Kuvendi, nga akuzat dhe fyerjet mes deputetëve, tek përjashtimi i Flamur Nokës

750
Seanca e djeshme plenare, u kthye në një arenë fjalësh, ku kundërshtarët, përveç akuzave ndaj njëri-tjetrit, nuk dhanë asgjë për qytetarët
Jemi mësuar tashmë të shohim që salla e kuvendit dhe foltorja e tij, të kthehet në arenë ndeshjeje. E njëjta situatë ishte edhe ditën e djeshme. Seanca nisi në orën 10:00 të mëngjesit me interpelancën e ministrit të bujqësisë, Niko Peleshi, thirrur nga Erjon Braçe. Opozita nuk ishte e pranishme në këtë pjesë. Ajo refuzoi të dëgjonte interpelancën, duke e konsideruar një show të radhës nga mazhoranca. Por duket se të majtët kishin planifikuar gjithçka. Gjatë interpelancës, ata akuzuan ish-ministrin e bujqësisë Edmond Panariti, se kishte favorizuar me grande dhe shitje tokash, familjen e Klement Balilit. Kaq u desh që pas ardhjes së opozitës në Kuvend, gjithçka të kthehej në një “betejë”. Në sallë nuk ndodhej kreu i demokratëve, Lulzim Basha, i cili ishte nisur drejt Londrës. Ndërsa Taulant Balla deklaroi se Lulzim Basha gjendej në Edinburgh, në Skoci, aty ku është e regjistruar kompania nëpërmjet të cilës kanë kaluar paratë. “Lulzim Basha është në Edinburgh, sepse aty është bërë pagesa e Partisë Demokratike. Ku është Lulzim Basha? Lulzim Basha ka thënë se të gjitha faturat e pagesave i kemi deklaruar në KQZ. Por KQZ, thotë se këto pagesa nuk rezultojnë të deklaruara. Ku është Lulzimi sot? Dy ditë pasi KQZ vërtetoi se PD ka paguar 875 mijë dollarë, nga të cilat 675 dollarë janë të paguara nga një kompani guackë në Edinburgh, aty ku është Lulzim Basha sot. PD i detyrohet opinionit publik, një përgjigje, për këtë pisllëk ku e ka përfshirë Lulzimi.” Balla shtoi se llogaria në Belize, mund të jetë e shokut të shkollës së Bashës, një shtetas turk, i hetuar nga FBI-ja.

Ballës iu përgjigj deputeti i PD-së, Edi Paloka, i cili u shpreh se kryetari Basha, ndodhet në Londër në një tryezë të Partisë Konservatore për Ballkanin Perëndimor. Pas Ballës radhën për të akuzuar opozitën e pati ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Ajo foli për menaxhimin e përmbytjeve në vend. Tha se ishin meritat e kësaj qeverie, që katastrofa nuk mori përmasa më të mëdha, por u parandalua në kohë. Lavdeve të Xhaçkës, i dha përgjigje ish-kryeministri Sali Berisha. 

Berisha
“Në zonën e Vjosës dhe të tjera ndodhi një katastrofë dhe nuk ka gjë më çnjerëzore për ata njerëz se sa rrahësgjoksja e këtyre qeveritarëve që rrinë e u bëjnë elozhe njëri- tjetrit, ndërsa ata vuajnë, këta rrinë e lavdërojnë njëri- tjetrin. Njëri thotë se Olta ka ndenjur orë të tëra pa gjumë, tjetra thotë se unë jam krenare…Si ka mundësi që këtë moral e sillni në parlament. Qëndrimi juaj ndaj të përmbyturve është cinizëm total. Shumë mirë që shpërblyet ushtarakët ju përgëzoj për këtë, por para së gjithash duhet të shpërbleni ata që nuk kanë se çfarë të hanë. Keni vjedhur 10 milionë euro në pritën e Vjosës. Pritat tuaja i mori lumi sikur të ishin prej kartoni. Këtu lavdërimi dhe rrahje gjoksi, mbi mjerimin e këtyre qytetarëve nuk duhet të ketë më. Kjo ishte kërkesa ime.”, tha Berisha. Berisha akuzoi edhe qeverinë se ka vjedhur fondet për rehabilitimin e lumenjve. Më tej Berisha i tregoi Ramës se edhe partnerët evropianë nuk janë të bindur për punën e tyre. Ndërkohë kundërpërgjigja erdhi nga kryeministri i vendit. 

Rama
Kryeministri Rama i është kundërpërgjigjur, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i thënë se nuk do të merret më me akuzat e tij, sepse kjo nuk ia vlen. “Kur akuzon pa fakte, o i ke bërë vetë, o je në gjendje që t’i bësh vetë. Dhe këtë gjë e them sa herë që ti merr në gojë me libër shpie kundërshtarët e tu”, tha Rama. “Fole për partnerët evropianë dhe the se çfarë na thonë ne ata. Ata thonë: Nuk mund ta duam ne Shqipërinë më shumë se ç’e do opozita juaj. Ata thonë se si është e mundur që opozita juaj nuk e kupton këtë moment për vendin dhe nuk jep asnjë kontribut. Isha unë në Bruksel dhe ju flisni në emrin e tyre. Ata nuk e kanë problem të thonë çdo gjë, kur kanë një shqetësim. Ata ishin në një zë për çeljen e negociatave për anëtarësim, edhe ata që vijnë nga familja juaj politike, u shprehen me nota pozitive për Shqipërinë. I turreni ambasadorëve dhe i trajtoni sikur janë në një rresht me Habilaj e Balilaj. Kur thonë se gjashtëmujori i ardhshëm është vendimtar dhe Shqipëria mund të çelë negociatat nuk e thonë për të na bërë qejfin ne”, tha Rama.

Sherri Noka-Rama
Situata në Kuvendin e Shqipërisë është tensionuar sërish. Deputeti i PD-së, Flamur Noka është ngritur gjatë kohës kur po fliste kryeministri Rama dhe është nisur drejt foltores. Menjëherë Nokën e ka rrethuar garda. Kryeministri ka pyetur disa herë Sali Berishën “Në çfarë pylli e keni gjetur këtë?”, pyetje e cila ka marrë këtë përgjigje të Nokës: – “Në pyllin e sat’ëme”. Kaq ka mjaftuar që kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi të përjashtonte deputetin Noka nga seanca. Më pas debatet kanë vazhduar mes deputetëve të pranishëm. Berisha akuzoi Ramën se nuk njihte realitetin se ishte injorant për sa i përket situatave të përmbytjeve, duke përmendur Shkodrën, i tha se ka mohuar ndihmën që i kërkoi NATO-s për ushqime e veshmbathje për zonat e përmbytura, i tregoi edhe dokumentin. Ndërkohë që Rama vazhdoi duke i treguar se ishte duke gënjyer dhe se nuk merrej me të. Pra seanca e djeshme, përveç sherrit me njëri-tjetrin, nuk prodhoi asgjë. 
Sigal