Kuvendi i 9 shtatorit do të nisë me protestë

489
Kuvendi nis me protestë, por jo me bojkot

Sesioni i ri parlamentar do të nisë me protesta. Burimet nga Partia Demokratike bëjnë të ditur, se opozita po përgatitet të protestojë para Kuvendit, të shtunën e 9 shtatorit, ku deputetët do të mblidhen për të nisur legjislaturën dhe zgjedhur kreun e ri të Parlamentit. Vendimi në Selinë blu pritet të merret në fillim të javës kur do të mblidhet dhe grupi parlamentar, ndërsa ende nuk sqarohet në qoftë se nëpërmjet protestës, demokratët do të synojë të bllokojë seancën parlamentare. Skenarët e protestës po diskutohen në forumet organizative, ndërsa burime të besueshme theksojnë se po mendohet që ajo të shtrihet brenda dhe jashtë Parlamentit, duke angazhuar forumin rinor, me synim për të pamundësuar votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt, si ministër i Brendshëm. Prej publikimit të përbërjes së qeverisë “Rama”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi duke theksuar, se ai konsolidoi dhe riktheu në pushtet elitën komuniste, ndërsa sipas tij, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre duke përmendur Edi Ramën, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin dhe Sonila Qaton. Megjithatë, burime politike kanë përjashtuar mundësinë e bojkotit në seancat e nisjes së Kuvendit.

Në bazë të dekretit të presidentit Meta, deputetët do të mblidhen të shtunën paradite për t’u betuar, ndërsa ende nuk është përcaktuar se cili prej deputetëve do ta çelë seancën. Deputeti më i moshuar është Sali Berisha, por katër vite më parë ish-kryeministri refuzoi ta hapte legjislaturën. Ende nuk dihet, se si do të veprojë Berisha, por një refuzim tjetër prej tij do t’ia kalonte stafetën Tritan Shehut, deputet i Partisë Demokratike. 
Sigal