Lajla Pernaska: ” Opozita duke bllokuar 3 kushtet e statusit është kundër vullnetit të popullit”

579
Sigal

INTERVISTA/Lajla Pernaska, deputete e PD-së: “Nuk mundet të cenohet sistemi politik e institucional për interesa partiake”

Edhe dje, në rendin e ditës të punimeve të seancës së Kuvendit ishin edhe 3 reformat-kushtet e statusit kandidat të Shqipërisë për në BE. E, megjithatë, ato u hoqën nga votimi, për shkak se vazhdon ngërçi politik PD-PS për mosgjetjen e rrugëve që afrojnë konsensusin politik. Deputetja e PD-së, Lajla Përnaska në intervistën për “Telegraf” pohon se, është opozita ajo që me bllokimin e saj, pengon procesin e integrimit, ndërsa maxhoranca e ka kryer detyrimin e saj.

– Zonja Përnaska, a ka kohë politika që të plotësojë tre kushtet për statusin kandidat?

– Jemi në një moment kyç, për procesin e integrimit, për t’u pranuar në BE. Nga maxhoranca ka një preokupim absolut, për të përmbushur tre kushtet e kushtëzimit të statusit. Por duhet edhe vullneti i opozitës, që të miratojmë me konsensus tre kushtet e statusit.

– Kërkesat e PS-së, për të dhënë konsensusin e saj, ju si i vlerësoni?

– Absurdi që kërkon të hidhet kundër, PS-ja, ka të bëjë me bllokimin e tre reformave, të cilat janë edhe kushtet e statusit kandidat. Është një non -sens politik, sepse nuk gjen në asnjë vend të botës, që kjo politikë të bjerë ndesh me vullnetin e popullit.

– Si përcillet imazhi, që populli dëshiron shumë integrimin, por politika, me ngërçet e saj, bëhet pengesë e procesit të integrimit?

– Ky është absurdi, sepse, ndërkohë Shqipëria  në 94 % të saj, është pro këtij procesi të integrimit, është PS-ja, që për arsye të ndryshme, kërkon t’i imponohet këtij vullneti të të gjithë shqiptarëve. Politika shqiptare duhet t’i përgjigjet kërkesave që shtron realiteti  dhe zhvillimi i shoqërisë. Sapo përmbushëm edhe periudhën e udhëheqjes së Presidencës të Këshillit Europian, që për herë të parë i dha Shqipërisë, një status krejt të ri dhe Shqipëria dha një model krejt ti edhe për shtetet e tjera, në mënyrën sesi ne e administruam Presidencën, duke e rritur ndjeshëm edhe imazhin dhe rolin e Shqipërisë në Europë. Mund t’ju them, si anëtare e delegacionit në Këshillin e Europës, t’ju konfirmoj, që kontributi ynë është vlerësuar nga të gjithë shtetet anëtare, sidomos me shembujt pozitivë që kemi, lidhur me liritë fetare, me tolerancën fetare e ndëretnike, dhe Shqipëria ka përmbushur të gjitha prioritetet për të cilat u angazhua dhe dje u ratifikua në Kuvend, Konventa për Këshillin e Europës për dhunën kundër gruas e dhunën në familje.

– Kur bëjmë fjalë për bashkëpunim, maxhoranca deri më sot, i thotë opozitës: ” Hajde voto ligjet që kemi miratuar ne”. Ky lloj bashkëpunimi politik kërkohet?

– Nuk ka të bëjnë fare me ligjet e përgatitura nga maxhoranca, por maxhoranca është pjesë e mandatuar e Kuvendit të Shqipërisë dhe është detyrë e çdo deputeti që të ushtrojë detyrën e mandatit të tij. Çdo projektligj, së pari kalon nëpër komisionet parlamentare, ku aty çdo deputet jep mendimet e oponencën e vet. Opozita ka të gjithë hapësirën demokratike që të ushtrojë rolin e saj dhe të bëhet pjesë e këtyre proceseve, të përgatitjes së ligjeve, njësoj si maxhoranca.

– Por, meqë ngërçi politik i tre reformave të statusit vazhdon, nuk kemi dëgjuar nga maxhoranca, ende, që të ftojë opozitën që të gjejnë rrugëafrimin drejt konsensusit të kërkuar, por vetëm e fton që të votojë. Ky a mund të quhet bashkëpunim?

– Rrrugët e bashkëpunimit, nuk besoj, se mund t’i gjej, apo t’i imponojë një maxhorancë, kushdo qoftë ajo. Rrugët e bashkëpunimit, në këtë stad integrimi, i imponon vullneti qytetar, interesat e qytetarëve, interesat e vendit, kushtet e sotme, në të cilat ndodhemi. Ky lloj imponimi është shumë i qartë, kështu që opozita duhet të përmbushë detyrimet e saj.

– Kur flasim për bashkëpunim politik, praktikisht, veçse, ndodh që emërimet e drejtuesve të institucioneve të pavarura të bëhen me votimin e shumicës së thjeshtë, pa konsensusin e opozitës. Kjo a nuk dëshmon për mungesë të hapësirës demokratike?

– Ajo që unë mund t’ju them, është se ne kemi të gjithë detyrimin në forcimin e pavarësisë të institucioneve të pavarura, të forcojmë shtetin ligjor, sistemin tonë politik dhe institucional, sepse ky është një detyrim madhor për të sotmen dhe për të ardhmen. Në asnjë rast nuk mund të bëhet asnjë konsensus politik që bie ndesh me vetë autoritetin e rolin e vet institucioneve dhe ligjit. Për rastin që ju përmendët, ka procedura shumë të qarta, sesi ato përzgjidhen. Në një vend demokratik, mënyra e qeverisjes realizohet me votën e shumicës dhe forcat politike që fitojnë votat e shumicës, kanë të drejtë të ushtrojnë rolin e tyre ligjvënës e qeverisës në të gjitha institucionet.

– Cili është reagimi i maxhorancës, ndaj kritikës së opozitës, e cila bën fjalë për uzurpim të të gjitha pushteteve, derisa drejtuesit e institucioneve ta pavarura emërohen vetëm me votat e maxhorancës?

– Institucionet e pavarura nuk kanë asnjë shans të uzurpohen, për sa kohë që është e shkruar qartazi në Kushtetutën e Shqipërisë, ligjet që derivojnë prej saj dhe mënyrën sesi zgjidhen e funksionojnë institucionet tona , të cilat nuk mund të varen as nga një forcë politike. Kjo ka të bëjë me respektimin e Kushtetutës. Ne thjesht, duam të respektojmë ligjin dhe institucionet tona.

– Si është përcjellë të klasa jonë politike, përshëndetja e humbësit të zgjedhjeve Presidenciale në SHBA-të, Romney, i cili tha për Obamën “Presidenti është edhe  im”?

– Kjo është një nga pikat më kulmore të kulturës demokratike. Këto zgjedhje i përcjellin mesazhe demokratike çdo vendi të botës. Unë besoj se edhe klasa politike shqiptare ka shumë për të mësuar, nga këto modele shembullore të demokracisë. Unë shpresoj që këtë mesazh duhet ta kuptojë edhe lideri i opozitës, ku deri sot nuk ka pranuar zgjedhjet parlamentare.

– Në qoftë se opozita nuk tërhiqet nga kërkesat e saj politike për 3 kushtet, maxhoranca a do të bëjë përpjekje afrimi? Shqiptarëve u intereson statusi dhe aspak, se cila palë politike ka të drejtën e saj.

– Kjo është e vërtetë dhe nga të gjithë kolegët e mi të maxhorancës, ka një vullnet të padiskutueshëm, për të arritur bashkëpunimin, konsensusin, dhe në raste të tilla, përdoren jo vetëm rrugë formale, por edhe rrugë informale për të arritur një konsensus, të forcave politike. Por në asnjë rast nuk do të dëshiroja që të arrihet konsensusi e të bëhet kompromis, duke anashkaluar institucionet dhe shtetin ligjor shqiptar. Detyra jonë është ta forcojmë shtetin ligjor. Ne duhet të investojmë bashkërisht me opozitën në forcimin e shtetit e institucioneve ligjore.

– Forcimi i shtetit a nuk vjen nga një bashkëpunim dhe gjetje e konsensusit midis forcave politike, se sa në bunkerizimin tek politikat partiake, siç po ndodh me ngërçin e 3 kushteve të statusit?

– Sistemi është ngritur prej vitesh, tashmë, politik e institucional në bazë të Kushtetutës. Në këtë kontekst, edhe klasa politike duhet të respektojë ligjin  në fuqi dhe të kontribuojë për forcimin e tij. Nuk mundet të cenohet sistemi për interesat e veta partiake.

– Faleminderit!