Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës pr/ligjit për armët

500
Sigal

 Kuvendi miratoi vetëm me votat e maxhorancës pr/ligjin për armët, që parashikon pajisjen me to të zyrtarëve të lartë të shtetit. Pr/ligji kaloi me 66 vota pro dhe 56 kundër. Deputetët socialistë e kundërshtuan këtë pr/ligj, duke e konsideruar të dyshimtë faktin se miratimi i tij bëhet në prag të fushatës zgjedhore. Deputeti socialist, Arben Isaraj akuzoi Kryeministrin Berisha se ka urdhëruar armatosjen e të gjithë zyrtarëve dhe zëvendësve të tyre në prag të fushatës zgjedhore, duke lënë të paarmatosur vetëm Presidentin e Republikës. “Sot po çarmatosin vetëm Presidentin dhe të gjithëve na duan nën armë. Ka ditë që biznesi i armëve mezi pret licencimin miliardave të gjakut, a thua se jemi përpara një lufte dhe të gjithë ushtarë. Vetëm Presidentin e Republikës e ka çarmatosur Saliu, pasi ja mori të gjitha dekretet dhe e la me lugë bosh në brez. Sot është koha të çarmatoset politika e çdo niveli, të flasë me gjuhen e Kushtetutës dhe të ligjit”,- u shpreh Isaraj. Ndërkaq, sipas deputetit demokrat, Osman Metalla iu kundërpërgjigj akuzave të socialistëve duke i cilësuar deklaratat e tyre si spekulime të shëmtuara. “Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky ligj hyn në fuqi në gusht të këtij viti, kështu që ju po gënjeni me këto që po thoni”,- u shpreh Metalla.

 Çfarë parashikon p/ligji

Sakaq, gjatë diskutimit të këtij pr/ligji nëpër komisione parlamentare, neni që parashikon pajisjen me armë të politikanëve ka qenë ngërçi i draftit. Opozita e kundërshtonte këtë nen, pasi sipas saj është e panevojshme mbajtja e armëve nga deputetët apo ministrat. P/ligji “Për armët” synon përafrimin me direktivën e BE-së,”Për kontrollin e blerjeve dhe posedimit të armëve”. Ai përfshin një fushë të gjerë veprimi, ndërkohë që dispozitat e tij nuk zbatohen për armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ligji detajon tipet e ‘armëve të zjarrit’, që nga ‘arma e shkurtër’, ‘armë e gjatë’, ‘armë automatike’, gjysmautomatike e deri tek specifikimi i armëve të zjarrit ‘për gjueti’, armëve sportive, dekorative etj. Një risi e p/ligjit lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit, ku përfshihen deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë.

 Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Por shqetësimi ynë qëndron në faktin se çdo armë e jashtëligjshme e ka zanafillën pikërisht të armët e ligjshme. Fakt është që edhe në projektligj ju jo vetëm që e shtrini tek interesat private të drejtën e import-eksportit të armëve, por dhe nuk keni bërë gjë tjetër veçse de facto keni përcaktuar edhe çmimin e armëve në tregun e zi. Ky është dhe një ligj klientelist pasi duket qartë që është i sponsorizuar nga dy grupe të fuqishme interesi siç janë importuesit e armëve dhe pronarët e të ashtuquajturave poligone. Ky ligj fatkeqësisht promovon dhe nxit pikërisht këtë kulturë të dhunës, të “të fortëve” me kobure në brez. Pajisjen me autorizim e bën Policia e Shtetit. Skenat që kemi parë me policë e drejtues të lartë policie ulur këmbë kryq me të akuzuar prej vet atyre si vrasës, na jep të drejtën të gjykojmë se ndaj policisë së sotme, vegël në duart e politikës, besueshmëria për t’i dhënë atribute të tilla është pothuajse zero.

 Piro Lutaj, deputet i PS-së

Iniciativa juaj lidhur me p/ligjin “Për armët” që ka të bëjë me armatime dhe municione, u rikujton shqiptarëve , se vet maxhoranca juaj, nuk i lë të qetë, por u kujton atyre, edhe Gërdecin, edhe 21 Janarin edhe Marsin e 1997-s.  Armët luftarake, madje vrastare, të Gardës së Republikës, Sali Berisha i quan Pupaçe.  Ndërsa çadrat e shiut e bishtat e flamujve, Sali Berisha, i quan armë vrasëse, madje i ka thënë opinionit publik disa herë,se me këto “armë të rrezikshme” janë shkaktuar vrasjet nga afër të demonstruesve më 21 Janar.