por duhet të respektohet dinjiteti duke bërë lajmërimin për ta larguar punonjësin. Kur nuk respektohet afati i njoftimit atëherë kërkohen shkaqe të justifikuara – si mungesa e besimit shkelje të rënda të disiplinës në punë ose shkelje të lehta në mënyrë të përsëritur. Duhet të dallohen shkaqet e arsyeshme.
Sigal