Kuvendi i Bashkimit të Ushtarakëve në 30 tetor drejt dështimit

532
Në 30 shtator Shoqata e Ushtarakëve, drejtuar nga Kujtim Çako ka njoftuar për mbajtjen e Kuvendit të Bashkimit të Ushtarakëve. Por sipas të dhënave që ne kemi arritur të grumbullojmë mësohet se kjo mbledhje ka më shumë gjasa që të dështojë. Kjo për faktin se një prej shoqatave, e cila drejtohet nga Thoma Konduri dhe që mban emrin Shoqata e Ushtarakëve në rezervë ka mohuar kategorikisht pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Ne kontaktuam ditën e djeshme me Thoma Kondurin, kryetarin e kësaj shoqate dhe ai na konfirmoi se as ai dhe asnjë prej anëtarëve të shoqatës së tij nuk do të jenë pjesë e Kuvendit për bashkimin e Ushtarakëve. Konduri tha se së bashku me kolegët e tij janë duke udhëtuar drejt Greqisë, ku do të marrin pjesë në përurimin e një libri titulluar “Skënderbeu”. Ndërkohë grupi i shoqatave që janë për bashkimin e ushtarakëve janë shprehur të gatshëm për të qenë në këtë takim,. Por për aq kohë sa nuk do të jetë shoqata kryesore, ajo e drejtuar nga Konduri me shumë gjasa, Kuvendi do të jetë i dështuar. Lidhur me mbajtjen e Kuvendit ka folur edhe një ish-ushtarak. Bardhyl Azizaj ka bërë thirrje të gjithë ushtarakëve për të qenë pjesë e Kuvendit. “Ju bëj thirrje sinqerisht, pa iu përulur asnjërit dhe pa i kthyer kurrizin askujt! Ta kthejmë Kuvendin e Bashkimit të Ushtarakëve në Tribunë të vlerave dhe jo të vogëlsirave!”, shprehet ai. “Të bashkuar do të bëjmë gjëra më të mira! Ta çojmë deri në fund nismën! Kemi qenë të bindur se ushtarakët shqiptarë janë të vendosur, kurse tash po konstatojmë se ushtarakët shqiptarë qenkërkan shumë më trima e shumë më të vendosur”. Politika gjer tani na ka parë si numra në trajtë njeriu, jo si njerëz! Ky ishte kulmi i hipokrizisë! Ka shfrytëzuar idealizmin tonë!”, përfundon ai.
Sigal