Kuvendi i Shqipërisë shpall vendet vakante për 2 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve

463
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 20 dhe 276, pika 8, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpall vendet vakante për 2 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve.

Njoftohen avokatët që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 28 janar 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.

Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit duhet të bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin nëse zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për integritetin e personave qe zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut të vitit 1991;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
dh) dokumente konfirmuese nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërtetojnë se kandidati plotëson kushtet e parashikuara në shkronjat “c” deri në “e”, të nenit 19, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
e) çdo dokument tjetër që vërteton plotësimin e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 19 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit:
Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë