LANÇ, Rama: Politika ushqen konflikte për hir të pushtetit

426
Sigal

TIRANE – Kreu i qeverisë Edi Rama zgjodhi 9 Majin, Ditën e Europës, si simbol të “Europës së bashkuar”, për të përkujtuar sakrificën e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Clirimtare, në një takim në kryeministri me njerëzit që dhanë kontributin e tyre për këtë pjesë të historisë së vendit tonë. . “Zgjodha këtë ditë dhe këtë simbol për tu takuar me ju dhe për tju uruar mirëseardhjen në këtë godinë veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe bashkë me luftën të çojmë edhe mesazhin e madh të Europës së bashkuar, se në të vërtetë shqiptarët përmes shumëkujt ndër ju dhe atyre që sot s’janë më luftuan sëbashku krah për krah me kombet e tjera të Europës”, tha Rama. Për kryeministrin Rama është koha që kjo luftë të përcjellë vetëm mesazhin e paqes, dhe jo të keqkuptimeve që sipas tij bëhen qëllimisht nga disa njerëz dhe grupime, që siç tha ai, përpiqen të ushqejnë konfliktet e lindura mes shqiptarëve në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në funksion të pushtetit. “Nderimi për luftën vazhdon nga protagonistë të cilët si lidh asgjë me luftën, i lidh vetëm një nevojë e pashpirt për të përfituar nga lufta, qoftë duke u përpjekur që të pronësojnë mesazhin e luftës, qoftë edhe në zi duke u përpjekur që duke goditur luftën të godasin kundërshtarin e sotëm, duke harruar atë që është në themelin e bashkëjetesës në një sistem demokratik, se në demokraci nuk ka armiq ka vetëm kundërshtarë. Jo në pak raste, njerëz apo grupime të caktuara në vend të bëjnë luftën e tyre me armën e paqes për Shqipërinë e të ardhmes, bëjnë gjithçka duke ushqyer në forma të parpanueshme konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë dhe të ushqyera pas luftë në funksion të pushtetit”, u shpreh kryeministri Rama.  Kryeministri e konkretizoi këtë mesazh,duke risjellë një pasazh të kujtimeve të komandanti gjerman, Helman Frank ku përshkruhen raportet e komplikuara mes trupave të Mehmet Shehut dhe Muharrem Bajraktarit, ku edhe pse të dy ishin në luftë kundër gjermanëve, sipas komandantit: “Grindja mes dy kryetarëve, mes dy bandave kursyen shumë gjak ushtari gjerman”. E pavarësisht se datat që morën rëndësi historike, sipas Ramës edhe si pasojë e propagandës, u përkujtuan rregullisht, nuk u përcoll mesazhi i duhur, por, -tha Rama, “përkujtimet formale e përdorën luftën si mburojë për krimet e veta”. “Nderimi për luftën dhe për të rënët e saj nuk është aspak tek rituali apo detajet koroegrafike të propagandës. U përkujtuan rregullisht pas luftës të gjitha datat që morën rëndësi edhe për arsye të propagandas. U përkujtua rregullisht dita e Çlirimit, e Dëshmorëve, me një protokoll të paqortueshëm, por devijimi nga mesazhet e mëdha idealiste dhe njerëzore të luftës, izolimi i vendit, që gjatë luftës ishte pjesë e një koalicioni të madh antifashist botëror, varfëria dhe dhuna u jepnin përkujtimeve formalisht të përsosura më shumë trajtën e një propagande për hir të një pushteti që gjithmonë e më shumë e përdori luftën si mburojë për krimet e veta”, u shpreh para veteranëve kryeministri Rama. Rama vurin theksin në refuzimin nga ana e qeverisë, të cdo përpjekjeje që kryeminsitri e vlerësoi si keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste Nacional Clirimtare “Qeveria jonë do të bëjë të gjitha përpjekjet që duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të luftës, si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen, të refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje për keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste Nacional Clirimtare nga cfarëdo anë që ajo vjen. Mesazhet e luftës janë mesazhe që duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pa asnjë lëkundje tek çdo vajzë dhe djalë që lind dhe rritet në këtë vend, që s’do ishte kurrë ky që është sot pa Luftën Antifashiste nacional Clirimtare. Mesazhi më autentik në të gjitha kuptimet i kësaj lufte që ka qenë dhe mbetet mesazhi ku cdokush prej nesh dhe ku cdo qeveri që dëshiron me të vertetë të punojë, mund të gjejë qendrën e vet të gravitet, është bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje krahine dhe ideje në cdo moment që interesat e shoqërisë sonë, e kërkojnë. Veteranëve që luftuan me pushkë në front ne u detyrohemi të gjithë nderimin tonë, por ne u detyrohemi edhe qëndrimin tonë të prerë për të mos lejuar që sakrificat e tyre, idealizmi i tyre, të shndërrohet në mburojë, apo kapital për këto qoftë që vjen apo që fshihet pas tyre, për askënd, ne duhet të bëjmë luftën tonë në paqe dhe për paqen kundër varfërisë dhe krimit, kundër korrupsionit dhe padrejtësisë, kundër rrënimit të mjedisit, kundër prapambjetjes dhe kundër përçarjes”, tha Rama. Sipas kryeministrit Rama, çmimi i fitores për disa ishte shumë i lartë. “Një pjesë e paguan cmimin me jetën e tyre, të mbijetuarit patën fate të ndryshme. Jo pak prej tyre u harruan, të tjerë u internuan, u pushkatuan me apo pa gjyq, disa të tjerë u ngjitën lart në qeverisjen e vendit, ndanë mes tyre merita dhe përgjegjësi, por lanë pas edhe akte të pashembullta mizorie mes veti”, tha kreu i qeverisë. Sipas tij, ende pas 70 vitesh nga përfundimi i luftës diskutimi për luftën vazhdon të jetë i nxehtë dhe guximi për ta parë luftën ashtu sic ajo ishte dhe për të lexuar përmes saj të ardhmen e shoqërisë sonë të përbashkët europiane, nuk është ai i dëshiruari për një shoqëri të lirë” Rama tha se qeveria është në anën e asaj pale që kur bëhet fjalë për LANÇ është “gati t’i japë fund kundërshtive të lashta kur e ardhmja kërkon që të gjithë të jemi të bashkuar dhe të sillemi me njëri tjetrin si kundërshtarë të denjë jo si armiq”.