Kuvendi dështon, nuk ka kompromis për Magjistraturën

530
Sigal

para pushimeve për të miratuar ndryshimet e propozuara nga socialistët për hapjen këtë vit të shkollës së Magjistraturës, e cila është aktualisht e bllokuar nga mungesa e institucioneve të reja të drejtësisë.

Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare më 23 korrik 2018. Opozita e braktisi sallën duke sjellë dështimin e miratimit te ndryshimeve të propozuara nga socialistët për Shkollën e Magjistraturës.

Një nismë ligjore e Partisë Socialiste që synonte eliminimin e ngërçit të krijuar në shkollën e Magjistraturës përmes një amendimi ligjor dështoi të marrë mbështetjen e partive politike në opozitë të hënën, në seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë para pushimeve verore. Ky duket se ishte edhe shansi i fundit për të krijuar kushtet për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2018-2019.

Nisma ligjore e socialistëve synonte të ngarkonte përkohësisht shkollën e Magjistraturës të hapte dyert për 25 magjistratë këtë vit dhe 50 magjistratë vitin e ardhshëm, pasi ligji aktual në fuqi ia ngarkon dy institucioneve të reja, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e kuotave për magjistratë dhe të dyja këto institucione nuk janë krijuar.

Por miratimi i ndryshimeve të propozuara nga socialistët kërkon shumicë të cilësuar parlamentare me  84 vota ndërsa Partia Socialiste disponon aktualisht rreth 79 vota, nga të cilat, 74 i ka fituar në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe disa deputetë të tjerë nga PDIU dhe LSI kanë zgjedhur ta mbështesin atë.

Në mungesë të 84 votave, PS i bëri thirrje partive politike opozitare që të votonin ndryshimet ndërsa u akuzua për “tentativa blerjeje dhe përçarjeje të opozitës”. Duke refuzuar ofertën për bashkëpunim në këtëçështje, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vendosi disa kushte për kompromis, të cilat u hodhën poshtë nga socialistët.

Basha deklaroi se sipas tij, qeveria “Rama” ka aktualisht nën kontroll shkollën e magjistratëve dhe se me këtë nismë ligjore synon “të kapë sistemin e drejtësisë në terma afatgjatë”.

“Njerëzit që janë aty [në shkollën e Magjistraturës] janë njerëz të lidhur me një ap dy breza me Partinë Socialiste dhe paraardhësen e saj, Partinë e Punës së Shqipërisë,” tha Basha. “Arsyeja e kapjes së shkollës së Magjistraturës është që ta shndërrojë këtë në një lloj kursi partiak ku të seleksionohen kandidaturat sipas preferencave të Edi Ramës dhe këta të jenë pas tre vitesh prokurorët dhe gjykatësit e ardhshëm”, shtoi ai.

Basha pretendoi se një pjesë e kandidatëve të KLGJ-së dhe KLP-së, (dy institucioneve të reja të drejtësisë) janë “mbështetës të Partisë Socialiste”.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i hodhi poshtë pretendimet e Bashës për kapje të drejtësisë deklaroi se ndryshimet e propozuara prej tij ishin të karakterit teknik. Balla hodhi poshtë kërkesën e opozitës për anulimin e ligjit që i hap rrugën shembjes së teatrit kombëtar ekzistues përmes një marrëveshjeje koncesioni me kompaninë Fusha duke thënë se nuk shihte lidhje mes ligjit për teatrin dhe ligjit për magjistraturën.

Opozita thotë se ligji i shumëdebatuar i qeverisë Rama për Teatrin Kombëtar është antikushtetues dhe përbën një ligj personal të kryeministrit, ndërkohë që vendi nuk ka aktualisht një Gjykatë Kushtetuese funksionale për ta shqyrtuar pretendimin për antikushtetutshmëri të këtij ligji.

Në mungesë të kompromisit për ligjin e magjistraturës, shkolla e magjistraturës këtë vit pritet të mos bëjë pranime të reja. Institucionet e reja të drejtësisë pritet të krijohen tepër vonë për të kryer funksionin e tyre në përcaktimin e kuotave për këtë vit.

Procesi i vetingut-që synon pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ka rrëzuar deri më tani pjesën dërrmuese të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke i nxjerrë këto gjykata jashtë funksionit. Dyshimet janë që edhe gjykatat e Apelit mund të pushojnë së funksionuari vitin e ardhshëm. (Gjergj Erebara)