Kuvendi: Si do të zgjidhet kreu i akuzës

530
Administrata e Kuvendit, në një material për Komisionin parlamentar të Ligjeve, ka hartuar të gjithë skenarët e mundshëm që parashikon ligji për zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm. Skenari i parë është ai që parashikon Kushtetuta. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm bëhet me 84 vota mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por MEMO-ja vë në dukje faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende. Pra, nuk jemi në kushtet që parashikon Kushtetuta. MEMO-ja ndalet te momenti i dytë, kur Prokurorit të Përgjithshëm i skadon mandati dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende. Kjo situatë parashikohet nga dispozitat kalimtare të ligjit të Prokurorisë. Në këtë rast Kuvendi vendos që funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm i kryen prokurori me më shumë eksperiencë që përmbush kriteret ligjore dhe me një votim të thjeshtë, çka do të thotë me të paktën gjysmën e deputetëve të pranishëm në sallë. Kriteret kanë të bëjnë me vitet e punës, titujt shkencorë, etj. Por kriteri thelbësor është ai i vetingut. Procesin e vetingut deri më tani nuk e ka kaluar askush, ndaj për të kërkuar një emër mes kandidatëve për Prokuror të Përkohshëm, duhet të shihen kriteret e tjera: eksperienca në punë dhe titujt shkencorë. Prokurorët me më shumë eksperiencë janë Thoma Jano dhe Adnan Kosova, të dy prokurorë në organin qendror të akuzës, por asnjëri prej tyre nuk ka gradë shkencore. Mes atyre që kanë gradë shkencore është Ferdinand Elezi, i cili ka një karrierë nga policia e Sarandës dhe Kavajës, në prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrësit. Titull shkencor ka edhe Henrik Ligori, prokuror te Krimet e Rënda, bashkëshort i ish-deputetes socialiste Shegushe Ligori. Më pas, kemi prokurorë me titull shkencor të dalë nga shkolla e magjistraturës. Dritan Rreshka, te Task Forca e Tiranës apo Olsi Çela, te krimet e rënda.
Sigal