Kuvendi i Shqipërisë një “arenë lufte”, debate të ashpra për drogën dhe Himarën

569
Nga replika dhe kundër/replika u karakterizua seanca e djeshme parlamentare ne pjesën më të madhe të punimeve. PS-PD “në sulm” se kush ka të drejtë më shumë
Nisi me debate vazhdoi me të njëjtën mënyrë deri në orët e pasdites. Seanca parlamentare e ditës së djeshme më shumë i ngjante një takimi elektoral, ku palët kundërshtare, sulmonin njëra –tjetrën, duke përdorur si argumente ngjarje, të cilat kanë tronditur opinionin brenda dhe jashtë vendit. Dy ishin temat për të cilat seanca e djeshme plenare harxhoi kohën më të madhe, ndërsa përballë njëri-tjetrit kishim kryeministrin e vendit Edi Rama dhe shefin e opozitës Lulzim Basha. Kanabizimi i vendit nga njëra anë dhe situata e krijuar në Himarë me prishjen e disa ndërtimeve me vendim të qeverisë, kanë qenë temat që përplasën politikanët. Pra, Himara dhe droga janë kthyer tashmë në mollë sherri mes maxhorancës dhe opozitës, e cila nuk lë rast pa i përdorur kundër qeverisë dhe konkretisht kundër liderit të së majtës Edi Rama. Por teksa u prek çështja e Himarës, Rama gjeti rastin për të thënë në kuvend se PD-ja duhet të japë llogari dhe të tregojë se, përse ishin të pranishëm në Himarë deputetët e saj, pikërisht në një kohë që opozita greke ka nisur një letër KE-së për këtë qëllim, duke e konsideruar si cenim të interesave kombëtare. “Lulzim, hajde këtu dhe jepu përgjigje shqiptarëve, çfarë donte PD-ja dje në Himarë. Jepu përgjigje shqiptarëve, se pse e bashkove zërin e PD-së me zërin e atyre që nxjerrin bishta pa asnjë bazë mbi një projekt të Rilindjes urbane në Himarë. Jepu përgjigje shqiptarëve, si ka mundësi që PD-ja u shfaq në Himarë të nesërmen e një letre të kryetarit të opozitës greke drejtuar BE-së për gjoja shkelje të të drejtave të minoriteteve”, tha Rama. Por për liderin e PD-së, ngritja e zërit të Ramës për këtë qëllim nuk është gjë tjetër vetëm lojë e tij për të larguar vëmendjen nga çështja kryesore, ajo e drogës. Basha iu kundërpërgjigj Ramës me të njëjtën “monedhë”. I kujtoi se ishte ai që kanabizoi vendin, është ai që drejton krimin në vend dhe është ai që për tre vite nuk i është përgjigjur pyetjeve të opozitës lidhur me kriminalizimin e Kuvendit. “Pse e zhyte Shqipërinë në krim dhe me drogë? Çfarë punë kanë kryebashkiakët e tu në tavolinat e kriminelëve? Ti patriot? Ke tre vjet që i bllokon Shqipërisë hapjen e negociatave. Lufto krimin, lufto korrupsionin. Droga është eksporti yt”, reagoi Basha.

Replikat mes Bashës dhe Ramës vazhduan gjatë. Por në asnjë mënyrë askush prej tyre nuk i përgjigjej pyetjes së tjetrit. Të dy flisnin për çështjet objekt-debati të gjerë publik, si droga dhe Himara, por askush përveç show-t politik nuk dhanë asgjë për qytetarët. Rama i tha Bashës, se vazhdonte të ishte si një pllakë gramafoni tek PD-ja. “PD-ja ka apo s’ka lider sot, ka apo s’ka sot një kryetar që mund të flasë pa pllakën e gramafonit le t’i përgjigjet një pyetjeje, pse iu bashkua një kori të ngritur mbi të pavërteta. I detyrohet shqiptarëve një përgjigje të qartë, çfarë është Himara për PD-në? Këtyre pyetjeve nuk i ikën dot, mos përgjigja konfirmon faktin se as ti, as partia jote nuk mbani përgjegjësi për fatet e këtij vendi dhe, se e vetmja shtysë që ju sjell këtu dhe ju nxjerr në mejdanin e propagandës është ankthi i pushtetit të humbur dhe epshi për një pushtet që nuk mund ta merrni dot këtu. Këtu flasim për një moment kyç, momentin ku politika shqiptare nuk mund të ndahet për arsye pushteti, por e bashkuar në funksion të së vërtetës. Nëse qeveria shqiptare ka cenuar një të drejtë të vetme të një njeriu të vetëm, atëherë në Himarë hajde thojini këtu cili është personi që i është cenuar e drejta. Hajde thoni këtu, çfarë është Himara për ju”, tha Rama.

Ndërsa në përgjigje të tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka quajtur një pseudopatriot, i cili nga droga ka nxjerrë 1.3 miliardë euro. “Ti ke mbaruar si kryeministër punë me shqiptarët”, tha Basha, duke e quajtur teatër të shëmtuar kthimin e debatit për Himarën.

“1.3 miliardë euro ky që bilbilos këtu, kaq ka nxjerrë me drogën, është një shifër astronomike. Patrioti, 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot për bukën e vjen e bën patriotin, ky është patrioti që rrënon Shqipërinë që çon 260 mijë shqiptare në katër vite në azil politik, ky është patriot i madh. Po mbron shqiptarët dhe fëmijët e tyre duke u pamundësuar të ngrohin shtëpinë. Është thënie e vjetër, nuk i ikën dot. “Streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizmi”. Po të ishe patriot ti kishe dhënë dorëheqjen ditën kur t’u kapën mushkonjat e para, sepse tregove që kishe vënë gjithë territorin në funksion të bandave. Ti duhet të ishe shkarkuar e proceduar para drejtësisë”, tha Basha.

Akuzat vazhduan edhe më tej. Rama e akuzoi Bashën se ka firmosur dorëzimin e një cope territor të Republikës së Shqipërisë. “Nuk të thashë më parë, po ta kujtoj tani, je njeriu që ke firmosur dorëzimin e një cope territor të Republikës së Shqipërisë që është një nga arsyet pse ne kemi sot një dialog të vështire me fqinjët tanë. Je njeriu dhe jeni partia, qeveria e deridjeshme, të provuar jo nga unë, as nga PS, po Gjykata Kushtetuese me një vendim 9 me 0 se keni shkelur interesin kombëtar, keni shkelur Kushtetutën e vendit dhe keni firmosur një marrëveshje që cenon integritetin territorial të vendit. Këtu në këtë sallë unë kam dëgjuar pa fund të më thuhet antishqiptar, kurrë nuk i kam thënë e nuk do ju them antishqitpar dhe antikombëtar. As Saliu që ka bërë shumë dëme në këtë vend, as ti që ke bërë më pak se s’ke pasur mundësi të bësh më shumë, dhe as kjo parti nuk mund ë akuzohen, por mund të gjykohen si të papërgjegjshëm, që e keni treguar vijimësisht”.
Sigal