Kuvendi i ri dhe agjenda e datave

534
Kuvendi i ri, përplasja e agjendave dhe labirinti i datave
PS do të tentojë zgjedhjen e Ruçit si kryeparlamentar brenda së shtunës për të shpejtuar votëbesimin e qeverisë. Roli i Metës, paqartësia e opozitës, vizitat zyrtare në Itali e OKB dhe detyrimet kushtetuese
Partia Socialiste do të kërkojë zhvillimin e shpejtë të procedurave parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe votëbesimin e qeverisë. Për shkak të agjendës së parashikuar të Presidentit të Republikës dhe kalendarit të angazhimeve ndërkombëtare të qeverisë, socialistët do të tentojnë që brenda pak ditësh të kenë përfunduar të gjithë itinerarin e detyrueshëm kushtetues për t’i mundësuar nisjen e punës ekzekutivit të ri. Ky itinerar do të nisë zyrtarisht të shtunën, më 9 shtator, në orën 10:00 dhe do të mbyllet me betimin e qeverisë para presidentit Meta. Nga ky moment, kryeministri Rama do të jetë i lirë ta mbledhë edhe zyrtarisht qeverinë e tij të re dhe të ndjekë agjendën ndërkombëtare. Por e gjithë procedura duhet të zgjasë më pak se një javë për t’i mundësuar shefit të qeverisë udhëtimin drejt Nju-Jorkut për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. 

Në bazë të Kushtetutës, pas mbledhjes më 9 shtator, ora 10:00, deputetët do të kryejnë verifikimin e mandateve dhe më pas do të kalojnë brenda dy ditëve në betimin e parlamentarëve të rinj. Hapi i radhës do të jetë zgjedhja e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. Pikërisht këto procedura, socialistët parashikojnë t’i zhvillojnë tërësisht brenda ditës së shtunës, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi i demokratëve, të cilët kanë premtuar kundërshtimin e zgjedhjes së Ruçit si kryeparlamentar. Në favor të strategjisë ende të pashpallur zyrtarisht të selisë blu do të jetë fakti se mbledhja e parë e Kuvendit do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, i cili duket se do të jetë Tritan Shehu, për shkak të refuzimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Nga ana e tyre, socialistët parashikojnë mbylljen e së shtunës me zyrtarizimin e Ruçit në krye të Kuvendit për t’i dhënë mundësinë Edi Ramës të marrë sa më shpejt nga Presidenti i Republikës, si mandatin për formimin e qeverisë së re, ashtu edhe dekretin e emërimit të ministrave. Me këto dokumente në dorë dhe programin e qeverisë për mandatin e dytë, Edi Rama do të drejtohet në Kuvend për votëbesim, ku të paktën 74 mandate janë të Partisë Socialiste. Megjithatë vetë Ilir Meta do të jetë në fillim të javës së ardhshme në Itali, në të parën vizitë zyrtare jashtë vendit si President i Republikës, duke e bërë edhe më të ngjeshur kalendarin e angazhimeve zyrtare të drejtuesve më të lartë të shtetit. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama dhe ministrat, pasi të votëbesohen në Kuvend, duhet të rikthehen përpara Ilir Metës për t’u betuar, akt që do të shënojë mbylljen e procedurës kushtetuese të zyrtarizimit të qeverisë së re. 

Në këtë dendësi datash e angazhimesh protokollare mbetet ende e paqartë nëse kryeministri do të arrijë ta mbyllë javën e ardhshme i zyrtarizuar për drejtimin e mandatit të dytë qeverisës, duke pasur mundësinë e fluturimit të qetë e të gjatë përtej Atlantikut. Një pikëpyetje e rëndësishme mbetet strategjia e opozitës, e cila po diskuton edhe mundësinë e bllokimit të seancave të para që do të çojnë në zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit. Nga ana tjetër, në bazë të Kushtetutës, Presidentit i Republikës ka deri në 7 ditë kohë për të nxjerrë dekretet e emërimit të ministrave. Nuk dihet ende se sa kohë do të marrë Kreu i Shtetit për të mandatuar Ramën për formimin e qeverisë së re, pas propozimit zyrtar të PS-së, apo sa ditë do të shfrytëzojë për të firmosur listën e ministrave. 
Kushtetuta për emërimin e qeverisë së re:
 Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
 Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
 Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.
Datat
9 shtator Mbledhja e parë e legjislaturës së re, e thirrur pas dekretit të Presidentit të Republikës.
11 shtator Vizitë në Itali e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, e para jashtë vendit prej marrjes së detyrës. 
12 shtator Nis punimet sesioni i vjeshtës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
17 shtator Kryeministri Rama udhëton drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së.
19 shtator Nis debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku do të flasë edhe delegacioni shqiptar. 
Sigal