Kuvendi i jep përgjigje kërkesës të KQZ-së

473
Sigal

Pas kërkesës së KQZ-së për më shumë shpjegime lidhur me specifikimet për vakancat lidhur me  vendimin e deputetëve të opozitës për djegien e mandateve, vjen përgjigja e Kuvendit.

Kuvendi njofton se ka specifikuar në shkresa përkatëse për të gjithë deputetët e dorëhequr krijimin e vakancës. Sot pasdite, Kuvendi korrigjoi të gjitha shkresat, duke shpallur 57 vakanca, përfshirë dhe dorëheqjen më të fundit të Fatmir Mediut.

Kërkesa e KQZ kishte për qëllim saktësimin, pasi janë vërejtur paqartësi në specifikimet ligjore në dokumentin ku kërkohet nisja e procedurave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr.

Sipas KQZ, 56 njoftimet për dorëheqjen e të deputetëve të opozitës nuk janë korrekte, pasi në to nuk përcaktohet krijimi i vakancave, sikundër parashikon ligji zgjedhor.

Kodi Zgjedhor përcakton formulën e zëvendësimit të deputetëve që kanë vendosur të ndërpresin mandatin. Ligji thekson se mandatet e dorëzuara nga deputetët plotësohen me kandidatët pasues të listës shumëemërore.

Por sipas KQZ-së, deklaratat paraprake për mospranim të mandatit të deputetit nga kandidatët e listës së partive opozitare, nuk mund të merren për bazë.