Kuvend, Zonat e lira ekonomike, Bode-Braçe debat për taksat dhe investimet

443
Opozita ka akuzuar qeverinë se po largon investitorët si pasojë e taksave të larta.
Gjatë diskutimit të projekligjit për zonat e lira ekonomike, deputeti demokrat Ridvan Bode, deklaroi se lehtësirat fiskale që do të ofrohen për zonat e lira ekonomike nuk do të sjellin asnjë investitor.
Bode: “Ekonomia shqiptare vuan sepse qeveria rriti taksat me 50% në të gjitha nivelet dhe llojet e tyre. Sot Shqipëria pas 2 vite të qeverisjes së koalicionit të majtë ka përsëri një taksë të sheshtë por jo më 10%, e ka 15%. Keni më pak se një vit më parë ku duhet të mblidhnit 460 milion dollarë më shumë dhe u thoni hajde se tu ulim taksat në zonat ekonomike por FMN do t’ua rrisë prapë në qershor biznesit. Sepse do ta kompensopjë këtë 460 milion dollarë që do ta krijoni gropë në këtë vit. Në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë më pak se një vit më parë, mallrat e akcizës janë më të ulëta se nga 5 vitet e kaluara. Janë në nivelin më të ulët. 10 mijë ton në katër muaj karburante, nuk ka ndodhur kurrë edhe pse ka rënë ritmi i ekonomisë, edhe kur ka qenë lart, që të bjerë viti me vit konsumi i karburantit, sepse nuk ulet konsumi. Pse u ka rënë, sepse është evazion”.
Por për deputetin socialist, Erion Braçe, taskat nuk janë rritur.
Braçe: “ Doni që ti ulni biznesit po prapë 4 miliard lekë dhe gjithë punëtorëve në këtë vend t’ju rrisni tatimin me 8 miliard lekë për katër vitet e ardhshme? Kjo është pyetja? Dhe thojeni qartazi. Duam që punëtorëve t’ju vendosim taksa më të larta dhe natyrisht bizneseve t’ju ulim tatimin mbi fitimin. Pra ato para që biznesi sot po paguan më shumë doni t’ua ulni dhe t’ua merrni mësuesve, mjekëve, infermierëve, edukatoreve, policëve, ushtarakëve, zjarrëfikësve dhe cilitdo tjetër që punon sot në privat t’ju rrisni tatimin mbi të ardhurat. Kjo është shumë e rëndësishme që shqiptarët ta dëgjojnë dhe ta dinë në momentin kur ju vazhdimisht thoni do ulim taksat, do ulim taksat. Shoqërojeni këtë gjë edhe me atë që po e merrni angazhim sot, që do të vendosni apo do të riktheni tatimin mbi vlerën e shtuar për gjithë shëndetësinë. Nuk është pak, janë gati 8 miliard lekë. Thojani qytetarëve që do ju ngarkojmë edhe me këtë tatim tjetër, edhe me TVSH për ilaçet, pajisjet mjekësore, për shërbimet e tjera mjekësore me qëllim që ta dinë dhe të jenë të qartë para se të shkojnë të votojnë dhe të bëjnë diferencën midis jush dhe nesh. Ne vazhdojmë ti qëndrojmë tatimit progresiv për të mbrojtur punëtorët dhe gjithë shtresën e mesme në këtë vend”.
Sigal