Kuvendi pa autoritet, debati mungon, opozita e braktis, mazhoranca vazhdon monologun

584
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Edi Rama votohet edhe ministër i Jashtëm. Kryeparlamentari Ruçi apelon: Mjaft me kapriçio, të jemi bashkë drejt BE-së!

Sesioni i ri Parlamentar për 2019-n, filloi sikurse edhe sesionet e tjera të 2018-s. Përplasje dhe akuza të ndërsjella midis mazhorancës dhe opozitës, braktisje e Kuvendit nga opozita dhe paskëtaj, mazhoranca monologon dhe voton projektligjet e saj. Edhe pse 2019-a është një vit vendimtar për Shqipërinë në rrugën e integrimit, në qershor BE-ja do të marrë vendimin, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë për anëtarësim. Mirëpo, palët politike në Shqipëri nuk janë ndërgjegjësuar për rolin e tyre, të paktën, të bashkëpunonin për ato reforma integruese, të cilat janë kushtet e BE-së ndaj Shqipërisë.

Kryeparlamentari Ruçi: Të bashkëpunojnë për hapjen e negociatave

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ftoi mazhorancën dhe opozitën që të bashkëpunojnë bashkërisht  për të përmbushur bashkë aspiratën më të madhe të shqiptarëve, hapjen e negociatave me BE. “Do të dëshiroja që debati i munguar të kompensohet në këtë sesion. Prezenca e opozitës e bën sesionin të vështirë por njëherësh më demokratik, më të trazuar por njëherësh më të dobishëm. I kemi të gjitha mundësitë të vulosim në kujtesën e secilit prej nesh këtë sesion si sesioni i çeljes së negociatave me BE. Edhe mazhoranca të bëhet më bashkëpunuese, shpresoj që opozita të bëhet një vlerë e shtuar . S’kemi luksin të biem në batakun e ambicieve partiake. Mjaft e kemi penguar aspiratën evropiane me kapriçiot tona”- apeloi kryeparlamentari Ruçi.

Reformat e integrimit

Megjithëse zgjedhjet vendore janë më 30 qershor, dhe sipas Kodit Zgjedhor, reforma e re zgjedhore duhet të përfundojë 6 muaj më para sesa data e zgjedhjeve, ende reforma zgjedhore është e pavotuar, për shkak se mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin. Gjithashtu, deri ën qershor të 20190s duhet të riformatohet Gjykata Kushtetuese, duhet të ndërtohen SPAK, BKH dhe institucionet e reja të drejtësisë. Këto reforma mund të realizohen vetëm me bashkëpunimin e mazhorancës dhe opozitës, mirëpo, me çfarë u pa dje, opozita e braktisi parlamentin, duke e bërë shumë të vështirë bashkëpunimin.

Kryeministri votohet edhe në postin e ministrit të Jashtëm

Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i jashtëm dhe emërimin e kryeministrin Edi Rama edhe në postin e ministrit të jashtëm. Kryeministri Edi Rama është emëruar ministër i jashtëm me 78 vota pro. Gjithashtu Kuvendi ka vendosur të zgjasë me 30 ditë punën e komisionit të reformës zgjedhore. Mazhoranca e opozita do të masin forcat gjatë punës së komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë ligjshmërinë e dhënies së certifikatave të sigurisë Zv/ministrit Genti Cakaj nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, brenda 24 orëve. Javët e ardhshme do të shihet një tjetër përballje mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës. Ky i fundit do të duhet t’i përcjellë Kuvendit dekretin e ri për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëm me pëlqimin e shumicës socialiste në drejtimin e KLSH-së do të shkojë emri që do përzgjidhet nga kreu i shtetit.

Opozita e braktis parlamentin

Pas fjalës të kryetarit ë PD-së Lulzim Basha, opozita e braktis seancën plenare, pa marrë pjesë në votimet e dekreteve për emërimin e  Edi Ramës në postin e ministrit të Jashtëm.  Opozita, duke dalë nga salla e parlamentit, paralajmëroi protestat popullore, të cilat, sipas opozitës, do të rrëzojnë pushtetin kriminal të kryeministrit Rama.

Reagimet politike

Kryeministri Rama: Gjykatësit e 21 Janarit mund të përfundojnë pas hekurave

Sot është 21 janari këta vranë 8 vite më parë, sot vijnë këtu dhe kanë idenë se drejtësia nuk do të vijë. Mendojnë se do ta pengojnë edhe përmbysin reformën në drejtësi që është pa kthim. Gjykatësit e 21 janarit sot janë rrugëve, nesër mund të përfundojnë pas hekurave”,- u shpreh kryeministri. Këta sot janë edhe më të dobët se një muaj më parë, ne më të fortë, protesta na dha mundësinë që të dëgjojmë dhe reflektojmë. këtyre iu dha mesazhin; nuk ju shikoj dot me sy. Ne na drejtoi një kërkesë të qartë, duam këtë dhe këto me radhë, i duam nga ju dhe askush nuk i bën dot për ne. Këtyre iu tha, që nuk ekzistojnë si alternativë. Dihet shumë mirë kush ia bën listën e kryesisë së PD-së. Tamam si atëherë kur ia qante hallin Shqipëria Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E ka bërë partinë kashtë e koqe dhe vjen e na qan hallin ne. Beteja jonë nuk është me këta. Sa më shumë përplasemi me këta dukemi si këta. Ne s’jemi më të mirët, por më të mire se ne nuk ka. Do të marrim atë që na takon, jo për vete por për vendin. Ne e duam fuqinë nga njerëzit për bashkinë dhe qytetet tona.

Lulzim Basha: Projekti i vetëm i Ramës është asgjësimi i çdo procesi dhe institucioni politik

Kam paralajmëruar nga kjo sallë se projekti i vetëm i Ramës është asgjësimi i çdo procesi dhe institucioni politik. Hap pas hapi keni parë se si u vu në jetë ky projekt. U asgjësuan zgjedhjet, e drejta e votës u asgjësua. Rama do të qeverisë me oligarkët dhe kriminelët. Sot kjo sallë nuk përfaqëson interesin publik, pasi ata që kanë forcën e kartonëve që mbron krimin. Ky Kuvend përfaqëson sot vesin më të shëmtuar, hajdutërinë e përzier me arrogancën. U asgjësua Prokuroria, ndërsa tani i erdhi radha e edhe asgjësimit të PS. Sot ministrat në pushtet nuk janë përfaqësues të popullit dhe të PS. Ata janë kukullat e kryeministrit.

Monika Kryemadhi: Mbani peng zgjedhjet e lira, sepse doni të blini votat e shqiptarëve

Që të hapen negociatat zoti Kryetar i Parlamentit në radhë të parë duhet dialogu politik dhe nuk ka sesi të ketë dialog politik, kur ju nuk i jepni të drejtën opozitës për të folur. Që të hapen negociatat duhet që të zgjidhet Prokurore e Përgjithshme apo Prokuror i Përgjithshëm me 84 vota dhe nuk ka se si të zgjidhet, kur ju nuk keni një dialog politik. Duhet miratuar një reformë zgjedhore, e cila mban peng zgjedhje të lira e të ndershme për shqiptarët, por nuk ka se si të zgjidhet kur mbahet peng kjo reformë zgjedhore, sepse është e vetmja mënyrë për të vjedhur dhe për të blerë votat e shqiptarëve. Mbahen peng negociatat sepse nuk do Kryeministri i Rilindjes, sepse nuk do. Mban peng një shtet dhe një popull të tërë sepse ashtu u leverdis atij.

Qytetari e quan Ramën anti-shqiptar,  por arrestohet nga policia

Dje kryeministri Rama, i shoqëruar nga familjarët e viktimave, ka bërë homazh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku më 21 janar 2011 u vranë në protestë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Deri më sot asnjë nga të akuzuarit si vrasës nuk është dënuar.  Mirëpo një incident ndodhi, kur i moshuari Pal Shkëmbi tentoi t’i afrohej kryeministrit Rama dhe t’i jepte një letër. Në atë moment, i moshuari Pal Shkëmbi thirri në drejtim të kryeministrit Rama: “Ti je antishqiptar!” Menjëherë policia e Shtetit e arreston qytetarin dhe e shoqëron në komisariatin numër 1 të Policisë.