KVV: KQZ ka tejkaluar dispozitat ligjore me shpërndarjen e mandateve

479
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi sot se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tejkaluar dispozitat ligjore në lidhje me shpërndarjen e mandateve. KVV pohoi se ky institucion nuk ka pranuar animimet nga partitë jo parlamentare. “Pas publikimit të Raportit të IV të Ndërmjetëm të Monitorimit si edhe të Konkluzionit Paraprak mbi procesin zgjedhor, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) vazhdon të monitorojë operatorët zgjedhorë dhe fazat e mbetura të procesit.
Gjetjet e monitorimit të kësaj periudhe do të detajohen dhe do të jenë pjesë e Raportit Përfundimtar të Monitorimit pas finalizimit të procesit zgjedhor. Nisur nga ecuria institucionale e vërejtur gjatë këtyre ditëve si dhe mbështetur në misionin e KVV-së për të kontribuar për realizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë, shihet me vend tërheqja e vëmendjes në dy problematika të vërejtura.
Procesi ankimor është drejt përmbylljes së tij dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sapo ka nisur shpërndarjen e mandateve për Bashkitë e reja. Deri tani asnjë nga këto ankimime, të kryera kryesisht prej subjekteve politike jo-parlamentare, nuk është pranuar në shqyrtimet e kryera nga KQZ-ja.
KVV konsideron si një element aspak pozitiv frymën e vërejtur në qëndrimet e Komisionerëve dhe të përfaqësuesve të forcave politike, për të konsideruar procesin ankimor si një proces që përpiqet ta cënojë procesin zgjedhor. Madje, në diskutimet e shprehura prej tyre pranimi i ankimimeve do të thotë “bërje pis e zgjedhjeve”.”, citohet në reagimin e KVV-së.
Nga ana tjetër KVV deklaroi se fryma e vërejtur në KQZ, një element aspak pozitiv. “Kjo është një qasje tërësisht e gabuar jo vetëm ndaj frymës që paraqet Kodi Zgjedhor, por edhe ndaj standardeve të së drejtës. Sistemi i drejtësisë, qoftë edhe ai i drejtësisë zgjedhore, është një garanci e së drejtës dhe jo “një instrument” për të cënuar legjitimitetin e cilitdo procesi. Shpërndarja e mandateve prej KQZ-së është përmbyllja e tërë procesit zgjedhor dhe në logjikën e administrimit zgjedhor, është një proces tejet formal, pra praktikisht një proces thjesht përllogaritës.
Mbi bazën e rezultateve të votimit kryhet përllogaritja e mandateve për njësi vendore. Sipas Kodit Zgjedhor, në Bashkitë që përfshihen në një Zonë të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), vendimin për shpalljen e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve e merr vetë Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ).
Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit ankimor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim për shpërndarjen e mandateve për atë njësi vendore. Në seancat e datave 8 dhe 9 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati në rendin e ditës, ndër të tjera, projekt-vendimet për shpërndarjen e mandateve të Këshillave Bashkiakë në Bashkitë Bulqizë, Devoll, Berat dhe Kuçovë.”, thuhet në deklaratë.
Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë të katërta këto Bashki mbulohen respektivisht prej një ZAZ-je. “Sipas pohimeve të drejtuesve të administratës u pranua se në projekt-vendimet në diskutim ishin bërë korrigjime në numrin e votave të dala nga vendimi i KZAZ-ve përgjegjëse. Ky ndryshim ishte bërë mbi bazën e rezultateve të Grupeve të Numërimit të Votave (GNV) në ato KZAZ. Argumentimi për këtë ndryshim në rezultat që u dha nga administrata, e pyetur prej një prej përfaqësuesve politikë[1] në KQZ, ishte mbështetja në precedentin e krijuar në Zgjedhjet Vendore pararendëse të vitit 2011.
Edhe Kryetarja e KQZ-së e mbështeti këtë argumentim të administratës duke e pranuar si një tejkalim ligjor të vullnetshëm dhe të gjithëpranuar prej të gjithë Komisionerëve. Kodi Zgjedhor nuk i jep asnjë të drejtë KQZ-së në korrigjimin, qoftë edhe të gabimeve materiale, e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve të Zgjedhjeve nga KZAZ-ja.
Vetëpranimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një tejkalim të vullnetshëm të kuadrit ligjor, pas një vazhdimësie mosrespektimi në këto zgjedhje, duket se po e shndërron Kodin Zgjedhor në një Manual ose Memorandum Zgjedhor pa asnjë efekt normativ. Kur ky qëndrim shfaqet prej Institucionit më të lartë të ngarkuar për organizimin zgjedhor, Kodi Zgjedhor nuk ka sesi të konsiderohet më si “Rregullator” prej gjithë pjesëmarrësve të tjerë në proces apo akoma më keq prej shkelësve të tij.”, pohoi KVV-ja.
Në gjithë këtë situatë, sipas KVV-së, në kushtet edhe të mungesës së transparencës nga institucioni i KQZ-së, duke evidentuar këtu, ndër të tjera, mospublikimin ende të të gjitha vendimeve për kërkesat ankimore, si ato të shumë diskutuarat për Bashkitë e Kurbinit dhe Vorës, vendimmarrja e këtyre dy ditëve është akoma më shqetësuese në pasojat që mund të sjellë në shpërndarjen e mandateve në dëm të subjekteve jo parlamentare.
“Për më tepër, KVV sjell në vëmendje se gjatë procesit të votimit dhe të numërimit, këto subjekte nuk kishin instrumente ligjorë për të qenë pranë tyre dhe për t’i ndjekur ato. Madje një pjesë jo e vogël e tyre janë të pa informuar për funksionimin e procesit ankimor dhe në vazhdim.
Përballë këtyre zhvillimeve, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësimin e tij se edhe mungesa më e vogël e rigorozitetit dhe skrupulozitet në zbatimin e ligjit në vendimet në vazhdim për shpërndarjen e mandateve, mund të cënojë legjitimitetin e fituar të deritanishëm të këtij procesi zgjedhor.”, përfundon deklarata.
Sigal